Kontrolli mbi borxhin, qeveria pajton konsulent
Qeveria ka vendosur të pajtojë një konsulent privat për t’a këshilluar se si të menaxhojë financat dhe më konkretisht borxhin publik, që vazhdon të mbetet në nivele të larta. Ministria e Financave është gati të paguajë 83.3 milionë lekë të reja, ose afro 630 mijë euro në vit për një shërbim të tillë.
Shqiptarja.com raporton se tenderi i konsulencës ishte shpallur fillimisht më 12 tetor të këtij viti, por u shty për në datën 30 tetor, për shkak të mosparaqitjes së asnjë oferte. Pas një shtyrjeje tjetër, gara, sipas burimeve të ministrisë, ka përfunduar më 23 nëntor, por në Buletinin e radhës të Agjencisë së Prokurimit Publik nuk publikohet asnjë fitues i këtij tenderi.
Borxhi publik ka shkuar nga 66.82% e Prodhimit të Brendshëm në fund të 6-mujorit, në 69.11% të PBB-së në fund të muajit shtator, kryesisht si pasojë e shpenzimeve që u bënë me nxitim në fushatën elektorale.
Për vitin 2018, sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave, do të bëhen 9.4 miliardë lekë pagesa për koncesionet, ose 70 milionë euro. Kjo shumë është 30 për qind më e lartë se këtë vit, kur fatura e koncesioneve në shpenzimet buxhetore llogaritet me 7.1 miliardë lekë. Këtë vit financohen 12 koncesione, nga 8 që ishin llogaritur për financim. Koncesionet e reja janë ndërtimi i Rrugës së Arbrit, koncesioni i mirëmbajtjes në Rrugën e Kombit, Ndërtimi i Inceneratorit të Tiranës dhe ndërtimi i shkollave në Bashkinë e Tiranës.
Si FMN ashtu dhe Banka Botërore kanë kërkuar që efektet e koncesioneve në llogaritë fiskale dhe borxhin publik të pasqyrohen në mënyrë transparente dhe sipas praktikave ndërkombëtare.
Add new comment