Ndërron jetë Franco Zeffirelli
Ka ndërruar jetë në moshën 96 vjeçare regjizori i famshëm italian, Franco Zeffirelli.
Një mbrojtës i klasikëve, por një antikonformist
Kështu e quante agjencia Ansa në njoftimin e vet ndërkohë që thuajse të gjitha mediat kanë vënë në dukje arritjet e tij në kinema.
Zeffirelli lindi në rrethinat e Firences në vitin 1923 dhe përfundoi Akademinë e Arteve të Bukura në vitin 1941. Më p as ai frekuentoi universitetin për Art dhe Arkitekturë.
Zeffirelli do të njohte suksesin e parë me “Romeo dhe Xhuljeta” në vitin 1968, një film që sillet shpesh si realizimi më i mirë për dramën e Shekspirit.
Në vitin 1977 ai arrin një tjetër sukses ndërkombëtar me adaptimin e jetës së Krishtit me serialin “Jezusi i Nazaretit” ku luajnë aktorë shumë të njohur. Robert Powell që luan Jezusin është ndoshta gjeta më pikante që e përafron imazhin e tij skenik më shumë se kushdo me imagjinatën ikonografike të Krishtit.
Në vitin 1979 ai përfundon një tjetër film të njohur herët edhe nga publiku shqiptar, “Kampioni”, me protagonist John Voight.
Unë nuk jam një regjizor filmi. Unë një jam një regjizor që përdor mjete të ndryshme për të shprehur ëndrrat dhe historitë e tij – për të bërë njerëzit që të ëndërrojnë
shprehej ai në një intervistë të vitit 2006.
Vijon me “Otello” në vitin 1986, “Toskanini i ri” në vitin 1988, “Hamleti” në vitin 1990 dhe për ta mbyllur me “Përgjithnjë Callas” në vitin 2002.
Zeffirelli lidhet edhe operën dhe teatrin, ku ishte po aq prodhimtar sa edhe në kinema. Aktiv edhe në jetën publike, ai do të merrte pjesë në Luftën e Dytë Botërore si partizan për t’u angazhuar mandej me trupat britanike. Fitues i disa çmimeve dhe medaljeve, Zeffirelli ishte për një kohë edhe në senatin italian.
Konservator dhe katolik i bindur, ai u bë disa herë objekt akuzash për temat fetare në filmat e tij. Në vitin 1996 Zeffirelli u deklarua se ishte homoseksual por nuk foli më për jetën e vet private.
Add new comment