PD në merak për kasat fiskale
PD është shfaqur sot shumë e shqetësuar për dëmin që sipas saj do t’i shkaktohet biznesit nga ndërhyrja në kontrollin e faturimit dhe gjurmimit të pagesave duke akuzuar qeverinë se po vepron në të njëjtën mënyrë si me konçesionin e monitorimit të pikave të basteve.
Në qendër të sulmit të opozitës ishte sërish vëllai i kryeministrit të cilin PD e lidh me konçesionin e TVSH-së 3-vjet më parë, denoncim që nuk u provua asnjëherë nga PD.
Edhe kësaj rradhe PD thotë se kriteret e tenderit për monitorimin e tatimeve janë përcaktuar për llogari të një firme kroate, lidhjet me të cilën sipas opozitës do të zbulohen së shpejti, por pa dhënë më shumë detaje.
Sipas PD, e cila bëri këtë denoncim një ditë pasi u mbyllën ofertat e pranimit për kompanitë pjesëmarrëse, tenderi që detyron biznesin të transmetojë në kohë reale për çdo shitje nuk duhet të zbatohet pasi heq nga qarkullimi kasat fiskale dhe shton kostot e biznesit.
Nga ana e saj Drejtoria e tatimeve e ka argumentuar se sistemi i ri do të krijojë nga biznesi te tatimet, fatura me numër unik identifikimi për çdo produkt të shitur dhe do të përmirësojë sistemin aktual i njohur si Platforma Nexus, i cili transmeton vetëm totalin e xhiros dhe numrin total të kuponëve të printuar nga çdo pajisje fiskale një herë në ditë.
Po ashtu Tatimet thonë se thonë se pasi të zbatohet sistemi i ri, tatimpaguesit nuk do të ketë kosto shtesë dhe as nevojë për ndryshimin e kasave, pasi ato thjesht do të përshaten me sistemin e ri. Tenderi me vlerë 1.9 miliardë lekë është shpallur që në fillim të muajit gusht nga Agjencia Kombëtare e Shërbimit të Informacionit, e cila gjatë qeverisë Berisha është drejtuar pikërisht nga Endri Hasa, deputeti i PD që sot bëri denoncimin në krah të Jorida Tabakut.
Add new comment