Unë, Sorosi, Edi, Kushtetuta dhe turma e hajnave  

Postuar në 19 Shkurt, 2019 22:10
Robert Thomanikaj

 

Unë Sorosi, Edi, ligjet shqiptare dhe turma e hajnave kemi një lidhje mjaft të veçantë. Dhe ja, se si! Filantropin më të madh çifut unë e njoha disa vjet më pas se ai të ish ish njohur me Edin dhe ky me ‘të. Si emër kisha nisur ta njoh aty në fillim të viteve ’90 nga televizori gjerman, i cili njoftonte herë-herë për fitimet e tij marramendëse në bursë përmjet spekullimeve në blerje-shitjen e akcieve të ndryshme, për ndihmat e mëdha në para që jipte në disa vende të Lindjes, si në Hungari, Ukrahinë, Rumani, etj.. Hëm kapitalisti më spekullues, hëm folantropi më altruist!

Në Shqipëri unë Sorosin e takova në Çorovodë. Po-po! Duhet të ketë qenë viti 1994. Kisha ardhur me leje në Shqipëri dhe kisha dalë me kamerën time të filmoja disa kanione të bukur. Ishte koha kur ëndërroja akoma se mund të bëja ndonjë bashkpunim me TV-ARD ose N3, duke harruar se shteti gjerman na kishte marrë për krahë pune e jo për filozofira. Kështu, me ëndrra të bukura vajta dhe filmova në luginën e Osumit, disa kilometra pasi kalon Çorovodën. Nga bukuria e natyrës u harrova krejt me filmime dhe, në të kthyer, më kapi ora 3-4 e pasdites në qytet.

- Makina për në Tiranë nuk ka më -, më sqaruan disa fëmijë e të rinj, të vetmit që shihje në rrugë.

- Dreq o punë -, thashë.

Aty as hotel nuk kishte! Ishte si ato qytezat e filmave me kauboj, një rrugë e vetme në mes e ndërtesa në krah.

- Ç’po më vjedhin kamerën ose ndonjë send të saj!

Kisha merak se më kishte ndodhur kjo në Tiranë. E kështu muhabet pas muhabeti me këta fëmijë të rritur e të rinj, po afronte muzgu. Kjo nga fakti se ajo hyrje qyteti ku po prisja për ndonjë makinë, ishte jo larg një gryke mali, pra ishte më errësirë se pjesa jugore e qytetit.

- Më duket se mbeta këtë natë këtu -, i thoja vetes.

- Po më duket se është një makinë që do kthehet në Tiranë -, më sqaroi dikur njëri prej bashkëbiseduesve, duke shtuar:

- Por ç’e do, e PS-së -, sikur të ishte fjala për një makinë lebroze. Ishte koha kur ata të PS-së shiheshin kudo si të Djallit, ndaj dhe dukeshin ndërkohë si të tulatur, ndërsa PD-ja si e kurorëzuar nga Zoti, por e një Zoti të egër biblik që nuk lejonte Zota të tjerë. Pra, sipas muhabetit që kishim shkëmbyer deri asaj kohe, i binte që ajo makinë e vetme drejt Tiranës nuk paskësh qenë fat për mua, tironsin, demokratin.

Në fakt mua më ndritën sytë nga lajmi. Këto budadallëqe, PD e PS nuk më bënin përshtypje, e aq më pak ato momente, kur doja të flija në shtëpi e jo rrugëve, aq më pak asaj kohe, kur dihej e dallohej qartë, se edhe PD-ja ishte nomenklatura e vjetër, në mos ata më të këqinjtë e saj. Ndaj nuk e fsheha gëzimin dhe demostrativisht u thashë, jo vetëm e PS-s të jetë, por edhe e Enver Hoxhës le të jetë, mjafton të ketë ndonjë vend të lirë e të më marrë!

