1 vit kohë për të zgjidhur ndëshkimin e korrupsionit në nivele të larta
Një vit kohë ka Shqipëria për të treguar prova konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të paktën ky ishte pretendimi i Holandës dhe Francës, dy prej vendeve që kundërshtuan hapjen tani të negociavate të anëtarësimit me vendin tonë.Qeveria e ka hedhur topin e përgjegjësisë sa te opozita të cilën e etiketon esadiste, aq dhe te mosmarrëveshjet e brendshme në gjirin e BE-së.
Përtej faktin se mund të jetë një kompleks faktorësh që çuan në këtë vendim, aq më tepër që e njëjta praktikë është ndjekur edhe me vende si Kroacia, Serbia, apo Mali i Zi, burime informale thanë për ResPublica se qeverisë shqiptare i është kërkuar të çojë pas hekurave të burgut zyrtarë të niveleve të lartë, përfshi dhe politikanë.
Flitet për një kërkesë konkrete nga BE për qeverinë shqiptare, çka nuk konfirmohet zyrtarisht, por precedenti është i ngjashëm me atë të Kroacisë, e cila mori ftesën për anëtarësim vetëm pasi burgosi ish-kryeministrin Ivo Sanader. Kjo ka ndodhur edhe me Rumaninë. Nga qeveria nuk kemi ende një parashtrim si do ta zgjidhë ajo çështjen e goditjes së korrupsionit në nivele të larta, aq më tepër që kjo duhet të ndodhë brenda një viti. Rekordet janë negative po të kemi parasysh çështjen Tahiri.
Ndërsa vetë qeveria vazhdon të ushqejë publikun se po kalon nëpër dallgë të vështira që s’kanë të bëjnë me përgjegjësitë e saj, por me paqartësitë e vetë BE-së.
Add new comment