Larg taksave të Tiranës, prirje e biznesit për t'u zhvendosur në Kamëz
Rreth 32 biznese janë shpërngulur në pak vite nga Bashkia e Tiranës në atë të Kamzës, kryesisht biznese fasone. Tema TV shkoi në njërin prej këtyre bizneseve, pronarët e të cilit jashtë kamerave deklaruan se shpërngulja e tyre është bërë për shkak të taksave të larta vendore. Ndonëse në kryeqytet taksat vendore variojnë sipas zonave, në Kamëz, sipas zv.kryetarit të bashkisë, Artan Dervishi, ato janë të njësuara. Kjo bën, sipas tij, që tarifa totale që paguajnë bizneset ndaj Bashkisë së Tiranës është 3-fish më e lartë se në Kamëz.
“Në qoftë se ne jemi 3 mijë biznese të vogla dhe gati 150 biznese të mëdha që operojnë sot në Kamëz, do të theksoja që tarifat që variojnë për kategoritë detyruese janë nga 26 mijë – 40 mijë lekë të reja. Krahasuar me të njëjtin aktivitet, në zonën e Tiranës janë tre herë më të larta”, thotë Dervishi.
Shpërngulja e bizneseve është bërë në mënyrë graduale në këto 3 vite që bashkia e kryeqytetit drejtohet nga z.Veliaj. Ky emigrim i bizneseve të mëdha i ka kushtuar bashkisë së kryeqytetit rreth 13 mijë vende pune. Ndërsa sipas zv. kryetarit të Bashkisë Kamëz, ky vakum i gjetur në Tiranë është plotësuar në bashkinë e tyre pasi Kamza ka një mesatare të moshës së qytetarëve 4 vjet më të re.
“Duhet të theksoj se Kamza ka një specifikë në raport me të gjithë republikën. Ajo gëzon aktualisht një moshë mesatare 4 vjet më të re se mesatarja e përgjithshme e në shkallë vendi, gjë që krijon lehtësira për këto biznese për të gjetur krah pune dhe për t’i motivuar politikat më të mira të punësimit në këto aktivitete fasone”, shprehet Dervishi.
Ndërkohë, në prag të dimrit, ku emergjencat për shkak të përmbytjeve mund të jenë të nevojshme, zyrtarët e Bashkisë së Kamzës ankohen se pushteti qendror nuk u ka dhënë asnjë fond për të vendosur në punë grupin e zjarrëfiksve.
TemaTv
Add new comment