Çështje e drejtësisë shqiptare
Sot ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj deklaroi se dosja e përgjimeve ku përmendet edhe emri i Sajmir Tahirit, është çështje e drejtësisë italiane dhe jo e policisë italiane.
Po ministri duket se ka të drejtë vetëm pjesërisht, pasi siç raporton sot Top-Channel, dosja e Katanias do të bashkohet në një të vetme me dosjet që ka në hetim prokuroria e Shqipërisë.
“Dosja e Gjykatës së Katanias në të cilën trafikantë droge italo-shqiptare përmendin dhe ish-ministrin Saimir Tahiri, do të bashkohet në një dosje të vetme me një dosje tjetër në hetim ndaj vëllezërve Habilaj nga Vlora, si drejtuesit e një grupi të strukturuar. Ndërkohë që për këtë arsye prej muajsh për të zbërthyer këtë grup funksionon një task force e posaçme me tre prokurorë të Krimeve të Rënda dhe prokurorë të Leçes. Prokurori Vladimir Mara po heton dosjen e veçuar të Treblovës, në të cilën u bllokuan 23 ton hashash, ndërkohë që prokurorët Përparim Kulluri dhe Pranvera Hoxha janë pjesë e task force që po hetojnë mënyrën e sofistikuar të funksionimit të grupit dhe mënyrën se si ata komunikonin me njëri-tjetrin për ndarjen e detyrave…Prokuroria veçoi dosjen për vëllezërit Habilaj që dyshohen të jenë zotërues të këtyre parcelave mes fshatrave Treblovë e Vezhdnanisht, parcela të asgjësuara verën e 2016”, raporton Top Channel.
Add new comment