Një profesionist i zhgënjimit
Qeveria e re e Shqipërisë do të ketë vetëm një person politik: kryeministrin Edi Rama. Erjon Braçe që bashkëngjitet si zv.kryeministër është aty si një lloj kundërpoli që kompenson tëhujaëzimin e plotë që ky cabinet ka jo vetëm me vendin dhe qytetarët, por edhe me vetë Partinë Socialiste. Dy ministra të rinj, në arsim dhe në politikën e jashtme, vijnë nga Kosova. Po si teknicienë të preferuar të kryeministrit dhe jo si njerëz që kanë mëtuar karrierë politike.
Të tjerët që zëvendësojnë ministrat e ikur janë po aq të panjohur. Regjia qendrore që dokumenton mbledhjet e z. Rama mishëron më së mirë konceptin e tij për qeverisjen e vendit. Duhet thënë se edhe ministrat e ikur, me një përvojë të paktën 12 vjeçare në jetën politike, nuk dëshmuan të kishin instinktin e politikanit, sa kohë që është evident fakti se asnjë prej tyre nuk kishte pikasur një ndryshim të këtillë. E vetmja çfarë mbetet është ose ata do të presin t’u rivijë sërish koha, ose do të veprojnë. Duhet patur parasysh se z. Rama ka tanimë në mendje projektin e një rinovimi të vetë PS-së që do ta mbushë me të preferuarit e vet, aq sa edhe FRESSH-in ka menduar ta shpërbëjë në një nga degëzimet e shumta që përfaqësojnë rininë. Ai u ankua edhe për Forumin e Gruas të cilin e zhbëri sa hap e mbyll sytë.
Akte të tilla manifestojnë krizën e tij personale në raport me skandalet e njëpasnjëshme që kanë sjellë detyrimisht mosbesim dhe cenim të autoritetit. Ka disa të vërtetë që dihen publikisht dhe askush në atë sallë nuk e beson më Kryeministrin kur flet. Ata dëgjojnë me veshët e kalkulimeve dhe mendojnë me peshën e frikës. Nga kjo pikëpamje vetë PS-ja është në krizë ekzistence pas një procesi të gjatë erodues ndaj institucioneve të saj. Ajo duhet t’i përshtatet humorit dhe ankthit të kryetarit, e paaftë deri më sot të reagojë siç duhet. Të paktën si një organ kolegjial. Zoti Rama ka monopolizuar paranë që lëviz në të gjitha degët e qeverisjes, duke nisur nga kryebashkikaët e deri te farkëtimi i karrierave. Kjo është ndoshta forca, por edhe dobësia e tij, pasi tanimë është e qartë: ky është një kryeministër më së paku haluçinant. Që nga njëra anë shpall se ka qeverisur me të vetët si askush më parë, nga ana tjetër ankohet për ministrat e vet.
Sa për raportin me qytetarët kjo qeveri e re më keq se kaq nuk ka ku të shkojë: mungesa e prezantimit politik të saj e bën të pakuptimtë edhe kërkesën e llogarisë. Fundja ekspertët ecin me modele dhe me statistika, ata në këtë formë e organizojnë edhe debatin. Të paaftë për të vendosur lidhje me shqetësimet konkrete, në përgjithësi, po si kryeministri Rama, këta ekspertë do të na referojnë raporte dhe të dhëna kur të ankohemi se ka varfëri. Se punët shkojnë mirë sipas INSTAT kur të ngremë zërin se në fakt nuk është ashtu. Por këtë do edhe zoti Rama. Ai statistikën e ka alibi të realitetit që do të na imponojë edhe ne të tjerëve. Është çështje kohe largimi i këtij njeriu që i hëngri shumë kohë të çmuar Shqipërisë(një pjese të saj) që e besoi si pak të tjerë. Dhe që si askush tjetër e zhgënjeu me të gjithë aftësinë e vet.
Add new comment