Konfidencialiteti i pafajësisë së zyrtarit publik(dokument)
Materiali që po sjellim më poshtë është shkëputur nga raporti paraprak i Kontrollit të Lartë të Shtetit pas audititmit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ai daton në muajin korrik të vitit 2018 dhe konsiston në 97 faqe. Siç kemi shkruajtur më parë, draft-raporti konstatonte shkelje të rënda me dëm ekonomik nga zv.kryetari aktual i KQZ-së, z. Denar Biba, observacionet e të cilit janë rrëzuar thuajse në të gjitha rastet nga grupi i auditit.
Kemi fshirë emrat e nëpunësve të përmendur në auditim dhe kemi lënë vetëm ato të anëtarëve të KQZ-së(persona publikë), duke sjellë në vëmendje ato prokurime që janë vlerësuar nga KLSH-ja se kanë patur shkelje. Rasti në fjalë është emblematik për mënyrën sesi funksionin i ashtuquajturi shtet shqiptar. Kjo sepse ky draft raport i cili sipas burimeve nga KLSH nuk ka ndryshuar në përmbajtje në finalizimin e tij, është shpallur si dokument konfidencial në momentin që është miratuar si Raport Përfundimtar.
Kjo është një ndër absurditetet më të mëdha, përderisa prokurimet janë të hapura për publikun dhe shpallen publikisht. Çfarë mund të ketë konfidenciale në punën e KQZ-së?!
Por ka edhe një pyetje që duhet shtruar: nëse nuk ka ndonjë problem apo nuk dëmtohet kush, pse duhet që dokumenti të klasifikohet?
Le t’ua lëmë përgjigjen atyre që e kanë bërë një akt të tillë, por edhe KQZ-së, një organ kolegjial që nuk është se nderohet nga ky dokument. Meqenëse disponojmë raportin paraprak, menduam të publikojmë në disa pjesë, edhe për arsyen se mbajtja e tij larg vëmendjes së publikut krijon dyshime se ka të bëjë me lobim të njerëzve me pushtet që mesa duket duan ta ruajnë z. Biba – ndër të tjerë ndoshta – për karrierën e përfolur të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese që siç ka pranuar vetë në Prokurori eka ambicie personale.
A mundet që një zyrtar që kapet në shkelje të tilla të paktën të mos ballafaqohet me publikun, sidomos kur i ashtuquajturi vetting nuk po aplikohet mbi kritere strikt juridike, por po udhëhiqet nga parime operative dhe biografike? Çdo gjë mund të ndodhë në një vend ku kryeministri shpall gjykatësit kriminelë, bën prokurorin dhe hetuesin dhe pastaj, deklaron se na duhet drejtësia.
Më poshtë pjesë nga raporti në galerinë fotove për të cilin nuk mund të japim një gjykim, përderisa për të ka dalë raporti final që mbahet i fshehtë:
Comments
I gjithe dokumenti ne fjale
I gjithe dokumenti ne fjale ndoshta edhe nuk ka ndonje gje qe do te bente pershtypje te madhe. Por duhet pare nga ata te zanatit pse eshte klasifikuar si kofidencial! Pra do kohe te analizohet i teri. nese lirohet nga kofidencialiteti, ai mund te hidhet i qarte ne internet nga zyrat perkatese dhe gjithkush mund ta lexoje. (Ketu me lart, jo te gjitha faqet lexohen qarte.)
Add new comment