Shou i ri i ambientalistëve

Postuar në 14 Mars, 2019 16:36
Robert Thomanikaj

Mbrëmë ishte një diskutim në TV mbi lëvizjen e re ambientaliste të nxënësve në shtete të ndryshme të Europës. Ndërsa nesër të dy fëmijët e mi, njëri klasa e nëntë e tjetra klasa e shtatë, do të marrin pjesë për herë të parë në këtë lëvizje, duke demostruar. Sot, në këtë kohë që unë po shkruaj, apo sot, në atë ditë që lexuesi po e lexon këtë shkrim, me qindra mijra e ndoshta miliona njerëz po punojnë konkretisht në projekte ambientaliste, si me turbinat e erës, me panelet diellore voltaikë dhe termikë, nëpër hidroçentrale, me fabrikimin e veturave elektrike, e sa e sa lloj projektesh, që i shërbejnë ambientit, klimës, ajrit tonë të mushkrive, duke e ulur dyoksidin e karbonit, CO2.

   Kjo lëvizje e nxënësve e muajve të fundit kishte si nismëtare një vajzë të vogël suedeze rreth 13-14 vjeçe, këtu e dy-tre vjet më parë, (emrin e saj mund ta gjeni shpejt në internet), e cila iu bashkëngjit një grupi të rriturish ambientalistë, fillimisht në shoqërim të prindërve të saj, gjithashtu demonstrantë ambientalistë. Prej asaj kohe ajo nuk i është ndarë kësaj lëvizje, duke patur rreth vetes një numër përherë e më të madh nxënësish shkollash, ata nga klasa e pestë e deri në të 13-ën. Kjo lëvizje pra, ka kaluar dhe po kalon këto muaj dhe javë të fundit edhe në shtete të tjera të Europës, patjetër që do të kalojë në javët e ardhme edhe në kontinente të tjerë, po si ai virusi ngjitës që nuk pyet për kufinj.

   Deri këtu duket diçka normale, pse të mos themi pa cmirë dhe xhelozi, se kemi të bëjmë me një lëvizje mjaft të mirë. Por, (ah kjo “por”-i që na prish gjithmonë punë!), a kemi të bëjmë vërtet me një lëvizje ambientaliste? A kemi vërtet nxënës, të cilët nuk i ze gjumi natën për problemet e ambientit? A kemi të bëjmë me njerëz, të cilët shtrojnë zgjidhje në uljen e CO2?

   Fatkeqësisht më duhet të pohoj mohimin në përgjigjie të këtyre pyetjeve. JO, nuk kemi të bëjmë as edhe pak me një lëvizje ambientaliste! Nuk kemi të bëjmë as edhe pak me nxënës, që nuk i ze gjumi për problemet me të cilat përballet ambienti! Nuk kemi nxënës, të cilët i kuptojnë problemet e ambientit, të cilët dinë si luftohen problemet e ambientit, të cilët marrin vesh nga problemet teknike të pakësimit të CO2-it! Kemi shoun e radhës, dhe e keqja është se ky shou po ushtrohet tek dhe nga fëmijët, nga ky brez i ri, një pjesë e të cilve besojnë se me demostratat e tyre mund të ndikojnë vërtet në paksimin e CO2-it! Dhe ja përse kemi të bëjmë me një shou të radhës, ca më i dëmshëm se shout parakalues!

   E para dhe më e dallueshmja në këtë shou, është se këto protesta të së premtes së çdo jave i shmangin këta nxënës nga gjysma e mësimit të kësaj dite, ose e pakta nga ora e fundit (90 minuta) e mësimit. Drejtoritë e shkollave dhe kolegjet e mësuesve u kanë dhënë leje këtyre ambientalistëve të rinj, që të lënë një pjesë të mësimit të së premtes! Pa këtë leje antiligjore të legalizuar, një pjesë e nxënësve as që do të shkonin në këto demostrata. Nëse shkollat do të zbatonin programin e tyre mësimor dhe ambientalistët idealistë do të demostronin pas mbarimit të shkollës, numri i pjesmarrësve do të ishte vetvetiu shumë herë më i vogël. Duket pra ashiqari, se këto organizime nxënësish janë të lejuara, për t’mos thënë të organizuara dhe planifikuara nga vetë shteti, pra nga politikanët atje “lart”.