Nuk kaloi shumë, kur ja dhe gazi i atyre të PS-s erdhi. Ngrejta dorën dhe ata ndalën. Për fat patën një vend të lirë. U nisëm e dolëm nga gryka e errët. Më tej ndriçonte akoma dielli. Diku në të majtë larg na përshëndeste Baba Tomorri e në të djathë ndonjë kasolle fshatari, nga ato të rejat të ngrejtura pa leje. Fillimisht qetësi, vetëm ndonjë muhabet i vogël njohjeje, si, qysh e tek.

- Emigrant i ambasadave, filmova kanionin e bukur të Osumit -, sqarova.

S’kishim bërë shumë rrugë, tek kishim dalë në një pllajë të bukur, nuk e di pse ndali gazi. Të kryente ndonjëri ndonjë nevojë, apo për të pirë ujë. Me atë rast unë përfitova, nxora kamerën dhe filmova nga larg malin e Tomorrit, ca pllaja të bukura dhe kasollen e fshatarit. Kjo lloj sjellje e imja e çliruar, duket u bëri paksa përshtypje, përderisa në rrugën e mëtejme edhe ata dukeshin si të çliruar. Nisën nga muhabetet e tyre të punës, kryesisht llogarira financiare në lidhje me fondet sorosiane. Kjo shuma për këtë aktivitet, kjo për këtë seminar, kjo për parrullat atje, kjo mungon këtu, çfarë është bërë atje, çfarë është bërë këtu, etj., gjëra të tilla të organizimit të jetës së partisë dhe forumeve rinore, që mua nuk e di pse s’më tërhiqnin fort mëndjen e nuk më kanë interesuar kurrë. Pra, tema e fondeve sorosiane vinte në veshët e mi pa interes, ndaj dhe nuk i mbaj mend hollësitë. Në fund të fundit, kjo temë nuk ka qenë ndonjë sekret, është folur nga shtypi sa s’ka ku të shkojë, biles deri sot disa shërbime interneti të qeverisë së Edit dhe shtetit shqiptar e deklarojnë hapur burimin financiar të mbajtjes së x- dhe y-shërbimi në sajë të ndihmës sorosiane. Pra, diku në dalje të Çorovodës ishte takimi im i parë me Sorosin në Shqipëri, një takim mondan e pa interes, as për ta paragjykuar.

Tani pas kaq vjetësh, unë po takohem sërish me Sorosin në Shqipëri, por në anën e kundërt të medaljes, apo siç thotë llafi i urtë shqiptar: dardha e ka bishtin mbrapa. Në vitet ’90 kjo ndihmë financiare e Sorosit dhe çdo ndihmë tjetër falas e ndihmoi shumë Shqipërinë e varfër dhe popullin me recka. Për këtë i duhet të jemi falënderues. Mirëpo këto ndihma hapën edhe dyert për gjithfarë kredish dhe specialistësh, të cilat po e shkatërrojnë këtë vend e popull. Çdo kredi e re që kërkohet tashmë, duhet të shkojë –siç edhe ajo në Greqi– për larjen e interesave të kredisë së kaluar, për pagesa specialistësh të huaj, e në fund për disa ndërhyrje në infrastrukturë (rrugët), të cilat favorizojnë turizmin dhe shkëmbimin e mallrave, nga përfitojnë shumë më tepër prodhuesit e huaj.

Ndërsa këta specialistë të huaj, kryesisht në lëmin e Drejtësisë, po të mbështetemi tek fjala e pro-perëndimorit më të zjarrtë shqiptar, të pro-anglo-saksonit më të flaktë arbëror, të pro-amerikanit e pro-gjermanit më të furishëm iliro-pellazg, Spartak Ngjelës, se ata janë kryesisht juristë amerikanë dhe gjermanë, dhe ata kanë ndihmuar në ngritjen dhe formulimin e legjislacionit të ri shqiptar, i bie atëhere se këta miq na e kanë futur sa krahu me qetësi  e dashuri. Në të kundërt nuk do të kishim këtë kushtetutë me rreth 10 herë shtesa të ndryshme përgjatë viteve, me rreth 200 nene, me rreth 800 pika (paragrafë), me mbi 1000 fjali, një roman më i madh nga –bie fjala– Dhëmbi i Bardhë i Xhek Londonit, i cili përmban qartë e bukur rregulla e norma kafshësh, nga të cilat mund të mësonin fare bukur edhe ligj-bërësit shqiptarë, sesi bëhet një kushtetutë!

