Argalisje politike me Prokurorinë
Këtë të mërkurë qarkulloi një letër që ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj i ka dërguar Prokurorisë për të thirrur si dëshmitarë Sali Berishën dhe Lulzim Bashën nisur nga deklaratat e tyre për 613 kilogramët e kokainës të kapura në Durrës dhe garancitë e supozuara politike që u janë ofruar nga qeveria trafikantëve.
I konsideruar deri më tani si burokrat i matur, Fatmir Xhafaj ka rrëshqitur në një protagonizëm të panevojshëm, tipik i profilit të Taulant Ballës dhe mënyrës për të kundërsulmuar me retorikë politike dy nga figurat qëndrore të opozitës.Më e shumta ministri mund të kishte shfrytëzuar ndonjë konferencë shtypi për të komentuar akuzat, por përdorimi i prokurorisë për argalisje politike nuk i shërben as zotit Xhafa dhe aq më tepër Prokurorisë në këtë rast.
Një shfaqje e panevojshme për një ministër që para se të ulet të shkruajë batuta politike, ka detyrën e vështirë të heqë nga trupa e policisë njollat e një qeverisje 4-vjeçare të mpleksur keq me kanabizimin, ku shteti u provua se kishte rol.
Deklaratat e Berishës apo Bashës mund të jenë të tepruara, pasi në Shqipëri është bërë zakon të flitet pa fakte dhe prova, por e shkuara e afërt tregoi se avionët e Divjakës nuk ishin mushkonja, pavarësisht qesëndisjeve të kryeministrit dhe ish-aleatit të tij. Dhe zoti Xhafa është në dijeni të këtyre denoncimeve që u faktuan me zë dhe me figurë siç parapëlqen të thotë kryeministri. Me letra të kësaj natyre nuk hiqet as njolla e policisë dhe as pastrohet biografia e një qeverie që u ekspozua si mos më keq në çështjet e drogës.
Add new comment