  Nëse vërtet janë të lejuara, të organizuara, të planifikuara nga “lart”, siç unë besoj, përse kjo politikë sakrifikon mësimdhënien në dobi të kësaj lëvizje nxënësish? Përse kjo politikë shkel vetë ligjet e shtetit (rregullin e mësimdhënies) në interes të një shou? Kjo është mjaft e kollajtë për tu kuptuar.

Vendet europiane po përballen me katër fenomene, të cilat nga njëra anë i kanë prioritet të tyre e nga ana tjetër duan ti luftojnë, sepse këto katër fenomene përmblidhen në një fenomen të vetëm, i cili fatkeqësisht po çon në groposjen e sejcilit shtet dhe shoqëri në Europë. E para është pasurimi material i qytetarve/ shtetasve të saj. Kjo gjendje e mirë materiale që kanë arritur sot suedezët, anglezët, gjermanët, hollandezët, etj. me radhë, i ka bërë njerëzit më individualistë. Komunikimi midis tyre ka arritur nivele minimale. Sipas shumë librave dhe filmave artistikë, ka rrezik që komunikimi i njerëzve me njëri-tjetrin të shkojë drejt zeros. Kjo gjendje e mirë materiale i ka bërë njerëzit edhe më tepër mëndjemëdhenj, sejcilit i duket vetja si një princ, apo si një profesor.

   E dyta, gjendja e mirë materiale e suedezve, anglezve, gjermanve, hollandezve, etj. me radhë, ka bërë që fëmijët e tyre të përbuzin sot punërat e rënda, të pista dhe me pak euro. Ndaj çdo vit e më tepër këto vende kanë nevojë për një numër emigrantësh të huaj, një pjesë e madhe e të cilve vjen nga kultura krejt të huaja për europianët, apo jo dhe aq të ngjashme. Ky numër i madh emigrantësh sot në Europë, ka krijuar shoqëri paralele aty-atje-kudo. Pra, struktura nacionale dhe kombëtare e shumë vendeve europiane ka rënë edhe më shumë. Në një pjesë të tyre, njerëzit me rrënjë të huaja përbëjnë gjysmën e banorve të vendit. Ndryshueshmëria e të huajve midis njëri-tjetrit dhe me vendasit i ka ftohur deri diku kontaktet. Por dhe më shumë i ka ftohur këto kontakte ndryshueshmëria materiale si dhe probleme të shumta administrative e juridike, që të huajt kanë në këto vende.

   E treta, politika e shumicës së vendeve europiano-perëndimore, si p.sh. Gjermanisë, Anglisë, Suedisë, etj., nuk i ka kushtuar kurrë interes arsimimit të përgjithshëm, siç i është kushtuar dikur në Lindje, në ish vendet “socialiste”, për arsye se elitave drejtuese ekonomiko-politike nuk u ka interesuar të kenë shoqëri me një shumicë të madhe njerëzish të ditur, si dhe për arsye se ky lloj arsimimi u kushtonte shumë. Duke i specializuar njerëzit në degë të veçanta, si p.sh. një zdrukthar nuk merrte vesh nga historia, filozofia, muzika, etj., një muzikant nuk merrte vesh nga arkitektura, filozofia, biologjia, etj., një biolog nuk merrte vesh nga matematika, filozofia, astronomia, etj., e kështu me radhë me të gjithë njerëzit e cunguar në dije të përgjithshme, këto elita i kanë patur më kollaj e më lirë ti kontrollonin njerëzit, sepse edhe njerëzit nuk kishin aftësinë ti kuptonin shumë fenomene shoqërore dhe natyrore, një mangësi kjo që i bën njerëzit vetvetiu superticiozë, vetvetiu ata i shohin elitat drejtuese si të dërguarit e Fuqisë Qiellore mbi tokë. Ekzistenca e kastave në botën perëndimore është efekt dhe privilegj i kësaj mosdije, e këtij lloj sistemi arsimor të cunguar.

