Mazllëmi ynë!
Si mund të lexohet heshtja e qeverisë ndaj një lajmi që qarkulloi në të gjitha mediat e vendit fqinj lidhur me një telefonate të Edi Ramës me kryeministrin grek, Aleksis Tsipras? Qeveria greke doli me një deklaratë, ndërsa mediat në Athinë zbardhën këtë paragraf nga biseda.
"Pa u respektuar plotësisht gjithçka që garanton të drejtat e minoritetit grek, nuk mund të flasim për fillimin e negociatave të pranimit të Shqipërisë me BE"- citohet të jetë shprehur Tsipras. Mesazhi ishte i qartë dhe kjo u reflektua në ndryshimet tinzare që burokratët e Rilindjes i bënë VKM-së 172 për pronat në bregdet. Tangërllëku i shefit të Tiranës këtë radhë nuk prodhoi lajm.
Edi që poston deri impresione turistësh të huaj për Shqipërinë e tij futuristike është vetëcensuruar, por nuk ka harruar të shpërndajë versionin e tij me burime. Ka diçka mistike, enigmatike në këtë përhumbje të Edit, e pazakontë duhet thënë për një njeri që nuk lodhet së foluri nga mëngjesi në darkë duke përsëritur të njëjtat pallavra.
Edi vetë ka heshtur, bashkë me tamburot që aktivizohen me shpërndarje dhe rishpërndarje të bëmave të bashkëqeverisjes. Asnjë koment, asnjë ripërtypje për Shqipërinë e zero problemeve me fqinjët, ku natyrisht Edi do hyjë në histori si njeriu që bën të kundërtën e asaj që thotë.
Me Aleksin nuk i ka ecur "shoqnia" apo sellfomania siç i ndodhi me Renzin. Nga sa thonë miqtë e tij Edi duhet ta ketë vuajtur këtë pjesë. Për një njeri sqimatar me atlete si ai nuk është e thjeshtë të jesh i refuzuar. Janë ato momente kur butësia dhe përvuajtja triumfojnë mbi arrogancën dhe emocionet negative që prodhon tensioni i brendshëm. Është e vërtetë që Edi ka bërë shpesh kalin e hazdisur që largon me vickla mizat që e bezdisin, por ai ka dhe anën tjetër, atë të arushit të butë që futet në zgavrën e tij kur s'ka grazhd për të përtypur. Një farë "bishe" e butë.
Si është përgjigjur Edi vallë në anën tjetër të receptorit? Mos ndoshta me atë butësinë "palloshe" nga e cila ka dashur të arratiset qëkurse u ballafaqua me "zdapin e keq" të paburrërisë së tij. Kush tha që kjo sjellje nuk të bën patriot? E mbani mend Mazllëmin, çfarë sikleti nga hija e gjermanit, por në fund nuk e dha veten. Mazllëmi ishte naivi emblematik i fjalëve hiç dhe mire. Gjithsesi Mazllëmi i Kinostudios ishte rrethanë historike. Mazllëmi ynë është rrethanë artistike dhe biopolitike, nuk ka rëndësi nëse në anën tjetër është gjermani apo italiani, të thërrasin Edi apo Tërmeti. Historia e suksesit për sojin politik të Edit është thjesht çështje publiçiteti!
* Mazllëmi êshtë personazh episodik i fmit "I teti ne bronz", prodhim i Kinostudios "Shqipëria e Re", 1970.
Add new comment