Presidenti po inatos socialistët. Po a quhet kjo shkelje kushtetuese dhe cenim i unitetit kombëtar?
Doni të takoni një njeri që di mendimin e të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri? E gjeni një. Ky është Alfred Peza, ish-gazetar dhe drejtues mediash, ish-deputet dhe sot mesa duket editorialist vullnetar i Partisë Socialiste apo kryeministrit.
Zoti Peza ka publikuar sot një opinion që ka të bëjë me sjelljen e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, të cilin e nis me këtë fjali absolutizuese:
Që Ilir Meta po tenton ta drejtojë shtetin shqiptar si “Sekretar i Parë” i Shqipërisë pluraliste, këtë nuk e vë më në dyshim, askush
Nuk mjafton kjo fjali që ka nevojë për ta relativizuar disi në kuptim të objektivitetit, por zoti Peza vazhdon më poshtë me një tjetër afermacion që nuk dihet nga i buron:
Nga kjo e dielë, kur ai u përfshi si kurrë më parë në historinë postkomuniste të institucionit të Presidencës në debatin për projektin e ndërtimit të Unazës së Re të Tiranës, u kuptua se “drejtuesi më serioz i opozitës” shqiptare, ka dalë tashmë përfundimisht nga misioni i tij kushtetutes
Në fakt nëse sheh Kushtetutën e Shqipërisë, në nenin 92, pika h thuhet:
Presidenti… kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre
Nisur nga qëndrimi më i fundit publik i Metës për çështjen e Unazës së Madhe duket se ai ka konsumuar pak a shumë këtë tagër kushtetues: ka kërkuar të dhëna nga institucionet dhe ka përcjellë një qëndrim publik bashkë me thirrjen që projekti të anullohet. A po bën politikë elektorale Ilir Meta? Është budallallëk të thuash jo. Por a ka dalë nga misioni kushtetues? Nëse lexojmë Kushtetutën Jo. Më tej akoma. Projekti i Unazës nuk është një interes i posaçëm i socialistëve, demokratëve, socialdemokratëve, republikanëve etj., të cilit i ka dalë përpara kryetari de facto i LSI-së në cilësinë e Presidentit.
Ai është një projekt që ka për autoritet kontraktor një institucion të ekzekutivit në të cilin janë verifikuar shkelje shumë serioze. Është një projekt që në perceptimin e shumëkujt nuk ka marrë në konsideratë kërkesat e banorëve që referohen në nenin 41 të Kushtetutës.
Por duke lënë mënjanë këtë gjë, duhet të nënvizohet se qëndrimi publik i Presidentit për Unazën nuk ka karakter detyrues. ARRSH-ja nuk ka dalë deri më tani me një qëndrim për garën e shpallur, pra nëse kjo thirrje e Presidentit përbën pengesë apo jo. As Ministria e Infrastrukturës. Për atë ka reaguar kryeministri me frazat e zakonshme dhe të parashikueshme dhe Alfred Peza. Të dy flasin me të njëjtën gjuhë: Presidenti po vë në diskutim institucionin që drejton.
Nuk duhet të harrojmë se faktorizimi i Metës po kryhet duke iu përmbajtur instrumenteve kushtetues që një zyrë presidenti ka: kërkesa për informacion, qëndrime publike dhe mesazhe si dhe ushtrim i kompetencave për dekretimet. Zoti Meta ka kthyer disa ligje që janë shumë të rëndësishëm. Mazhoranca nuk ka marrë në konsideratë asgjë, por kjo ka tjetër vlerë në kushtet kur mungon Gjykata Kushtetuese ku mund të bësh ankimin final.
Arsyetimet e Presidentit, të publikuara në faqen e tij dhe pas çdo akti acarojnë kryeministrin sepse janë gjurmë e oponencës që i mungon sot shkëlqesisë së Tij nga Surreli; ato janë gjurmë edhe të një praktike që nesër do të referohet. Për mirë apo për keq.
Le të na përgjigjen: a ka gënjyer Presidenti në ndonjë pikë të qëndrimit publik të mbajtur për Unazën, pavarësisht vlerës apo legjitimitetit të atij qëndrimi?
Edi Rama dhe shokët e tij në media thonë se Meta po gabon, se ai po shkel Kushtetutën. Ndoshta është edhe kështu. Por këtë e certifikon tjetër kush.
E sigurtë është që ka një shumicë njerëzish, ose ka jo pak njerëz që janë të bindur që kjo qeveri po vjedh, po plaçkit, po grabit dhe dhunon. Në mes të ditës, pa u skuqur dhe zverdhur. Dhe këtë për fat të keq nuk ka nevojë për gjykatë që ta certifikojë. Sepse bindjet rrjedhin nga përvoja dhe hajdutëria është përvoja e parë që një qytetar merr në raport me këtë qeveri. Pse Ilir Meta i përmend këto përditë kjo nuk ka pse të lexohet si prishje e unitetit kombëtar.
Ndoshta ua prish humorin fakti pse këtë e bën Ilir Meta që është ai që e dimë të gjithë? Ta gëlltisin dhe t’u bëjë mirë. Madje të hanë edhe një lugë tjetër se u shkon të jenë të poshtëruar. Vetë e bënë president dhe vetë e thirrën në Aleancën për Shqipërinë Europiane.
Add new comment