Propozimet e biznesit për paketën fiskale 2018/Taksa e pasurisë, tap dhe taksa amnistia fiskale
Diskutimi në parlament i paketës fiskale për vitin 2018 ka sjellë në tryezë edhe disa propozime të biznesit. Dhoma e Tregëtisë dhe Industrisë Tiranë, në bashkëpunim me Shoqatat e Biznesit (Shoqata e Prodhuesve, Shoqata e Ndërtuesve, Shoqata e Turizmit, Shoqata e Fasonit, Shoqata e Kombëtare e Grave Profesioniste, Afariste dhe Zejtare, Shoqata e Transportit etj.,) kanë paraqitur dje një dokument të përbashkët, nëpërmjet të cilit kërkojnë që Kuvendi dhe qeveria të marrë në konsideratë këto propozime:
- Amnisti fiskale për legalizimin e kapitalit, deri në vitin 2015, e cila përfshin deklarimin dhe pagesën e detyrimeve për një afat 6-mujor për të gjithë kategoritë e tatimpaguesve dhe individëve me një tarifë tatim 2-5%, me bazë të gjerë dhe që përfshin, përveç biznesit, edhe individin, me përjashtim të individëve që kanë detyrim ligjor deklarimin në ILDKP.
- Biznesi i vogël që përfshihet në TVSH të vazhdojë të ketë prag përjashtimi 5 milionë lekë për kategoritë e shërbimeve, profesioneve të lira dhe të tjera, përveç aktivitetit tregtar dhe prodhues, tregtia me pakicë, të cilët të kalojnë me 0% TVSH.
- Për biznesin e vogël me xhiro vjetore deri në 2 milionë lekë tatim fitimi të jetë 0%; për xhiro 2-14 milionë lekë, 5% tatim fitimi dhe subjekte me xhiro më të lartë se 14 milionë lekë, tatim fitim 10%.
- Tatimi mbi të ardhurat për kalimin e pasurisë të jetë 0% për shitjen e shtëpisë (apartamentit) të parë, apo ku jeton individi për më shumë se tre vite; të gjithë shtëpitë e tjera e të tjera ndërtime me tatim 5%. Për pagat në nivelin deri 35.000 lekë 0%, mbi 35.000-335.000 lekë 10%, mbi 335.000 lekë me 20%. Ndërsa mbi të ardhurat nga qiraja dhe çdo e ardhur tjetër, duhet të vendoset 5% tatim për të ardhura deri 14 milionë, 10% për të ardhura 14-28 milionë lekë dhe 20% mbi 28 milionë lekë.
- Taksa e pasurisë me aplikim mbi vlerën e tregut të jetë 0.05% për banesën ku jeton dhe 0.1% për apartamentet e dyta e me radhë. Kurse taksa e pasurisë për ambientet tregtare dhe zyra të jetë 0.15%, përveç kapanoneve dhe magazinave, të cilat duhet të trajtohen me 0.05% të vlerës.
- Për një periudhë kalendarike 90-ditore, si për studentët gjatë verës (3-muaj korrik-shtator) dhe për stazhierët, vitin e parë të punësimit, të jetë në masën e kontributit për sigurimin shëndetësor dhe aksidenteve në punë, ose në total për 3.7% të pagës bruto.
- Të hiqet kufiri i detyrueshëm për pagën minimale të përcaktuar me VKM nr.399, pasi tregu i punës dhe disa aktivitete janë realisht nën këtë pagesë.
Add new comment