Lufta që ribëri trupin e njeriut*

Postuar në 17 Dhjetor, 2018 02:33
Stefanos Geroulanos - New York University/Todd Meyers - New York University Shanghai

 

Festimet e 100 vjetorit na kutojnë se Lufta e Parë Botërore, Lufta që do i jepte Fund të Gjitha Luftërave, përfundoi një shekull më parë. Por në fakt nuk është kështu. Ajo u shtri në pjesën më të madhe të Europës dhe vazhdoi të jetonte në psikën e dërrmuar të ushtarëve të kthyer në shtëpi. Për disa historianë, Lufta e Madhe dhe Lufta e Dytë Botërore së bashku, formojnë një “erë të katastrofës”, apo qoftë edhe një luftë të vetme me një pushim të madh. Lufta e Parë Botërore inauguroi gjithashtu një ndryshim të thellë përtej politikës, në një mjedis të fshehur nga gazetaria apo edhe historia politike dhe ushtarake. Lufta e Madhe ribëri vetë trupin e njeriut.

Doktorët që identifikuan këtë trup të ri panë një organizëm që organizon, rregullon, integron veten, por që ishte gjithësesi i brishtë. Ai përkufizohej nga brishtësia e varrosur nën lëkurë. Mund të shkatërrohej lehtësisht dhe të punonte madje edhe kundër vetes. Numri i madh i të plagosurve dhe trupave të sakatuar u mundësuan doktorëve të krijonin lloje të reja mjekësie, psikologjie dhe psikiatrie. Duke bërë kështu, ata po ashtu ndihmuan në përpunimin e një gjuhe të re të politikës dhe shtetit social.

Sugjerime të këtij koncepti të ri të trupit ishin prezantuar para luftës, por kur dhjetëra mijëra ushtarë u kthyen prej saj me lëndime të dukshme e të padukshme, zemra të çrregulluara dhe psikë të thyer, ata detyruan që edhe mjekësia të ndryshonte.

Përpjekjet prioritizuese në shërbimin e urgjencës në fushëbeteja ishin përshpejtuar dhe normuar dhe i gjithë fronti ishte kthyer në diçka që i ngjante një laboratori gjigand mjekësor për testimin e ideve dhe terapive të reja. Shumë ushtarë, të cilët vetëm pak dekada më parë, do të kishin vdekur nga plagët e marra, tani u mbijetonin atyre. E gjitha kjo ndryshoi natyrën e marrëdhënies mes kirurgëve, mjekëve, psikiatrëve dhe pacientëve. Bashkë me mbijetesën u shfaqën edhe patologji të panjohura më parë. Ndryshoi edhe mënyra sesi shkencëtarët e mjekësisë flisnin për pacientët: ata tani e përshkruajnë trupin e pacientit si një të tërë dhe e sqarojnë me hollësi sesi ai pëson kolaps, sistem pas sistemi, kur preket nga copëza bombash apo shpohet nga plumbat.

Deri rreth viteve 1900, psikologët e trajtonin trupin mbi kritere të pjesëve, apo organeve: stomaku, mushkëritë, muskujt, sytë. Me zbulimin e hormoneve në vitin 1905, dukej se rajonet e trupit bashkoheshin. Kërkimi për to hapi rrugën e studimeve mbi proceset, përmes të cilave trupi rregullonte veten. Pionerë të tillë si Walter B Cannon në Shkollën Mjekësore në Harvard dhe Ernest Starling nga Kolegji Universitar në Londër shpjeguan këtë rregullim në bazë të evlucionit njerëzor. Gjatë miliona vjetëve, lëngjet, reflekset nervore dhe emocionet ishin tranformuar duke ndihmuar trupin njerëzor të përshtatej së brendshmi, duke zhvilluar përgjigje më komplekse ndaj kërcënimeve të jashtme.

