Një luan ka sot Europa...

Postuar në 24 Dhjetor, 2018 22:01

Zyra e shtypit e Kryeministrit ka shpërndarë sot një shkrim me autor Struan Stevenson, një zyrtar i angazhuar për çështjet iraniane, që shkruan për vendimin e Shqipërisë për dëbimin e diplomatëve iranianë. Titulli tingëllon si zilkat e slitës së babagjyshit të Vitit të Ri: Edi Rama i ka treguar Europës mënyrën se si duhet të sillemi me banditët e terroristët iranianë.

Duke bërë një përshkrim të situatës politike të Iranit, autori, një lobues që ka si punë të nxisë aksione kundër regjimit iranian, shkruan:

Kryeministri shqiptar Edi Rama i ka treguar botës se vendi i tij nuk toleron t’i bien në qafë tiranët e Teheranit. Ai i doli me guxim punës në krye duke shpëtuar refugjatët iranianë nga vdekja pothuajse e sigurtë në Irak, në një kohë kur asnjë shtet tjetër i BE-së nuk ishte i përgatitur të jepte ndihmë, nga frika se mund të humbisnin kontrata fitimprurëse me mullahët  iranianë. Edhe një herë Edi Rama i ka treguar Europës mënyrën se si duhet të sillemi me banditët e terroristët iranianë. BE duhet ta ndjekë këtë shembull dhe t’i mbyllë ambasadat e Iranit, të cilat janë qeliza terroriste

Sigurisht që lexuesi joshqiptar që lexon këto fjalë, ngazëllehet për këtë kryeministër trim që i ka vënë gjoksin terrorizmit dhe që ka korrigjuar dëshminë e dobësisë që tregoi me armët kimike siriane. Por për lexuesin shqiptar, ky shkrim vjen me tjetër qëllim. Ai do të mashtrojë me idenë se z. Rama është një njeri i vlerësuar në Perëndim për guximin e treguar në politikën e jashtme duke implikuar në fakt Shqipërinë në çështjet komplekse iraniane dhe ato të Lindjes së Mesme, me një përfitim të vetëm: rritje e imazhit të kryeministrit.

Por a duhet ta besojmë ne këtë? Aspak. Dhe ka arsye objektive.

Së pari, z. Rama vazhdoi një politikë të nisur nga Sali Berisha që pranoi I pari një grup muxhahedinësh iranianë të MEK, gjithnjë duke ndjekur komedinë që i shkon kaq shumë këtij vendi: presim muxhahedinët që i ikin regjimit terrorist iranian, ndërkohë që vetë MEK klasifikohet si organizatë terroriste. A nuk ishin muxhahedinët e Al Qaedas dikur luftëtarë të lirisë?

Së dyti, kjo politikë është thjesht dhe vetëm një automat në duart e Shtëpisë së Bardhë e cila ka kthyer sytë nga Shqipëria, apo kryeministri i saj vetëm kur ka patur halle të ngjashme me këto. Muxhahedinët iranianë që jetojnë në Shqipëri nuk heqin dorë nga aktiviteti i tyre politik. Mërgata e qyqeve iraniane në Tiranë jeton nën presionin e një sigurimi iranian që ka të gjithë të drejtën të vëzhgojë aktivitete kundër shtetit të cilat po zhvillohen në Shqipëri.  Por largimi i diplomatëve iranianë që ndodhi së fundmi është kërkesë e partnerëve të Shqipërisë dhe si e tillë është masë radikale. Alibia se ambasadori iranian ishte një ndër organizatorët e një atentati në Shqipëri ndaj skuadrës izraelite është e paprovueshme për shkak se nuk është e qartë se çfarë përfitimi do të sillte një gjë e tillë për Iranin.

Një vend i cili ka ndërtuar një rezidencë serioze në Tiranë, ndonëse kjo e fundit ambasadorin e vet nuk e ka rezident. Po kështu Irani investon jo pak në evidentimin e lidhjeve historike mes të dyja vendeve, ndaj është pakujdesi amatoreske të ekspozosh ambasadorin në aktivitete që siç u tha kërcënojnë sigurinë kombëtare. Jehona e veprimit të Shqipërisë në fakt provon të kundërtën: dëbimi ishte një kërkesë dhe politikë e tjetërkujt. Sikundër ishte i tillë edhe largimi i dy diplomatëve rusë, pas disa deklaratave skandaloze dhe qesharake të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë e cila ndërsa në Britani vijonin hetimet, shpallte zyrtarisht fajtore dhe përgjegjëse Rusinë për çështjen “Skripal”.

Gjithësesi duke pranuar se ka gjëra që nuk mund të bëhen publike, ne duhet të ruajmë sytë dhe mendjen nga mjegulla propagandistike e qeverisë e cila një akt që mund të kuptohet mes partnerëve, e shet në media qëllimisht bashkë me përlavdërimet shoqëruese vetëm e vetëm që politika shtetërore të mos mbetet thjesht dhe vetëm e tillë, por të kanalizohet si kapital për imazhin e liderit të shquar Edi Rama. Nuk është fyerje shpresojmë për askënd nëse themi se vetëm femrat e kanë kaq të theksuar maninë për t’u dukur përmbi çdo mani tjetër. Por ndoshta kryeministri ka kuptuar para të gjithëve se çfarë është politika dhe mesa duket po përpiqet të mos mbetet në vend të dytë. Vendi i shqiponjave nuk e meriton numrin dy…

Comments

Submitted by Prostituta Komb... (not verified) on

Fatkeqesia e Shqiperise... shqipfolesit si ky!

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nuk ka nevoje per shume argumenta. Shqiperia eshte cuar ne ate grade, (dhe kjo si nga "ndihma" e aleateve tane perendimore ashtu edhe nga "ndihma" e vete ketij populli kaq krijues), sa do beje gjithshka ti thone padronet e saj jashte, mjaft te marri disa ndihma ne valute.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.