Etilda, njeriu i fundit i një qeverie humanoidësh
Ndoshta është postuar qëllimisht, ndoshta fotografi i ministrisë së Drejtësisë është femër dhe ka parë te kjo shkrepje Etildën jo ministren, ndaj edhe e ka hedhur në faqen e saj në Facebook.
Ministrja Gjonaj është ndoshta imazhi i fundit i njeriut normal në qeverinë e z. Rama, që përbëhet nga individë që jetojnë në turlinë e përditshme të prezencës mediatike, servilizimit ndaj shefit, recitimit formal të arritjeve të shkëlqyera të ekzekutivit, apo edhe përparimit të pandalshëm të Shqipërisë.
Etilda duket se bën përjashtim. Jo me fjalët e saj, sepse ato janë të njëjta, por me zërin dhe sjelljen si prej çupëline të ndrojtur ku edukata dhe sqima dominojnë nevojën për vetëpromovim. Apo mos vallë Etilda(si i flasin shkurt???) ka kuptuar se këtu qëndron forca e saj? Do të ishte padyshim maska më tërheqëse në një qeveri që është ballo me maska dhe qeska fytyrash të vrerosura që luftojnë për buxhetin e gjeneratës tjetër. Për sigurinë e sorollopit të tyre.
Kush mund ta besonte se në harmaqellon qeverisëse të z. Rama ka mbijetuar melankolia që shohim në sytë gati të përlotur të ministres së Drejtësisë? Kjo foto ka kaq shumë shprehje saqë duket tendencioze. Këndi i shkrepjes, sytë e prekur që shohin diku dhe mjekra që ka atë tendosjen e dallueshme para ngashërimit, krahas Stefan Çipës si sfondi që plotëson kontrastin mes Etildës së pambrojtur në një botë të egër politike, plotësojnë një kuadër të rrallë, një portret thuajse të huaj në peizazhin distopik të qeverisë.
Melankolia është në thelb një polemikë shpirtërore, e vetmuar me botën. Pse polemizon Etilda? Ajo e ka plotësuar veten me një detyrë të rëndësishme, apo edhe me një mision siç ka qejf ta cilësojë shefi i saj. E kemi parë kur në konferenca shtypi del me shkresa në dorë teksa përpiqet të mbrohet nga akuzat e shumta, sesi asaj i tretet profili i ministres për të lënë të shfaqet femra. Sesi del në kamera Etilda që është përherë e më e vogël sesa mali me letra që mban në duar, më e brishtë sesa fjalitë që duhet të përcjellë, si e prekur për së brendshmi dhe në luftë me rolin që duhet të luajë.
I keni parë fotografitë e ministreve të tjera të qeverisë së z. Rama? Atyre që janë e që ishin? Aksioniste të shekullit të 21-të, që qysh në albumin e dytë janë shndërruar nga vajza që duan të angazhohen për vendin, në gra fytyrëprishura që qeshin kuturu, zbardhin dhëmbët dhe aktrojnë trashë, flasin me të njëjtat fjalë me merakun se pultin në dorë e ka shefi dhe ai i shikon. Këto ministresha njëfarësoj po gjuajnë kryeministrin, pëlqimin e tij për punën e tyre, po konformohen ndaj shijeve të tija etike dhe regjimit të tij psikologjik. Si vallë i ka shpëtuar Etilda këtij despotizmi neurotik? Apo ajo po na mashtron të gjithëve me shikimin e saj?
Sidoqoftë, le ta lëmë veten për një çast të qetë. Le të lëshojmë nga zinxhirët naivitetin dhe sinqeritetin e ta pyesim ministren: Ka drejtësi apo jo? Këtu në Shqipërinë tonë, nën qeverinë ku ti bën pjesë? Na e thuaj! Nuk prish punë edhe nëse na gënjen. Ne do ta admirojmë çastin artistik të fotos dhe fytyrën e fundit njerëzore mes një grumbulli humanoidësh që duket se jetojnë vetëm për të shqyer diçka.
Shaptilografisti
Add new comment