Lufta e amplifikoi këtë bashkëbisedim të integrimit: shpërndau dhe varrosi plagë thellë në mish. Aty nga viti 1916, studiuesit anglezë dhe amerikanë ishin të hutuar nga mënyrat e pangjashme të vuajtjes dhe vdekjes së pacientëve. Shumë shkencëtarë krijuan histori shteruese pacientësh – Elmer E Southard në Boston shkruajti një libër 1000 faqësh me rreth 600 prej tyre – që nuk mund të kuptoheshin lehtësisht përmes tërësisë së çrregullimeve që njiheshin dhe pranoheshin deri më atëherë. Një editorial në “The Lancet” në vitin 1916 ankohej se në fushat e Francës Lindore ishte hapur një shfaqur një “tokë e askujt” për mjekësinë.

Kompleksiteti i simptomave të pacientit tradhëtonte nevojën për mënyra të reja të menduari për efektet në nivel të mbarë trupit. Tre skuadra të ndarja garuan për të kuptuar një gjendje që ata e quanjtën  eventualisht “shoku i plagës”. Në shokun e plagës trupi reagonte ndaj lëndimit me një forcë kaq të madhe saqë e kthente qoftë edhe një humbje minimale gjaku në një katastrofë në nivel sistemi.

Në Britaninë e Madhe, Trupa Mjekësore e Ushtrisë Mbretërore, ngriti komitet pas komiteti, regjistroi të dhëna nga Fronti dhe mori parasysh mendimet e këtyre teoricienëve të rinj të rregullimit dhe integrimit të trupit, për të ndihmuar në shpjegimin e ndryshimit mes përvojave të pacientëve. Një pacient, i plagosur në mënyrë të tmerrshme në stomak, mund të mbijetojë; një tjetër, i lënduar më lehtë në kofshë, do të vdiste prej shokut. Pse sillet kështu trupi?

Psikologët ofruan një formë të thjeshtë kujdesi dhe një teori të komplikuar. Disa fotografi që na vijë nga ajo kohë, paraqesin ushtarë të fashuar dhe të mbuluar me tri batanije të palosura. Çfarë kishte më shumë rëndësi nuk ishin fashot, por batanijet që ngrohnin njeriun e plagosur. Pse? Si i përgjigjej traumës kjo formë e thjeshtë e qetësimit të përzgjedhur të trupit?

Për “Komitetin e Shokut” në Londër, batanijet ishin thelbësore në ndalimin e një rrethi vicioz të nxitur nga trupi i plagosur, që e fshihte gjakun në kapilarë për të ndaluar rrjedhjen e tij nga këmba e plagosur. Duke bërë kështu, shprehej Komiteti, trupi ulte presionin e gjakut, por atëherë, i kapur në të ftohtin e akullt të betejës, shihte i pafuqishëm sesi sistemi i vet respirator, endokrinal dhe qarkullues kapej në kurthin e një temperature të ulët që çonte në një presion edhe më të ulët.  Teksa secili prej sistemeve binte në kolaps për mungesë të gjakut, ata ndihmonin aktivisht njëri-tjetrin për të ndaluar së funksionuari. Ishin kaq të ndërthurur së bashku, saqë reagonin(dhe dështonin) së bashku. Zbulimi i përmasës së integrimit sistemik ndryshoi pyetjen; a punonin sistemet trupore në sintoni për shkak se çdo thyerje mund t’i çonte ato drejt shkatërrimit dhe dezintegrimit?

Ndërkohë neurologët gjermanë dhe britanikë  bënin të njëjtën pyetje për dëmtimet trunore: si e “rehabilitoni” një ushtar që mezi ka mbijetuar, ka humbur shumicën e ndjesive të tija, mund të bëjë detyra konkrete, por nuk mund të llogarisë apo të abstragojë prej tyre, nuk mund të imagjinojë të ardhmen? Pse dy ushtarë me dëmtime thuajse identike trunore shfaqin sjellje kaq të ndryshme? Neurologët Kurt Goldstein në Frankurt  dhe Henry Head në Londër(kryeredaktor i revistës “Truri”) flakën një shekull kërkime mbi afazinë(humbja e aftësisë për të kuptuar dhe folur gjuhën) duke deklaruar se çfarë kishte më shumë rëndësi sesa dëmtimi, ishte mënyra sesi truri i pacientit kompensonte për këtë humbje. Neurologët i kalonin pacientët e tyre në teorinë e “shtratit të Prokrustit” më tepër sesa t’i vëzhgonin, duke u provuar ide të reja shumë e shumë herë, derisa gjetën mënyrë për t’i përmirësuar.

