Në Shqipëri shteti zgjat vetëm 1 orë
Mediat kanë bërë të ditur sot se vajza me bluzë të kuqe që u ndesh me forcat policore dje në përplasjen pranë shkollës “Petro Nini” në Tiranë, rrezikon të mbetet edhe pa punë. Vajza është nënë e dy fëmijëve që siç tregohet në foto i mban shtrënguar pas vetes dhe ajo punon në Policinë e Shtetit.
Unë kam qenë banore. Jam qytetare e thjeshtë e lirë për të mbrojtur pronën time dhe fëmijët e mi sepse nuk kam ku të shkoj tjetër
ka thënë Blerta Dervishi pas pezullimit.
Ky është një incident më i rëndë brenda vetë incidentit që pamë të zhvillohej dje në Tiranë. Zonja në fjalë flet sinqerisht: ajo thotë se do mbrojë fëmijët përpara çdo gjëje. Nuk ka ku të shkojë tjetër. Nuk ka rëndësi nëse kryebashkiaku ofroi apo jo banesa sociale, këtu çështja është tjetër. Kemi një raport sipërfaqësor, mosbesimi të plotë ndaj ligjit dhe autoritetit që presupozohet se e mbron atë.
Mediat po ashtu raportuan se policet femra që morën dje pjesë në operacionin policor ishin parë të përlotura. E gjitha një situatë kritike ku duket qartë se askush nuk e beson përrallën “po bëjmë shtet” dhe që shpjegon më së miri se përse protestat e fundit të opozitës kanë qenë shumë miqësore me trupat policore ndaj të cilave nuk u hodh asnjë fyerje.
Zonja Dervishi nuk pati dilema të zgjidhte sepse me të vërtetë që po zbatohej një vendim gjykate, por edhe po të dëgjosh Kryeministrin na duhet të pyesim: a po jepet drejtësi? Dhe a po vepron qeveria, shteti, ligji që në zbatim të Kushtetutës të zbusë problemin social? A është disi e mbrojtur Blerta Dervishi si punonjëse policie?
Mesa duket Jo. Fare. Dhe shteti as bëhet, as funksionon mbi mosbesimin. Ndaj edhe në Shqipëri i ashtuquajturi shtet, mishëruar tek uniforma dhe zbatimi i ligjit vetëm mbi të dobëtit, në raste krizash zgjat vetëm 1 orë. Është kjo arsyeja se përse në Shqipëri u druhen kaq shumë protestave dhe dhunës demokratike të tyre, sepse askush nuk do rezistojë për axhendën e një njeriu të vetëm. Nëse do të kishte me të vërtetë shtet dhe ligj, pakkush do të kishte frikë nga protestat e dhunshme, njësoj si në vendet europiane. Ky është dallim themelor që shpjegon se përse apeli kundër dhunës është në fakt tinzar dhe nuk ka të bëjë thjesht me imazhin. Është frika kundër dhunës që del në rrugë, kundër veshjes së uniformës origjinale të politikës shqiptare, uniformës së bandës që në fakt përbën bazën e pushtetit politik dhe më keq të ekuilibrit të rremë në këtë vend që e destabilizojnë dhe nevrikët e estradës.
Add new comment