Njerëzit e Vitit 2018
Mediat kanë rendur këto ditë të nxjerrin njeriun e tyre të vitit. Mes çmimeve që shpiken natë e ditë bie në sy fytyra e zakonshme e politikanëve që kanë bërë të pamundurën për Shqipërinë, apo që kanë qenë më marifetçinjtë e 2018-ës.
Në fakt duhet konsideruar suksesi si kriter dhe nëse ka një të tillë në Shqipëri, ky është Klement Balili. Ish-drejtori i Transportit të Sarandës, zyrtar i dikurshëm i LSI-së, pronar i shumë pronave, thuhet se është shpallur në kërkim prej kohësh. Por a është vërtetë kështu? Mesa po shohim jo, pasi e ashtuquajtura latitancë siç i thonë në Itali, nuk ka funksionuar në vendin tonë. Nuk ka ndonjë person të kërkuar, me kaq lidhje biznesi dhe politike që të jetë fshehur kaq gjatë. Sigurisht që Balili nuk mund të qëndrojë duke pirë kafe në baret e Bllokut në Tiranë, por lënia e lirë e tij është çështje politike më shumë sesa policore. Ne pamë gjatë këtij viti që qevria që po rilind Shqipërinë bëri disa ndalime të bujshme, për të cilat ka dyshime të qëndrueshme se kanë qenë të detyruara nga të huajt të cilët kanë vënë në dispozicion prova dhe kërkesa të qarta.
Pak muaj më parë, në kohën e ndryshimeve në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, kryeministri Edi Rama theksoi qartë për drejtorin Ardi Veliu se kapja e Balilit duhet të ishte prioritare pa pritur një deklaratë kritike të ambasadës së SHBA për këtë çështje. Në fakt ditët ikën dhe kjo çështje u harrua.
Balili u konkurua denjësisht për një moment nga Albert Veliu, i njohur si Babalja që vuri në siklet të madh qeverinë e z. Rama. Për audiopërgjimin e këtij të fundit kryeministri deklaroi para të gjithëve se kishte garanci se ishte i rremë, ndërkohë që e vërteta u provua ndryshe. Zoti Rama madje foli edhe për një konspiracion kundër qeverisë së tij, por në fakt këto janë ëndrra që zhgënjejnë edhe të zotin.
Balili dhe Veliu për pak sa nuk humbën pozicionin me Avdiol Dobin e DH Albania, një ish-recepsionist që mashtroi shtetin shqiptar për një tender prej 18 milionë eurosh.
Në vend të fundit do të zgjidhnim Prokuroren e Përgjithshme Arta Marku e cila i ka qëndruar besnike traditës së mos bërit asgjë në krye të një organi që përndryshe do të kishte tronditur bazat e qeverisjes.
Teatri i njerëzve të vitit nga politika dhe shou bizit nuk qëndron në një vend ku e përditshmja ka për protagonistë këta njerëz që në fakt janë lënda e parë.
Add new comment