Pacientë të ndryshëm kompensonin në mënyrë të ndryshme dhe shfaqnin përmirësime të papritura. Kapacitetet e tyre të kufizuara mund të sistemohen në një Vete të re, sikurse me pacientët që pësonin shok; çdo rast me dëmtim të trurit ishte i ndryshëm – secili vuante si një individ, ndaj secilit duhej një qasje e tillë, individuale, përmes vlerësimit mjekësor. Ajo që mbetet kaq shumë interesante, shqetësuese dhe thelbësore ishte prirja drejt riintegrimit të trupit që mbeti e paparashikueshme dhe e pangjashme mes individëve të ndryshëm. Kompensimi apo vetë-integrimi, kapaciteti i një trupi për të absorbuar  forma  të ndryshme të lëndimit dhe dëmtimit, për të punuar rreth tyre, për të rikalibruar marrëdhënien drejt një mjedisi të jashtëm social dhe mjedisit të brendshëm të psikologjisë vepruese të një trupi, u dëshmuan si kruciale. Ndjekja e procesit të rehabilitimit i detyroi neurologët si Goldstein që të njihnin sesi formoheshin marrëdhënie të reja brenda dhe rreth trupave të këtyre njerëzve. Integrimi do të thoshte se këta pacientë, shumica të rinj, do të ndryshonin dhe adaptoheshin, apo nuk do të mund ta bënin një gjë të tillë dhe shumë shpesh do të vdisnin.

Kirurgu francez Rene Leriche deklaroi në vitin 1939 se disa pacientë kishin nevojë për një “kirurgji të dhimbjes” që të lehtësonin apo ndryshonin dhimbje të caktuara që i dobësonin për shkak të përgjigjes së tyre ndaj plagëve të vjetra. Leriche ndau zhgënjimin e tij të mprehtë për kujdesin mjekësor të kohës, bindjen e tij se dhimbja e pacientëve nuk ishte adresuar:

Jam i bindur se thuajse gjithnjë, ata që vuajnë, vuajnë thuajse po aq sa edhe thonë se vuajnë dhe se nëse ne vlerësojmë dhimbjen e tyre me vëmendjen që duhet, do shohim se ata vuajnë në të vërtetë më shumë sesa ne imagjinojmë. Ka vetëm një dhimbje që është e lehtë për t’u duruar: është dhimbja e të tjerëve.

Ndjesia se vuajtja ishte përherë origjinale  u përhap shpejt. “Sa mahnitëse”, shkruajti Virginia Wolf në esenë “Mbi të qenit i sëmurë”(1926), “kur dritat e shëndetit fiken, shfaqen vendet e pazbuluara”.

Psikiatrët – përfshirë Sigmund Freud si më i famshmi dhe më tej akoma, W H R Rivers – nxituan drejt këtyre vendeve të pazbuluara, duke përzierë këtë pacient të individualizuar me kërkimin antropologjik dhe fiziologjinë, drejt një lloji të ri të psikoanalizës. Nga ana e vet, Wolf ankohej se literatura ishte obsesionuar me mendjen, por “gjithë ditën trupi ndërhynte; mpirje apo acarime, çelje apo zverdhje… Krijesa brenda…nuk mund të ndahet nga trupi si thika nga milli apo bizelja nga lëkura as për një çast të vetëm”. Ajo shkruajti për dominimin e pandërprerë të “nxehtësisë dhe të ftohtit, rehatisë dhe parehatisë, urisë dhe kënaqësisë, shëndetit dhe sëmundjes, derisa vjen katastrofa e paevitueshme; trupi e copëton veten në cikla dhe shpirti(siç thuhet) arratiset”.

