SHBA, drejt anullimit të rregulllores për neutralitetin e internetit

Postuar në 18 Korrik, 2017 09:23

Komisioni Federal për Komunikimet në SHBA është duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të rregulloreve që garantojnë neutralitetin e internetit, parim i cili detyron ISP-të që të lejojnë akses të plotë dhe të pakushtëzuar të përdoruesve ndaj çdo përmbajtjeje dhe pavarësisht burimit. Rregullorja u miratua në vitin 2015, por atë e kundërshtojnë firmat e komunikacionit, ndërkohë që e mbështesin kompanitë teknologjike si Google dhe Facebook. Kompanitë e komunikacioneve deklarojnë se ato janë për internetin e hapur dhe neutral, por sipas tyre rregullorja e vitit 2015 nuk merr parasysh tregun dhe kostot, duke eliminuar mundësitë e konkurencës dhe investimeve të reja.

Miliona komente janë bërë për mbrojtjen e rregullores, por sipas kreut të Komisionit Ajit Pai, “më shumë sesa numri i komenteve ka rëndësi përmbajtja e tyre”. Me këtë ai ka ndërmend komentet e kompanive si AT&T dhe Verizon që kërkojnë eliminimin e rregullores, por jo të shumicës së ISP-ve që e kundërshtojnë atë.

https://www.reuters.com/article/us-usa-internet-idUSKBN1A20W0

Pai ka deklaruar se ajo që po ndodh me kundërshtimin që i bëhet vendimit të komisionit, është një reagim bazuar mbi hipoteza. Sipas tij edhe para vitit 2015, kur rregullorja nuk ekzistonte, interneti ka qenë i lirë ndërkohë që rregullorja me përkufizimin e kompanive që sigurojnë transmetimin si “transmetues të zakonshëm” e ka rënduar pozitën e tyre.

Ky është një debat që në thelb më shumë se argumentet zbulon një luftë ndikimi për të ndryshuar internetin siç e shohim sot. Grupimi që mbron me forcë rregulloren dhe parimin e neutralitetit të rrjetit, “Free Press”, ka publikuar disa raste kur ISP të ndryshme e kanë shkelur atë përpara se në fuqi të hynte rregullorja. P.sh në vitin 2005 një ISP, Madison River, bllokoi shërbimin e thirrjeve mbi internet, Vonage. Komisioni ndërhyri pas ankesave, por atij i mungon autoriteti për të ndalur sjellje të tilla.

Në vitin 2005, ISP-ja më e madhe në SHBA, Comcast nisi bllokimin fshehtas të përdorimit të teknologjive peer to peer që përdorej nga klientët mbi rrjetin e saj. Në vitin 2007, Associated Press dhe Electronic Frontier Foundation zbuluan se Comcast po vepronte në këtë drejtim duke bllokuar ose ngdalësuar aplikimet për shpërndarjen e materialeve pa ua bërë të ditur këtë klientëve. Një teknikë e tillë aplikohet edhe në Kinë, ku interneti është nën kontrollin e shtetit.

Rast tjetër i njohur është ai i AT&T, që në vitet 2007-2009 detyroi Apple që të bllokonte Skype dhe të tjera shërbime thirrjeje zanore mbi internetin që shfaqeshin si aplikime në iPhone. Këtë fat pësoi edhe Google Voice.

Në vitin 2011 MetroPCS, kompania më e madhe asokohe e sigurimit të wifi, njoftoi planin e saj për të bllokuar ekzekutimin e videove mbi 4 G nga të gjitha burimet përveç Youtube.

Rasti më domethënës që flet se është fjala vetëm për para dhe asgjë më shumë nga ana e kompanive është ai i Verizon në vitin 2012, kur Komisioni verifikoi se kompania po bllokonte klientët e saj në të drejtën e përdorimit të aplikimeve mobile ndërlidhëse. Verizon i kërkoi Google që të hiqte nga tregu i Androidëve 11 aplikime të kësaj natyre që u lejonin përdoruesve të kthenin celularët e tyre në burim interneti, duke i shpëtuar tarifës 20$ të Verizon.

https://www.freepress.net/blog/2017/04/25/net-neutrality-violations-brie...

Komisioni Europian ka verifikuar se edhe në Europë, një në pesë përdorues ka qenë pësues i shkeljes së parimeve të neutralitetit të rrjetit, ndërkohë që nisma e fundit për wifi falas në mjediset publike e vendos Europën në një tjetër realitet përballë SHBA-së ku po diskutohet heqja e një rregulloreje që thjesht do ta bëjë internetin më të shtrenjtë dhe do t’u japë të drejta kompanive që të vendosin prioritetet e aksesit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.