Peng i beqarisë së Edit dhe periodave të Lulit!

Postuar në 23 Shkurt, 2019 19:18
Leonard Mitro

Shqipëria vijon të jetë lodër në duart e një kryeministri që së fundmi ka marrë përsipër të përfaqësojë edhe pakicën.  Ta quajmë sakrificë, altruizëm, zotësi, cinizëm, kapriço apo sharlatanizëm ofertën që na ka bërë Edi Rama për të qeverisur teknikisht Shqipërinë pa kundërshtarë në parlament!?

Edi në fakt është sfidant i vetvetes dhe metri i suksesit kornizohet tek ekstravaganca e tij edhe në politikë, pamvarësisht kostove që sjell një qeverisje e përqëndruar tek buzët, xhupi apo brekushet e artistit më të mirë mes kryeministrave. Ai nuk ka thjesht votues, ka ndjekës, është si të thuash vetë loloja dhe vetë mbreti i një publiku  partiak që ka si vlerë të shtuar argëtimin me llojin e vet.

Një tallje që e shohim në çdo takim të Edit me të bashkëqeverisurit e tij këtu e 7 vjet. Edi nuk mbaron së foluri, ka momentet e veta të hutimit, por Edi flet shumë, më shumë sesa punon. Edi ka sens humori, batuta qelepiri, por êshtë dhe i sertë. Nuk ka vlerë se çfarë thotë, mjafton që ai të jetë talenti i skenës, i pauzave dhe monologut që mbyllet me një dramacitet poztiv. Bravo Edi, e tejkalove dhe këtë moment me veten! Nuk impresionon më askënd me fjalitë e gjata dhe tonin e shtruar epik, një bojë surratit dhe magjia e makiazhit tënd shpërfytyrohet. Megjithatë populli socialist të mbështet edhe në puro budallallëkun politik të radhës.

Të ashtuquajturit socialistë, të cilët i shohim të përfaqësuar përgjithësisht në administratën publike po shndërrohen bashkë me ty në në shpikësit e një teorie unikale të demokracisë, ku pushteti po mbingarkon vetveten për të bërë edhe rolin e opozitës.  Ky lloj populli që nuk përton të mbushë sallat e atntimitingjeve është shumë i shqetësuar për atentatin që opozita po i ben demokracisë me heqjen dorë nga mandatet, duke stigmatizuar dhunën që njerëzit e Lulit dhe Monikës po u bëjnë institucioneve kozmopolite të Edit dhe kërpudhave përreth tyre.

Amnezia kolektive që u ka përçuar Edi Rama mbështetësve të vet po formaton të ashtuquajturit socialistë në qënie të uleta politike që veprojnë sipas një paradigme ku e keqja gjithmone relativizohet me kundërshtarin, ndërsa gabimet e pushtetit janë të paqëllimshme dhe pasojë e përkushtimit për të korrigjuar veten. Është i njëjti popull që në vitin 2008 duartrokiti ndryshimin e kushtetutës për kapriçot e Edit, i njëjti që bekoi bashkëqeverisjen me Partinë e Monikës dhe Ilirit, i njëjti popull që në 21 Janar sulmoi institucionet, i njëjti popull që sot konturon teorikisht llojin e opozitës që i duhet vendit.

Flama ka kohë që ka rënë te trasxhenderët socialistë, një lloj rrace politike e qytetëruar me parimet e punizmit dhe e rehatuar me marifetet e kapitalizmit. Opozita që kemi sipas tyre nuk bën, është osbkurantiste, pengmarrëse, sabotatore, fashiste dhe anarkiste, por i duhet demokracisë. Demokracisë së një tabloje të vizatuar nga kryeministri i tyre dhe i joni. Këtë panoramë e ka ndihmuar edhe Lulzimi i PD-së, që u kthye në marionetë të pushtetit ndryshe nga përmbajtja e emrit të tij. Jemi në këtë situatë edhe për kapriçot e këtij zotërie, të cilit jemi të detyruar t'i mirëkuptojmë periodat e vetëkonfirmimit si lider i papërmbushur i një demokracie të kontrolluar.

Edi suksesi yt është Luli dhe opozita e tij, të trishtoi tradhëtia e Lulit këtë radhë por bëj si të bësh, dil të kërkosh nusen e radhës, mbase opozita e re nuk do të refuzojë, ama provoje, mos e mbaj Shqipërinë peng të beqarisë tënde politike. Me siguri edhe këtë pjesë të historisë tënde politike do ulesh ta shkruash Edi në Panairin e Kotësive ku je protagonist. Ti e ke thënë dhe vetë që nuk je politikan, Por shko në zgjedhje të paktēn të dukesh si i tillë!

Comments

Submitted by Arben (not verified) on

E pritshme tani do te jete te filloje nje faze takimesh te Edi Rames me popullin neper qytetet e Shqiperise nen moton " Opozita qe duam "! Aty te shkojne personalitete qe mund te bejne opoziten e re, me bekimin e kryeministrit Edi Rama! Ne keto takime te modelohet opozita e re "Opozita qe duam" e cila do te kete edhe mbeshtetjen e faktorit nderkombetar-miqve te Shqiperise! Ndoshta Kjo lloj opozite mund ti qetesoje pak mbeshtetesit e PS, te cilet jane pjese e madhe e shoqerise aq sa mund ta furnizojne edhe me vota "Opoziten qe duam" ne nivelet qe deshiron kryeministri qe duam - Edi Rama!

Per te qeshur e per te qare!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.