Ndonëse funksionalë kur ishin  të shëndetshëm, trupat ishin përherë në prag të implozionit. Për vite të tëra pas luftës, shkencëtarët dhe doktorët teorizonin për mënyrën sesi të pajtonin kolapsin me mekanizmat e stabilitetit trupor. Goldstein zhvilloi një teori të shëndetit, dëmtimit dhe katastrofës: pacienti me tru të dëmtuar kishte nevojë të trajtohej nga afër për vite, madje dekada, të mbahej brenda një mjedisi të kufizuar ku të mund të çonte një jetë pa abstraksione dhe të shmangte ankthin e thellë dhe situatat ‘katastrofike’.

Farmakologu Henry Dale tregoi sesi histamina, ndonëse natyrale dhe e dobishme për trupin, mundet gjithashtu ta helmojë atë. Dale shpalli se zbulimi i tij shërbeu si një model për atë sesi trupat tanë e mbrojnë dhe po ashtu e dëmtojnë veten. Një dekadë pas përfundimit të luftës, Cannon krijoi teorinë ndikuese të homeostazës. Për të shpjeguar se përse trupat tanë jetojnë jetojnë në mënyrë të rehatshme edhe pse ata “janë bërë nga material jashtëzakonisht i paqëndrueshëm”, ai përkufizoi sistemet komplekse që brenda kufijve shumë strikt, e mbanin në kontroll këtë materal. Vetëm këto sisteme mund të shmangin katastrofën. Mjekësia duhet të çmonte tani këtë kompleksitet dhe duhet të zbulonte, nëse thellë brenda një trupi, apo në sjelljen e përgjithshme të pacientit, sesi këto sisteme dhe integrimi i tyre shprehnin historinë individuale të pacientit.

Në skemën e vet të përgjithshme kjo ide e secilit pacient që është një individ, ka ardhur deri në kohën tonë. Ne presim që doktorët tanë të trajtojnë sëmundjet tona si tërësisht tonat, çdo pacient më vete, i ndryshëm nga çdo pacient tjetër. Ne kërkojmë që ata të kuptojnë sistemet komplekse fizike që përbëjnë trupat tanë, por që edhe të na dëgjojnë dhe shërojnë. Për mjekësinë e shekullit të 19-të pacientët kanë qenë më shumë të ngjashëm sesa të ndryshëm nga njëri-tjetri. Ideja udhëheqëse e mjekësisë asokohe ishte sanksionimi i ligjeve, ndërtimi i trupit, si një makinë, përtej pjesëve përbërëse dhe kurimi i tij duke hequr çdo pengesë. Pas Luftës së Parë Botërore, integrimi mori rolin kryesor. Praktika mjekësore ndryshoi për të ndjekur një kurs më njerëzor, në të cilin dhimbja e një pacienti përfaqëson çrregullim të thellë që minon vetveten dhe shkatërron jetën e vet.

Shumë shkencëtarë të njohur në vitet ’20 u kthyen në socialistë: Rivers kandidoi me Partinë Laburiste në Britaninë e Madhe; Cannon mbronte Marrëveshjen e Re në SHBA; Goldstein u torturua nga nazistët për mbrojtjen që bëri për llogari të Bashkimit të Mjekëve Socialistë. Shumë shprehën mbështetje për mjekësinë sovjetike, sepse ata besonin se individualizmi kërkonte mirëqënie sociale. Ata nuk menduan në motot liberale të përpunuara në shekullin e 19-të, as në termat racialë apo evolucionistë.

