Gjykata Kushtetuese mbetet me vetëm dy anëtarë

Edhe Gani Dizdari, anëtar i Gjykatës Kushtetuese është larguar nga sistemi i drejtësisë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka shkarkuar gjyqtarin për shkak të pasurisë dhe kontakteve me persona të inkriminuar.
Dizdari është gjyqtari I fundit i Kushtetueses që i nënshtrohet vettingut dhe me largimin e të cilit ajo kalon zyrtarisht në kolaps. Vetëm dy anëtarë të Gjykatës në fjalë ja dolën përpara KPK-së, Bashkim Dedja që është kryetari dhe Vitore Tusha si anëtare. Si pasojë e vettingut janë larguar ish-anëtarët e Kushtetueses Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxhaj.
Dizdari u dogj për shkak se nuk justifikon pasurinë dhe për të pretendohet se ka të dhëna edhe për lidhje të tij me botën e krimit. Ai ka deklaruar se posedon një apartament banimi me sipërfaqe 95.7m2, me burim privatizimin e një banese shtetërore, blerë në 1994 për të cilin sipas KPK-së nuk ka pasur burime të mjaftueshme financiare.
Ai ka deklaruar edhe një apartament banimi në Gjirin e Lalzit me sipërfaqje 86 m2 e blerë në 2013 me vlerën 3 milionë e 300 mijë lekëve, një tokë are në Mjull/ Bathore e blerë në 2009 dhe një apartament të blerë në vitin 1998 nga ish-bashkeshortja, për të cilin s’ka patur burime. Dizdari gjithashtu figuron se ka 4 llogari bankare.
Ai nuk ka deklaruar as në ILKDPI dhe as në Vetting, dhurimin e mbi 10 mijë eurove për t’u kuruar në Gjermani.
Të gjithë këta elementë kanë penalizuar gjyqtarin në fjalë që lë kështu sistemin e drejtësisë me një njollë mbi vete. Duhet thënë se sistemi po goditet dhe po kalon në paralizë për shkak se vettingu nuk ka ecur me ritmet e duhura duke mbajtur peng konstituimin e organeve të reja që janë tashmë në shkelje të afateve.
Add new comment