Ditë prove në Kosovë
Dita e sotme pritet të jetë një moment prove për Kosovën e për pasojë edhe për rajonin tonë. Tensionet e ditëve të fundit, artificiale ose jo, do të shpjegohen sot përmes akteve apo mosveprimit, për të zbërthyer kështu drejtimin nga do të ecet në të ardhmen dhe drejtimin që do të ketë dialogu Prishtinë-Beograd. Në pasditen e ditës së djeshme, Departamenti Amerikan i Shtetit doli me një deklaratë në të cilën duket se nënkuptohet një lloj miratimi për idenë e korrigjimit të kufijve që është adoptuar së fundmi nga presidenti Kosovar, Hashim Thaçi.
Normalizimi i plotë i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është thelbësor për qëndrueshmërinë rajonale. Normalizimi po ashtu do t'iu hapte rrugë të qartë të dyja vendeve drejt anëtarësimit eventual në Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës. Tani është koha që palët të jenë kreative dhe fleksibile
thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit, cituar nga gazeta “Zëri”.
Kreativiteti dhe fleksibiliteti janë cilësi të domosdoshme në arritjen e një kompromisi, që po kërkohet prej kohësh nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. A do të ketë realisht korrigjim kufijsh apo kemi të bëjmë vetëm me retorikë? Presidenti Thaçi pretendon shumë kur deklaronte dje se Kosova do të kërkojë në dialogun me Serbinë edhe bashkimin me Kosovën të Preshëvës dhe Luginës së saj, por pa sqaruar se në këmbim të çfarë do ta kërkojë një gjë të tillë. Z. Thaçi flet për ëndrrën e bashkimit, por nisma të tilla që retifikojnë 400 km kufi siç tha ai, nuk mund të jenë çështje ëndrrash dhe dëshirash.
Por në këtë lojë të hapur prej tij, duket se ai sintonizon me homologun serb, Vuçiç. I cili dje pasdite, pra vetëm pak orë pas në Beograd të mblidhet Këshilli i Sigurisë, ka publikuar një letër të hapur për serbët e Kosovës.
Nesër është dita e fundit e caktuar nga BE për institucionet e vetëqeverisjes së përkohshme në Prishtinë që të përfundojë adoptimin e Stautitt të Asosacionit të Komunave Serbe, bazuar në Marrëveshjen e Brukselit.
…të gjitha paralajmërimet dhe dyshimet që kam shprehur gjatë gjithë kohës janë vërtetuar. Prishtina nuk do të lëvizë as gishtin për krijmin e Asosacionit.
Të dashur serbë! Ju lutem mos ndërmerni asnjë veprim në mënyrë që individë mes shqiptarëve apo në pjesë të komunitetit ndërkombëtar dta përdorin si justifikim për të ndërmarrë çdo akt kundër jush.
…Të dashur qytetarë, për këto arsye paqja është interesi ynë më I madh. Sfidat që janë përpara për ne kërkojnë që ne të qëndrojmë mbi mosmarrëveshjet, manipulimet dhe fushatat e qëllimshe të disinformimit. Për këtë arsye, u kërkoj dhe ju ftoj që të mos bini pre e provokimeve, të reagoni ndaj të gjitha sfidave paqësisht, në një mënyrë të qytetëruar dhe dinjitoze, ndërkohë që ne do të jemi të angazhuar për t’ju siguruar të ardhmen në ato zona përmes metodave politike.
Serbia është sot e gatshme që të përmbushë detyrimet ndaj jush dhe të mbrojë jetët tuaja dhe paqen nëse është e nevojshme. Serbia nuk do të lejojë dhunën e organizuar ndaj serbëve dhe vendeve të tyre të shenjta, apo persekutimin e tyre.
Më tej akoma, ruajtja e paqes në provincën tonë jugore është gjithashtu detyrë primare e misionit KFOR dhe NATO-s, nga të cilët pres dhe kërkojë që të ruhet paqaja duke ndalur çdo përpjekje të mundshme, të çdokujt nën çdo pretekst, që të marrë nën kontroll HEC e Gazivodes. Stacionin energjetik të Valac…
shprehet ndër të tjera Vuçiç.
Letra në fjalë flet për paqen por aludon për aksione ushtarake nëse në Kosovë do të ketë një valë dhune siç duket se ka informacione presidenti serb. Me gjasë kriza eventuale në Kosovë, do të përcaktojë edhe të ardhmen politike të Vuçiç që duket se është në momentet kryesore të karrierës së tij, kur duket se në Kosovë po vendoset e ardhmja. Ajo që është e qartë dhe e konfirmuar është dështimi i komunitetit ndërkombëtar dhe dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja që nuk arriti të shmangte mbërritjen në këtë pikë retorike mes të dyja vendeve.
Add new comment