Paralajmërohet episodi II i dëshmisë së Albert Veliut. PD-ja heq dorë nga përgjegjësia e transmetimit
Gazetari Jetmir Olldashi që ka marrë përsipër se ka kryer investigimin ku protagonist është vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe shtetasi Albert Veliu, ka paralajmëruar sot për materiale të reja. Në një konferencë për shtyp, ai ka bërë të ditur se jo çdo gjë është transmetuar nga PD-ja duke njoftuar kështu një pjesë të dytë që do të përcillet nga emisioni “Ajsberg”.
Gazetari zbuloi sesi kishte vënë në jetë skenarin që kishte për qëllim të provonte implikimin e Agron Xhafajt në trafikun e drogës dhe pohoi se këtë investigim e kishte kryer në bashkëpunim me Albert Veliun. Por ky i fundit në videodëshminë e publikuar nga PD mohoi të kishte dijeni për përgjimin madje, duke aluduar se atë e kishte bërë vetë Agron Xhafaj.
Gjithsesi burime nga PD-ja thonë se në materialet që janë në qarkullim, Veliu përmend edhe personat të tjera që shkojnë më lart se ministri i Brendshëm, por të cilat kësaj radhe, PD-ja, duket se nuk ka pranuar që t’i përcjellë nën përgjegjësinë e vet siç ndodhi me përgjimin e Agron Xhafajt.
Mbetet për t’u parë se kush janë personat që do të përmenden, ndonëse tanimë dëshmia dhe pretendimet e Veliut janë objekt i hetimit penal nga Prokuroria.
Add new comment