Të pabesueshëm

Postuar në 28 Tetor, 2017 15:23

Për situatën në Shqipëri ka reaguar sot edhe Doris Pack, politikania që është bërë e njohur në vendin tonë për qëndrimet e saj kritike ndaj të majtës. Kësaj radhe Pack kritikon sjelljen e ambasadores së BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin që ka preferuar të heshtë për çështjen “Tahiri”: 

Pse ambasadorja e BE në Shqipëri nuk reagon. Shqipëria është vend kandidat i BE-së. Kredibiliteti i BE kërkon një drejtësi më të mirë nëse gabime të dukshme nuk vihen në dukje”, shkruan Pack në Twitter. 

Sigurisht zonja Pack nuk është shembulli më i mirë i zyrtarit të paanshëm europian. Por çështja “Tahiri” është shumë e rëndë dhe heshtja kësaj radhe është në fakt flagrancë e njëanshmërisë politike. Heshtja në kësi rastesh nga një seli diplomatike si ajo e BE-së apk ambasada amerikane që kanë zgjedhur të jenë protagonistë për çdo gjë, vë në diskutim seriozitetin dhe kredibilitetin e këtyre aktorëve që duket se mpleksin preferencat, në mos interesat personale, me axhenda e shteteve apo asaj politike “parimesh” që përfaqësojnë. 

Kështu pak ditë më parë, ResPublica kërkoi një qëndrim nga ambasada amerikane për çështjen “Tahiri” dhe mori si përgjigje se: “Nuk kemi asnjë qëndrim”.

http://www.respublica.al/2017/10/25/ambasada-e-shba-nuk-kemi-gjë-për-të-thënë-për-çështjen-tahiri

Një ditë më pas Zëri i Amerikës mori  në intervistë zv.ndihmës sekretarin e Shtetit, Yee që shprehur mbështetje për prokurorët. Dhe vetëm një ditë më pas kësaj interviste, ambasadori Lu deklaroi se nuk duhen gjyqe komuniste dhe për këtë mori një falenderim nga kryeministri Edi Rama. Nuk është e vështirë të lexosh dallimet e qëllimshme në fraza dhe fjali, të cilat i shërbejnë një korrenti politik dhe këtu z. Lu është pozicionuar qartë në krah të qeverisë. Ose ai po lejon që qëndrimet e tij të lexohen kështu. 

ResPublica i kërkoi një reagim edhe Zyrës së BE-së në Tiranë dhe si përgjigje pas dy ditësh pritjeje mori përkthimin e deklarimeve të Maja Kocijançiç në konferencën e saj për shtyp në Bruksel. Kështu zonja Vlahutin shmangu një prononcim për çështjen Tahiri që ka si imperativ të vetin zbardhjen e saj të plotë dhe pastaj diskutimin për pavarësinë e gjyqësorit etj.. Ky është metri me të cilin kanë operuar këta ambasadorë, që kanë folur për ministra të korruptuar dhe deputetë e gjyqtarë të inkriminuar. Heshtja e kësaj radhe tradhëton përfundimisht rolin e arbitrit të paanshëm duke na dëshmuar sesa e rëndë ka qenë çështja në fjalë për qeverinë dhe stabilitetin e saj. Në këto kushte opinionit nuk i mbetet veçse të distancohet nga dy ambasadorët në kuptimin e besimit ndaj tyre, kurse opozitës ndoshta i duhet të lobojë që të paktën disa të vërteta si këto me drogën dhe implikimin e policisë t’i çojë në rrugë të tjera në kancelaritë ku mendon se ka ndikim. Dyshja e diplomatëve në Tiranë është tanimë pjesë e problemit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.