   E katërta, zhvillimi i mëtejshëm i telekomunikacionit, (televizori, telefoni, kompjuteri, celulari, etj.), i kanë izoluar njerëzit nga shoqëria, duke e shpërbërë përherë e më tepër këtë të fundit, i kanë bërë njerëzit të pa-zhdërvjellshëm, më përtacë, më pak të lëvizshëm, më apatikë, më pak inisiatorë në lëvizje të gjalla shoqërore. Ky lloj i ri vet-izolimi teknollogjik duket edhe ca më i dëmshëm për shëndetin fizik të njeriut dhe shëndetin jetik të shoqërisë, aq sa dhe brenda një familje komunikimi midis vëllezërve, motrave dhe prindërve ka rënie drastike. Nga mënyra e komunikimit njerëzit kanë filluar të duken si xombis.

   Të katër fenomenet, siç e pamë, përmblidhen në një, forcimin deri diku të individualizmit dhe shkatërrimin e shoqërisë. Fjala e urtë shqipe: o Mete për vete, e përshkruan bukur këtë lloj gjëndje katastrofike të sejcilit vend europian dhe gjithë kontinentit tonë. I sheh njerëzit në rrugë vetëm në lëvizje dhe pa pika takimi, aq sa të duken si maqina lëvizëse. Ndonëse kjo situatë jo kaq e mirë dhe e pafavorshme për sejcilin shtet europian njihet nga elitat drejtuese të sejcilit vend, kjo nuk do të thotë se ato vunë kujën për këtë tragjedi. Jo, ato janë shkaktaret kryesore të kësaj gjëndje, ato edhe përfitojnë nga kjo gjëndje e deri-dikushme. Por ato kanë një hall tjetër më të madh, (kjo është dalluar qartësisht dhe hapur qysh nga koha e revolucioneve të 1848-1850-ës), hallin e pëzgjedhjes së pasuesve të tyre. Përmes këtyre demostratave-shoujane të programuara nga lart, këto elita ndalin deri diku shpërbërjen e shoqërisë, përfshijnë deri diku në gjirin e nacional e kombëtar të huajt e shumtë, por më shumë përzgjedhin (piketojnë fillemisht) ata që do të përbëjnë elitat drejtuese të vendit. Ky lloj piketimi dhe përzgjedhje nuk kryhet tërësisht si në eksperimentet e kimisë në laboratoret e shkollave, por i lihet rrugë vetë arrivistëve të ardhshëm të ngjisin shkallët e karrierës.

  Sa më pak të ditur të jenë këta demostrantë të sotëm, aq më të manipulueshëm janë ata në shërbim të majës elitore. Sa më përtacë të jenë, aq më të bindur do jenë ata në shërbim të elitarve më të vjetër. Dhe ata janë të paditur, sepse po ti pyesësh qoftë edhe vetëm për funksionimin e një katalizatori veture, tek i cili bëhet kthimi i gazit karbonik në avull uji, ata mbledhin supet dhe nuk dinë të shpjegojnë gjë! Dhe ata janë përtacë të mëdhenj, sepse ata kurrë nuk kanë kapur lopatë e kazëm me duar, as kanë punuar në ndonjë fabrikë apo kudo. Ndaj ata do të rrinë gjithnjë urtë mos e humbasin karriken që do të sigurojnë përmes afirmimit të tyre si demostrant-shoujan! Edhe biseda e mbrëmshme në studio e tregoi këtë, edhe demostrata e nesërme e fëmijve të mi do e tregojë këtë, edhe unë ua tregova sot!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.