Videogame nga PD, “Hakmarrja e Babales”
Partia Demokratike kaloi në nivelin e dytë të “videolojës” politike në funksion të një axhende të paqartë, ku goditja është e përqëndruar te ministri i Brendshëm. Pas publikimit të audiopërgjimit që ka mbetur ende pa autor dhe refuzimit të Xhafajt për të dhënë dorëheqjen, selia blu ka publikuar këtë të enjte një intervistë me “dëshmitarin x”, i cili thotë se është ai personazhi që bisedon me Agron Xhafajn, vëllain e ministrit dhe se biseda e tyre ishte për transport kanabisi.
Albert Veliu i vetëprezantuar me nofkën “Babalja” konfirmon autenticitetin e bisedës dhe thotë se me grupin e Agron Xhafajt ka trafikuar kokainë në vitin 2002 dhe se biseda e 4 muajve më parë ishte për të vënë në provë vëllain e ministrit nëse mund ta ndihmonte për të bërë një rrugë kanabisi.
Në dëshminë e tij personazhi me nofkën “Babalja” thotë se iu drejtua Partisë Demokratike si intitucioni më i besueshëm dhe flet për lidhje të Agron Xhafajt me shefin e Krimeve të Vlorës dhe struktura të policisë lokale.
Nga një audiodëshmi, PD kaloi në një videodëshmi si provë e implikimit të vëllait të ministrit në afera droge. Por pyetjet që ngrihen janë të shumta lidhur me këtë aksion të opozitës. Kush është autori i audiopërgjimit? A e kanë servirur atë shërbimet partnere apo është bërë nga njerëz të opozitës? Varianti i fundit i servirur përmes gojës së “dëshmitarit x”, pra “Babales” është se audiopërgjimi është kryer nga vetë Agron Xhafaj. Për në opozitë që ka si axhendë vetëm interesin publik, prova themelore është transparenca e gjithë burimeve të saj, jo vetëm informative, por edhe financiare. Partia Demokratike refuzon ta bëjë këtë gjë, duke pretenduar të shkarkojë një ministër me një audiopërgjim dhe videodëshmi që ka shumë anë të errëta.
Shqipëria nuk është një vend normal, ku ministri mund të japë dorëheqjen sepse u vonua në mbledhje apo sepse bleu një verë të shtrenjtë dhe kësisoj çdo pretendim për standarde morale duhet të nisë pikësëpari nga opozita që pretendon të marrë nesër drejtimin e vendit për të qeverisur me transparencë.
Nuk e dijmë ende nëse opozita është e përdorur në këtë histori dhe luan me ndërgjegjie të plotë rolin e një kamikazi politik në përfitim të një rruge të lehtë bashkëqeverisje në të ardhmen.
Add new comment