Dueli komik dhe i paqenë mes qytetarit Rama ndaj fshatarit Meta
Shumëkush e ka ndjekur apo ka lexuar fjalën e kryeministrit Edi Rama në seancën e fundit parlamentare. Ishte një thirrje – formale dhe pa kuptim real – ndaj deputetëve që të votonin ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Kush nuk e ka ndjekur dhe lexuar mund ta lexojë. Jo pse zoti Rama ka dashur të regjistrojë në histori, apo në arkivën e Kuvendit të Shqipërisë, një qëndrim të tijin moral për një çështje të tillë, sepse për një gjë të tillë mjafton fjala e 13 qershorit, por sepse aty kryeministri ka dashur ta provokojë dhe kompleksojë presidentin në rrafshin intelektual.
Stilistikisht dhe në përmbajtje zoti Rama është kujdesur që të nënvizojë epërsinë intelektuale me Presidentin, një shfaqje e kotë kjo përferisa Meta ka vendosur së fundmi që të theksojë origjinën e tij prej malësori. Origjinë që sjell me vete aprovimin e epërsisë së autoktonisë ndaj kozmopolitanizmit, apo më mirë snobizmit intelektual të Tiranës.
Janë dy fjali që konkurojnë denjësisht si simptoma të psikologjisë sociale dhe politike të njërit dhe tjetrit:
Unë do vdes si shqiptar, thotë Presidenti.
Për ne, dinjiteti i këtij shteti është më i rëndësishëm se sa çdo kalkulim elektoral, thotë Kryeministri.
Siç mund të merret me mend dallimi mes sinqeritetit të njërit dhe tjetrit manifestohet si cilësi artikulimi. Ky është aspekt ekzibicionist që luhet nga të dy këta karagjozë të të ashtuquajturit shtet shqiptar. Mirëpo kjo manovër e vockël e z. Rama për ta nxjerrë presidentin nga foltorja e Parlamentit një të pagdhendur koha e të cilit në politikë po mbaron evidenton një krizë më të thellë sesa “kriza e fjalëve të bukura” nga e cila vuan Ilir Meta. Është kriza morale të cilën z. Rama pikërisht pse pretendon epërsi qytetarie dhe kulturore, ekspozohet më shumë. Ne kemi qenë dëshmitarë të akuzave edhe më të rënda sesa këto që dëgjojmë tani dhe z. Rama ka qenë përherë autor më i vlerësuar publikisht i “bestsellerave” retorikë dhe demagogjikë. Por këto nuk kanë penguar as njërin, as tjetrin të shtrihen të dy në krevatin martesor të pushtetit.
Nëse Ilir Meta ka bërë gjëmën siç pretendon z. Rama, ky i fundit, por edhe Partia Socialiste në formën e një dokumenti të miratuar nga institucionet e saj duhet të zotohen solemnisht se nuk do të hyjnë më në marrëveshje, pakte, politike dhe elektorale, para dhe paszgjedhore me armikun dhe viktimën perfekte Ilir Meta. Përndryshe këto dokrra hini të qëndisura për merak nga dikush që është në garë publicistike me veten dhe adhurimin që ka për ikonën personale, varur në muret e kishës socialiste, nuk shkojnë përtej llafeve, apo llogjeve parlamentare të një mexhlisi që nuk ka prodhuar gjë veç tyre qyshkurse oksidenti liberdador çalltisi këtyre anëve për t’u çmallur me Mesjetën.
Këmbëngulja e z. Rama në sofistikimin stilistik për sulme poshtë personale poshtë brezit i ngjan një vesi të kultivuar në një "qytet" me elitë parvenysh si Tirana, ku quhet status dallimi tradicional në veshje dhe në kotësi ditore mes anemikëve të latuar të qytetit dhe ngjyrëçelurve nga fshati.
Kjo është përpjekja më bajate dhe më antiintelektuale, keqkuptimi më i madh që ndodh në këtë luftë politike. Fjala e z. Rama ishte krejt e panevojshme në kushtet kur Parlamenti ka nsiur procedurën e shkarkimit dhe sidomos kur parashikohet që vendimin e fundit e ka Gjykata Kushtetuese. Por kryeministri ka dashur që për një moment, për nevoja të tijat, të dalë në foltore si Qytetari Rama kundër Fshatarit Meta, për një duel të fundit që duhet të celebrohet si festa e triumfit të të parit ndaj të dytit. Si evolucion historik në një Shqipëri që jeton dhe rirprodhohet politikisht në Tiranë përmes kësaj pëshpërime përbuzëse që e braktis Qytetarinë e vet në derën e çdo dogane. Pak ditë më parë, këtë qasje bënte për PD-në edhe ndonjë gazetar që sugjeronte që opozita të ndiqte si model qytetaren Jorida Tabaku.
Është argumenti i fundit, mesazhi i mbetur për të mbajtur në këmbë kufijtë e domosdoshëm të konfliktit politik, ku secili të mos ngatërrojë kahun dhe vendin. Është morali i imoralëve që kultivojnë idenë e një epërsie të paqenë, të një dallimi, që në vend se të ushqejë respektin dhe hierarkinë, apo të kujtojë të shkuarën, përqesh historitë e shpikura nga gjithësecili për veten dhe “qytetet” që kanë mbirë në ndërgjegje. Në atë ndërgjegje të deformuar ky qytetaria, ashtu siç e kupton secili, jo siç është, ka mbetur si teprica e vetme a-morale e mjaftueshmr për kinemanë e krekosjes, përderisa çdo shquarje tjetër është rrafshuar. Nga korrupsioni, vjedhja, krimi, implikimi, mashtrimi, shkatërrimi i territorit, që I bëjnë kaq të ngjashëm këta qytetarë dhe fshatarë që sot luftojnë për status. Për hir të kësaj të vërtete le të na thotë z. Rama: sa prej deputetëve në atë sallë e ndjekin në këtë llastim prej pioneri të Enverit, në këtë shkëlqim ligësie që u hidhet si gjella e shtetarit që ka më vete historinë? Me duartrokitje e dimë vetë: që të gjithë!
Add new comment