Çfarë shpjegon atëherë madhështia e evolucionit për vuajtësin kur ai përballet direkt me mjekun? Përkundrazi: si individë në shoqëri, vetëm një trup i integruar siç duhet mund të garantojë një person të shëndetshëm. E megjithatë ai mbetet një garant i tmerrshëm, i brishtë dhe kapriçoz.  Roli i doktorit ishte i qartë: ndihmo trupin të këmbëngulë. Nga vitet 1930, edhe psikiatrët po ashtu, që nga Alexander Luria  në Moskë te Karl Lashely në Çikago dhe Carl G Jung në Zyrih, nisën të flasin për “integrimin e personalitetit individual”, si një çështje kyçe e kujdesit psikiatrik.

Kuptimi i ri i mjekësisë si një sfidë për të ruajtur dhe balancuar një ekuilibër natyral delikat, imponoi shumë shpejt ndikimin e vet në politikë, p.sh duke rigjallëruar metaforën antike të “trupit politik”. Nga viti 1920 politikëbërësit, ekonomistët dhe sociologët gjetën tek integrimi një zgjidhje metaforike për modelimin e rendit social dhe atij ndërkombëtar. Në vitin 1918, teoricieni i politikës, Leonard Hobhouse filloi të shkruante “Teorina Metafizike e Shtetit” me një analogji të re të “trupit politik”:

Sikurse si në trupin fizik është ushqimi që na intereson, ndërsa proceset e shëndetshme vijojnë pa qenë ne të vetëdijshëm për to, ashtu edhe një shoqëri, në të cilën çdo gjë punon siç duhet dhe në përputhje me opinionin e pranuar të asaj çfarë është e drejtë dhe e duhur, nuk shtron pyetje për anëtarët e vet

Për t’u “shëruar” Europa kishte nevojë të integrohej më mirë. John M Keynes përdori këtë gjuhë të integrimit dhe paqëndrueshmërisë për të hapur veprën e tij: “Pasojat ekonomike të Paqes”(1919), për të theksuar “natyrën e paqëndrueshme, të komplikuar, të pabesueshme dhe të përkohëshme të organizimit ekonomik” të Europës Perëndimore.

Autorët e Traktatit të Versajës, vijonte ai, kishin gënjyer veten duke injoruar këtë “themel të rremë prej rëre” dhe tani Traktati do të “kompromentohej më tej, kur mund të kishte ringritur organizimin delikat dhe të komplikuar, tashmë të shkundur dhe thyer nga lufta”.

Mendimet e Keynes rreth paqëndrueshmërisë dhe organizimit të komplikuar, rreth pasjes së “tepricës në dorë”, i bënë jehonë jetës së shoqërive europiane, duke i besuar organizimit ekonomik. Ai i trajtoi shpresat politike dhe qëllimet si derivative dhe kishte keqardhje për kapacitetin e çorganizimit ekonomik për të përfunduar shkatërrimin e nisur nga çregullimi i isistemit të kohës së luftës. Të tjerë ekonomistë ishin më të qartë – Wilhelm Ropke foli për hormone dhe vitamia të ekonomisë në “Dizintegrimi Ekonomik Ndërkombëtar”(1942). Shkencëtarë si Marcel Mauss, Talcott Persons, Bronislaw Malinowski dhe Claude Levi-Strauss po ashtu përdorën idenë e trupit të brishtë, të integruar në kërkimet e tyre.

Fiziologët erdhën në vëmendje: Canon analizonte se njësoj si trupi njerëzor në kushte stresi, edhe trupi politik, me t’u mobilizuar do të “unifikohej, integrohej dhe për një qëllim të vetëm: vetë – ruajtjen”. Liria njerëzore, përfundonte ai, nuk ishte një çështje e efikasitetit, por e një sigurie që lejonte për lirinë e veprimit, një “hapësirë sigurie”. Historiani amerikan Lewis Mumford, e rikuperoi këtë model të shëndetit trupor në vitin 1944, në kushtet e “ndryshimit të rrethanave” për të përshkruar kushtin njerëzor dhe për të mbrojtur fuqinë liberale të SHBA-së. Pas vitit 1945, mbrojtja nga doktorët e individit të plagosur dhe në kolaps u kooptua me dëshirë nga një politikë agresive e Luftës së Ftohtë që ishte në ankth për brishtësinë e Perëndimit përballë një monoliti të presupozuar sovjetik.

