Sulmet ndaj Ilir Metës nuk janë argument kundër qëndrimeve të Presidentit

Postuar në 11 Janar, 2019 21:36
Skerdilajd Zaimi

Ilir Meta është zgjedhur presidenti i Shqipërisë në vitin 2017. Mandati tij mbaron në vitin 2022. Deri atëherë Shqipëria ka formalisht dy palë zgjedhje: së pari janë zgjedhjet lokale të vitit 2019 dhe më pas zgjedhjet e vitit 2021. Ky është kursi normal elektoral. Partia e zotit Meta, pra Lëvizja Socialiste për Integrim, është rreshtuar krah PD-së në betejën opozitare, por nuk ka munguar që të bëjë pazare me socialistët në këshillat bashkiakë.

Kjo kronologji ka rëndësi për të shpjeguar një tezë të dalë nga pushteti i sotshëm që kërkon të bëjë me barrë Ilir Metën me ëndrrën e tij për të kapur drejtimin e opozitës. Kjo politikë in vitro, në të vërtetë ka si synim kryesor kompromentimin e veprimeve të fundit të Ilir Metës me ambiciet e tij politike që i mbivendosen tagrit presidencial. Në të vërtetë kjo tezë është interpretative dhe me qëllim çorientues, por nuk shpjegon kush e di çë.

Së pari ajo rreket të tërheqë vëmendjen nga fakti kryesor që është argumenti juridik i presidentit për propozimet e kryeministrit për dy ministra: Sandër Lleshajn dhe Gent Cakajn. Nuk është ndonjë mençuri as edhe qëndron si opinion të përsërisësh pafund se qeveria është punë ekskluzive e kryeministrit. Sepse qeveria funksionon në bazë të ligjit dhe kushtetutës dhe në hierarkinë e emërtesave ka ndërvarësi institucionale.  Dhe nga e drejtë ekskluzive e kryeministrit në privatizim ka një fill që e ndan e që duhet ruajtur mirë.

Ka një tjetër përpjekje për ta vlerësuar rolin e Presidentit thjesht dhe vetëm si ceremonial, ndërkohë që ai është i përcaktuar qartë si Kryetar I Shtetit. Këto të dyja nuk qëndrojnë pranë njëra –tjetrës. Ndonëse ky është një debat teorik dhe juridik për ekspertë ndoshta, duhet thënë se edhe formalisht, nuk mund ta detyrosh një njeri që të firmosë diçka jashtë vullnetit të tij. Aq më tepër për një dekret presidencial.

Më tej akoma, po të lëmë mënjanë përplasjen e sotme verbale mes Ilir Metës dhe Edi Ramës, mund të dallojmë një ndryshim në planin komunikues. Qoftë në rastin e mosdekretimit të Sandër Lleshajt, qoftë në rastin e refuzimit për Gent Cakajn, kreu i shtetit ka publikuar argumentet e veta. Shumëkush interpreton se ato nuk qëndrojnë, se ato janë artifica etj. Por qeveria nuk ka dhënë ndonjë kundërsqarim, as ka autorizuar ndonjë të tillë. Ajo ka ndërsyer mediat që i shërbejnë me gjithfarë opinionesh që kanë si emërues: Ilir Meta është pazarxhi ndaj edhe çdo gjë që bën ai nuk duhet parë në aspektin formal.

Kjo mund të shërbejë si terapi elektorale për militantët, por nuk kënaq debatin juridik që ka edhe ai rëndësinë e vet. Kjo ndoshta nuk i intereson Edi Ramës dhe qeverisë, jo pse argumentet mungojnë, por sepse ky lloj debati do ta legjitimonte Ilir Metën si korrekt në pozicionin e vet, edhe pse vendimet e tij mund të jenë të diskutueshme.

Problemin e rëndon mungesa e Gjykatës Kushtetuese për të cilën ka vetëm një përgjegjës: Edi Rama. Nëse kjo Gjykatë do të ishte në këmbë, askush nuk do të mund të interpretonte vendimet e Presidentit për dekretet, të cilat në fakt meritojnë një vëmendje edhe si kriter i sjelljes institucionale të presidentit në raport me emra të tjerë që janë dekretuar.

Presidenti kundërshtoi Sandër Lleshajn dhe Gent Cakajn. Por nëse shohim rastin e parë argumenti I tij detyroi qeverinë të korrigjonte elementët administrativë që e bënin zotin Lleshaj të papërshtatshëm. Në rastin e dytë, kundërshtimi i presidentit përkon me çudinë e madhe që kapi një pjesë të opinionit me zgjedhjen e Cakajt në Ministrinë e Jashtme. Emërimi i një ministri nuk është njësoj me punësimin e shërbyeses në shtëpinë e kryeministrit, që edhe kjo meriton një lloj skanimi. Emërimi i një ministri krijon sensibilitet dhe të thuash se kryeministri qeveri me atë që mendon ai sapo i ke dhënë shkelmin alibisë së republikës parlamentare.

Këtyre debateve tanimë i ka kaluar koha. Dhe këtë e dëshmon sulmi personal ndaj Presidentit të cilit po mendohet që t’i vihet emri i Ilir Metës si njollë përsipër. Nëse këtë lojë të humbur nervash do ta materializojnë me nismën e shkarkimit, atëherë janë po këta që duket se po i shërbejnë Metës që të rihyjë në skenë me të tjera atribute. Sepse e vërteta është se Ilir Metën e faktorizoi aty ku e faktorizoi Edi Rama dhe trillet e tij. Asgjë më shumë. Absurdi i këtyre gjoja analizave e vendosin të njëjtin njeri, pra Metën, njëherë si pazarxhi me pushtetin, e njëherë tjetër si aktor që po lufton për të marrë opozitarizmin.  

Është thjesht reagimi i një të pamësuari me mjetet e republikës parlamentare. I një kryeministri që nuk ka më durim të dëgjojë, por do vetëm të dirigjojë dhe t’u bjerë veglave po vetë. Është dikush që nuk e kupton dot vlerën e komunikimit shkresor dhe institucional të argumenteve. Ndaj edhe preferon tuiterin, ironinë dhe Arjan Çanin në Zonën e Lirë. Nëse Ilir Meta është pazarxhiu, atëherë padyshim që Edi Rama është kllouni. Mjafton të kujtojmë këtu se edhe Sali Berisha, të cilin zoti Rama që bën gargarë me përparimin e ka etalon të rrumpallës, për të shkarkuar Theodhori Sollakun krijoi një Komision Hetimor sepse mjetet e sistemit nuk mund të anashkalohen. Ndoshta zoti Kryeministër mendon se Baton Haxhiu është mekanizëm i sistemit, se fjala e tij vetë po ashtu ka vlerën e autoritetit, se madje edhe statuset e tij në tuiter vlejnë më shumë se vendimet e gjykatave.  Nuk duam të ekzagjerojmë, as paragjykojmë, por me këto sjellje zoti Rama krijon përshtypje se e beson veten si misionar, se ai është “rruga, drita dhe e vërteta”. Është mirë që dikush ta pickojë që të zgjodhet. Për të mirën e tij.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.