Në të kundërt nuk do të kishim situata të këtilla, ku një kryeministër vendos është vetë kadi e vetë Ali për një Ligj të investimeve strategjike, për të shpënë në përplasje qeverinë qendrore me pushtetin lokal dhe të drejtat ligjore të këtij të fundit, për të vënë në kontradiktë ligjet e investimeve çfarëdo me këto që cakton Aliu-Rama, për të shkulur nga trojet mijëravjeçare banorë të zonave të bukura bregdetare! Në të kundërt do të kemi situata të këtilla, ku nuk kemi një emërim të qartë e të rregullt ligjor të një ministri të Jashtëm, por kemi një caktim divulgiv të tij nën emërtimin anti-etativ: delegim, i cili është e duhet të jetë i përkohshëm në kohë e i pjesshëm në aktivitet, çfarë nuk po duket në rastin konkret të delegimit që na bëri Aliu-Ramë!

Në të kundërt do të kemi djegien e mandateve në grup nga deputetët e një partie, pse jo dy të tillave, çfarë sërish legjislacioni shqiptar nuk e ka definuar qartë e saktë këtë fenomen të paparë e padëgjuar ndonjëherë! Në të kundërt do të kemi, siç edhe kemi, disa lloj ligjesh mbi tokën dhe pronën, të cilat kanë shkaktuar një kaos dhe padrejtësi juridike në subjektin e tyre, se lëre morale, po e po, duke përpasuar kështu vetëm ata që e kanë ndjekur problemin me miqësira, me gjyqe, me dokumenta, (këto të fundit shpesh të fallsifikuara), me të gjitha mënyrat proçeduriale të nevojshme e të panevojshme në posedim të pronës së caktuar, me të gjitha zëniet e grindjet, që mëndja e zemra e një njeriu pritës nga ligji nuk i bën dot, si i tillë edhe ka ngelur pa gjë fare, ndonëse njëri prej këtyre ligjeve mbi tokën e pronësinë e njeh edhe të urtin e të drejtin si trashëgimtar, qoftë dhe të pjesshëm!

Në lidhje me këtë ndihmë në lëmin juridik, që na kanë dhënë miqtë gjermano-amerikanë, në lidhje me këtë ndihmë në zhvillimin e marrëdhënieve e formave demokratike në vendin tonë, të bën përshtypje se nga njëra anë kemi rreth 1/3 e neneve të Kushtetutës së 1998 të ndryshuar, të hequr, të shtuar, e nga ana tjetër nuk kemi zbatimin e atij parimi themelor të demokracisë, që duan këta miq të huaj të zhvillojnë në Shqipëri, pikërisht marrjen e mendimit të shumicës së popullit për gjithë këtë pjesë të re të Kushtetutës!?!

E biles, edhe turmat popullore që komentojnë nëpër gazeta, që bërtasin nëpër rrugë e bulevarde të vendit për luftën kundër korrupsionit, vjedhjes, shpërdorimit të posteve, për vetingun, nuk e kërkojnë të drejtën e diskutimit dhe votimit të Kushtetutës së ndryshuar!?! Pse?!? Mos vallë këto turma nuk e duan ligjin?!? Apo mos këto turma janë thjesht një përfaqsi e vogël e këtij populli, thjesht nga ata që muarën tokat që u takonin me të drejtë në fshatrat e tyre, e më vonë iu sulën edhe tokave të të tjerve, si dhe atyre pa zot (shtetërore), e tash bërtasin për shtet të padrejtë?!? Mos ndoshta këtyre turmave u shkon më për shtat katrahura, se aty mund të grabisin sërish?!

Ja pra, ua përshkova shkurt si i njofta unë Sorosin, ndihmën për miqtë e tij shqiptarë, ndihmën e miqve të tij për Shqipërinë, që tashmë vendi dhe populli i shqiponjave të ecë i sigurtë në rrugën e demokracisë së tyre.   

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.