'Transaprenca" e KE-së/Fshehu raportin e vitit 2015 për ndikimin e piraterisë

Postuar në 22 Shtator, 2017 10:29

Bën leksione për transparencën dhe qeverisjen e mirë, por në fakt, nuk përjashtohet vetë nga praktika e njohur e fshehjes së informacionit dhe keqpërdorimi i fondeve. Një i tillë është financimi i një studimi për ndikimin e piraterisë në shitjet e materialeve të drejta të blera në fushën e muzikës, videolojërave, librave dhe filmave.

Komisioni Europian financoi për këtë qëllim në vitin 2015, 360 mijë euro dhe kontraktoi firmën hollandeze “Ecory”. Kompania hartoi raportin pas studimit në gjashtë vende: Gjermani, Britani e Madhe, Spanjë, Francë, Poloni dhe Suedi, udhëhequr nga pyetjet:

Sa ndikojnë te shitjet e përmbajtjes me të drejta të blera autori, materialet e pirateruara?

dhe

Sa janë të gatshëm shelësit e të drejtës së autorit që të paguajnë për materialin me të drejta?

Raporti përfundon se në përgjithësi,

Rezultatet nuk tregojnë ndonjë evidencë statistikore domethënëse për rënien e shitjeve nga pirateria online. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që pirateria nuk ka ndikim, por vetëm se analiza statistikore nuk provon me besueshmëri të mjaftueshme se ka ndonjë ndikim

Madje, sipas raportit, shkarkimet online apo strimimet e videove në mënyrë ilegale, ndikojnë në rritjen e shitjeve legale të videolojërave, ndërkohë që ky efekt është negative për filmat.

Çështja është se Komisioni Europian, duke qenë se përfundimet e tij nuk përmbushnin pritmërinë për një lidhje thelbësore mes piraterisë online dhe rënies së shitjeve me të drejta autori të blera, e mbajti atë të fshehtë. Raporti u bë publik vetëm pas postimit të tij në blogun e një anëtareje të Parlamentit Europian, Julia Reda, e cila siguroi një kopje falë të të Drejtës së Informimit në BE.

Organizata “Të Drejtat Dixhitale Europiane” shton në një shkrim të vetin online se përmbajtja e këtij raporti u mbajt qëllimisht e fshehtë duke sjellë në vëmendje një raport akademik të vitit 2016, hartuar nga dy zyrtarë të Komisionit, titulluar: “Pirateria e filmit dhe zhvendosa e shitjeve në Europë”. Ky dokument përmendte nga studimi i mësipërm i “Ecory” vetëm çështjen e ndikimit negativ te filmi duke shmangur gjetjet e tjera.

https://gizmodo.com/the-eu-suppressed-a-300-page-study-that-found-piracy...

Rasti në fjalë zbardh disa praktika të Komisionit Europian që duket se vepron në këtë rast nën ndikimin e lobimeve të ndryshme, duke sponsorizuar raporte dhe materiale, për të dalë mandej me propozime për politika të caktuara.

Dhe që këtej nuk ka pse të çuditemi për praktika të tjera në raportet politike si me rastin e Shqipërisë, një vend që vjen i fundit në konsideratë. Shohim zyrtarë të BE-së dhe raporterë që hartojnë gjithfarë raportesh, lëshojnë deklarata dhe mbajnë krahun e njërit dhe të tjetrit politikan shqiptar. Nuk është aspak e jashtëzakonshme që në veprim të jenë interesa dhe para, pavarësisht se paketohen si parime të integrimit. Është thjesht naiviteti i shoqërisë sonë që lë të jetojë ky perversion politik që i lejon klasën drejtuese në Shqipëri të kërcejë një valle me disa të huaj që vijnë këtu e që po dalin me goxha fitim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.