Qark i shkurtër për ekstradimin e Nezar Seitit
Ekstradimi i Nezar Seitit i njohur ndryshe edhe si financieri i grupit të Habilajve është bërë në anashkalim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe vendimit të Gjykatës që e ka lënë atë në arrest me burg. Ky është përfundimi i verifikimit që ka bërë Prokuroria e Përgjithshme me urdhër të kryeprokurores, Arta Marku. Në njoftimin zyrtar ngarkohet me përgjegjësi Prokuroria e Krimeve të Rënda se nuk ka informuar për vendimin e masës arrest me burg dhënë nga Gjykata e Tiranës për Seitin.
"Prokuroria e Përgjithshme, Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, nuk ka patur asnjë informacion në lidhje më procedimin penal ndaj shtetasit Nazer Seitaj nga Prokuroria Për Krime të Rënda. Aktet e vetme që ka disponuar kjo drejtori janë aktet që kanë lidhje me procedurat e ekstradimit të shtetasit Nazer Seitaj, në funksion të drejtësisë italiane"- thekson njoftimi i Prokurorisë.
Firma për ekstradimin e Nezar Seitit u hodh nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj pak ditë më parë në përgjigje të kërkesës së autoriteteve italiane. Ministria në argumentimin e saj tha se u bazua për firmosjen e ekstradimit në procedurat e Prokurorisë së Përgjithshme. Ky vendim ngjalli dyshimet se Ministria e Drejtësisë ka hequr nga duart e Prokurorisë së Krimeve të Rënda një dëshmitar kyç për çështjen e Habilajve ku nën hetim është edhe ish-ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri.
Këtë e përforcon edhe më shumë fakti se Tahiri nuk është mes të proceduarve nga Prokuroria e Katanias, e cila ka dërguar për gjykim Mosi Habilajn dhe disa anëtarë të grupit. Gjithsesi Prokurorja Marku ka kërkuar hetim disiplinor për disa institucione në varësi duke i kërkuar medias që të jetë vigjilente për përgjegjësi që në fakt i takojnë Organit të Prokurorisë dhe institucioneve shtetërore. Megjithatë media e ka bërë punën edhe më parë kur ka raportuar vendimin e Gjykatës për lënien në burg të Nezar Seitit edhe pse Prokuroria bën të paditurin.
Add new comment