Të duartrokasësh një kollonë antidemokratike
Socialistët, dhe jo vetëm ata, duan thjesht vendin e punës në shtet; nuk kanë ndonjë merak specifik për demokracinë. Është një llogari e vogël pragmatiste që ka në thelb edukatën politike me të cilën kjo parti ka ruajtur trashëgiminë e saj puniste dhe materiale.
Socialistët janë ai lloj elektorati që merr lehtësisht formën e enës ku i fut kryetari i radhës. Atje në hapjen e fushatës për zgjedhjet invalide të 30 qershorit, përveç socialistëve me shkollë partie ishin djemtë dhe vajzat që për meritë të babit dhe mamit janë bërë pjesë e ushtrisë së administratës ose që aspirojnë t’i bashkohen asaj sapo të diplomohen.
Ata ishin atje për të duartrokitur dhe brohoritur një model si Edi Rama, një tjetër invalid politik në llojin e vet, i paaftë për të superuar mendërisht dhe shpirtërisht demokracinë e ideve, procedurës, por edhe të votës.
Ata po dëgjojnë nga Edi Rama se kështjella socialiste është e pamposhtur dhe mbi të gjitha marrëzinë se zgjedhjet pa opozitën janë demokratike. Shpikje e një rrobaqepësi në perspektivë që thotë se arroganca në politikë është virtyt i atyre që udhëheqin progresin dhe mbeten në histori.
Në fakt historia e 15 vjeçare e lidershipit të Edi Ramës dëshmoi se ai është një “çyryk” i provuar politik që mbi të gjitha ka në biografi pazarin antidemokratik të 2008-ës për ndryshimin e kushtetutës dhe konkurimin me lista të mbyllura në zgjedhje. Ky njeri që inkriminoi hapur sistemin duke konkuruar me banditë në zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale sot jep leksione demokracie dhe bën teorizime lart e poshtë mbi cilësinë e garës pa rivalë.
Tani është në fazën që po legjitimon publikisht marrëzinë e tij, duke i mbushur mendjen edhe vetes se nuk është vetëm kollonë fizike por edhe demokratike. Fatkeqësisht përballë është një kryetar opozite pa përmbajtje që vetëm ulëret dhe demokracinë e përdor si garniturë të fjalimeve të tij, por në thelb ajo që ofron mbetet gjithmonë një revolucion në tentativë.
Nëse këtë radhë e ka marrë seriozisht, rruga mund të mos jetë e shkurtër, por demokracia është i vetmi model që Edi Rama nuk dëshiron ta ketë përballë. A do t’i bjerë Luli kësaj rruge, mbetet për t’u parë. Edi po bën çmos që ta kthejë në shokun dhe lolon e propagandës së tij publiçitare, një eksperiment që u provua i suksesshëm tek një qënie politike pa shtyllë kurrizore si Erion Veliaj.
l.mitro
Add new comment