Bloomberg: Europa, kërcënim real për ekonominë botërore
"Pavarësisht shqetësimeve të ngritura nga lufta tregtare mes SHBA dhe Kinës, kërcënimi më i madh për ekonominë botërore duket të jetë Evropa”- thotë agjencia Bloomberg
Rënia e kërkesës është e dukshme në eurozonë në krahasim me vitin 2018, madje edhe lokomotiva gjermane po ndeshet me probleme, duke paralajmëruar një rrezik real që rritja ekonomike të arrijë në më pak se 1% këtë vit. Investitorët e kanë kuptuar këtë. Indeksi Euro i Bloomberg ka shkuar në nivelin më të ulët që nga mesi i vitit 2017, ndërsa aksionet evropiane në bursa kanë rënë.
"Ajo që më shqetëson tani është Evropa. Është e qartë se ekonomia kineze është ngadalësuar, por kanë në dispozicion shumë stimuj. Por në Evropë, situata po përkeqësohet"- tha Salman Ahmed, kreu i strategjisë së investimeve në Lombard Odier.
Shpenzimet konsumatore në Francë janë ulur, pas tronditjes nga demonstratat e "jelekëve të verdhë". "Nëse Franca pushon së konsumuar dhe Gjermania ndalon prodhimin, atëherë ky do të jetë një problem i madh për eurozonën"-thotë Ludovic Soumpran, ekonomist në Allianz.
Problemet nuk ndalen këtu. Shëndeti i bankave italiane është i pasigurt dhe Brexit mbetet pa zgjidhje. Zgjedhjet evropiane mund të sjellin në krye partitë anti-BE dhe kjo është duke shkaktuar shqetësime në sipërmarrje të caktuara. Goldman Sachs uli perspektivat afatshkurtra të eurozonës, edhe pse sheh përmirësim potencial më vonë këtë vit, për shkak të çmimeve më të ulëta të karburantit dhe politikës fiskale.
Add new comment