Krijimi gradual i shteteve të mirëqenies sociale në Europë, e ndoqi po ashtu këtë ideal mjekësor: jo vetëm trajtim për sa më shumë të jetë e mundur, por një njohje e faktit se çdo pacient do të ndjekë pak a shumë një shteg të ndryshëm përmes këtij shteti. Në Britani, Raporti Beveridge i vitit 1942 propozonte përdorimin e një sistemi përfshirës të sigurimit social për të luftuar kundër sëmundjeve sociale – “pesë gjigandët” e “Dëshira…, Sëmundja, Injoranca, Pisllëku dhe Plogështia”.

Kjo sipas raportit kërkonte një aleancë të re mes shtetit dhe individit ku secili të kujdesej për trupin e tjetrit. Shteti premtonte ndihmë dhe siguri në këmbim të shërbimit dhe i çliroi njerëzit që të bazoheshin në të. Megjithatë në mendimin mjekësor dhe atë të kujdesit shëndetësor, pacienti individual i hapi rrugë kërkesës për përgjithësim dhe përsëritje mes subjekteve. Nga vitet ’70, shtetet sociale për të cilat fiziologët kishin ëndërruar se do të krijonin kujdes shëndetësor të individualizuar, në të vërtetë kritikoheshin rëndom për standardizim. Mbrojtës të antimjekësisë, antipsikitaër revolucionarë dhe ideologë neoliberalë, të gjithë protestonin se shteti social po i mohonte pacientit ndihmën që meritonte dhe e krahasonin atë me të plagosurit në luftë, apo të internuarit në kampet e përqendrimit.

Shumë prej tyre citonin mjekët e brezit të Luftës së Parë Botërore – Goldstein, Cannon, Starling – kundër shtetit social për të cilin ata kishin ndihmuar që të zhvillohej.

Është e vështirë të mos i ndjesh jehonat e kësaj të shkuare edhe sot. Mjekësia integruese vazhdon të shtyjë për konceptualizime më të gjera të të gjithë trupit si të tillë në praktikën mjekësore. Mjekësia e personalizuar përdor genetikën, terapinë genetike dhe faramakoterapinë parashikuese për t’i dhënë formë trajtimit dhe parandalimit rreth një pamjeje të posaçme neoliberale të pacientit që presupozohet se paraprin dhe udhëheq fatin e vet. Terapia angazhuese dhe ajo fizike konsumojnë sasi të jashtëzakonshme pune klinike dhe konceptuale për të ndihmuar individët që të pajtojë realitetet konjitive dhe fizike me kërkesat e botës së vet. Shteti social që priret drejt përfshirjes sa më të madhe të qytetarëve në skemat e veta mjekësore, përplaset përherë e më intensivisht me realitetet e tregut mjekësor, kërkesat për zgjedhje dhe urgjencat për ndihmë individuale dhe shërim.

Ndërkohë pacientët po mbështeten përherë e më shumë në kërkimet online dhe aplikacionet që promovojnë një vetëdiagnostikim të shpejtë, të rehatshëm, por krejtësisht të de-personalizuar. Por ndoshta më i dukshmi është filli që bashkon së bashku pasojat e dëmtimeve nga Lufta e Parë Botërore deri më sot. Humbje e gjymtyrëve, paaftësim permanent, dëmtime traumatike të trurit, ndryshime sjelljeje të asociuara me to dhe sfida e riintegrimit në shoqërinë pas dëmtimeve të dhunshme, të gjitha mbeten po aq kritike edhe sot(nga Sana’a në Halet dhe Çikago). Nga fundi i LIB-së, mjekësia ka transformua termat me të cilët ne kuptojmë trupin njerëzor, duke e deklaruar atë si një entitet të brishtë të vetë-integruar. Sot ne pyesim se çfarë drejtimesh mund të marrë ky kuptim.

Burimi: Aeon

Titulli dhe përshtatja shqip: ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.