E gjetën edhe Gjykatën Kushtetuese!
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2018/11/image_2018_11_23_14.jpg?itok=psEFqKXB)
Në sqarimin që qeveria po i bën situatës te Unaza e Re dhe vendosmërisë për të prishur pa dëmshpërblim shtëpitë e disa banorëve që preken nga gjurma e projektit është përfshirë edhe Gramoz Ruçi, enturazhi i vjetër i Partisë Socialiste.
Ky personazh del në skenë sa herë e majta Socialiste kërkon t'i prezantohet popullit si një forcë që ka në arsenalin e saj, figura fjala e të cilëve zë vend, sepse në këtë rast flet Partia. Ja çfarë ka deklaruar Gramoz Ruçi në Libofshë për banorët e Unazës që protestojnë kundër prishjes së shtëpive.
"Ato që janë legalizuar do të dëmshpërblehen, ndërsa ato që nuk janë legalizuar do t’u gjendet zgjidhja dhe hapësira sa e lejon ligji. Qeveria e PS nuk mund të shkelë ligjin”, u shpreh Ruçi.
Është cinike të thuash që qeveria e PS nuk mund të shkelë ligjin, madje fyese dhe poshtëruese kur ligjin ua tregon si Demokleu vetëm hallexhinjve që shteti i ka çuar mandatën se do i nxjerrë në rrugë. E para z Ruçi që është edhe kryetar parlamenti nuk ka pse mbledh militantët socialistë të Libofshës për t'u folur për Unazën, duke injoruar apo anashkaluar ballafaqimin me banorët që protestojnë.
E dyta, kush është Ruçi që mund të japë garanci nëse kjo qeveri mund të shkelë ose jo ligjin? I vetmi institucion që mund ta thotë këtë është Gjykata Kushtetuese. Aq më tepër që kjo qeveri për nga rekordet e paligjshmërisë, sidomos për çështje të pronësisë është e diskretituar. Mjafton të kujtojmë ligjin fantazmë për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, të cilin parlamamenti i drejtuar nga zoti Ruçi e miratoi qorrazi, ndonëse presidenti kishte renditur një mori shkeljesh Kushtetuese.
Ndaj dhe mesazhet e Ruçit drejtuar banorëve të Unazës së Madhe që përkojnë edhe me daljen e tij në ERTV, janë bataku i një protagonizëmi që zoti Ruçi e ka përqafuar nga Rilindja. Organizata në fjalë e përkthen veten në garanci Kushtetuese dhe sovrane edhe kur negocion interesa kombëtare edhe kur akuzohet se është në shërbim të interesave private.
Add new comment