Europa e shqiptarëve është e ndryshme nga ajo e ambasadores së BE-së pro qeverisë së Tiranës
Dje ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Valhutin, u bëri të ditur shqiptarëve se pesë muajt e ardhshëm do të jenë kyç për të ardhmen e tyre europiane, për integrimin.
Për çeljen e negociatave muajt në vijim do të jenë shumë të rëndësishëm, kyç. Është e qartë për të gjithë çfarë lipset që të ndodhë sa i takon 5 prioriteteve kyçe, por në veçanti lidhur me të gjithë aspektet e ligjit dhe në veçanti me luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë asgjësimin e kultivimin e tregtisë së kanabisit
tha ajo.
Siç mund të lexohet nga ky paragraf, Shqipërisë, qeverisë së saj i duhet që në 5 muajt në vijim të japë prova reale të angazhimit në luftë ndaj dukurive që i përfaqëson si kampione e Europës. Për të gjithë ata që jetojnë në këtë vend, përfshirë zonjën në fjalë, ëstë e kuptueshme se një gjë e tillë është e pamundur. Nuk ka sesi të ndodhë kjo gjë, me një kryeministër që e nis luftën ndaj krimit nga makinat dhe bën thirrje për sekuestrime. Dhe këtu ka përgjegjësi edhe ajo që quhet Europë prej nga vjen zonja në fjalë. Ka kohë që flitet për stabilitetokraci nënvend të demokracisë dhe këtë faturë po e paguajmë të gjithë. Me kreditimin e kryeministrit përmes deklaratave të tilla, legjitimimin e politikëve qeverisëse të cilat në të gjitha raportet zyrtare konsiderohen të pamjaftueshme dhe të pasuksesshme, për të përdorur një term të butë.
Kjo lojë mbështetëse që diplomatët si puna e zonjës Vlahutin nuk niset nga ndonjë premisë më tej sesa materiale, konkrete. Por ato janë shumë të dëmshme sepse teksa i japin oksigjen një qeverie të diskredituar dhe që nuk po di se çfarë të bëjë me pushtetin që mori, e vendosin qytetarin shqiptar përballë mesazheve të ndryshme dhe çorientuese. Kakofonia e deklaratave dhe raporteve nuk konfirmon vetëm dështimin kronik të qeverive shqiptare, ajo kompromenton edhe misionin dhe autoritetin e këtyre diplomatëve që i kanë mbetur në derë këtij vendi, sa kohë që bëjnë lojën e tyre në kontekstin e pazareve shqiptare.
Sa për muajt kyç për të cilat flet zonja Vlahutin, ato duhen konsideruar pallavra. U mësuam të jetojmë çdo muaj si muaj kyç, të votojmë për zgjedhje që janë përherë vendimtare dhe të duartrokasim çdo gjë që thuhet si historike. Në fakt Europa për shqiptarët nuk është më ëndrra e gënjeshtërt e njëzet e pesë viteve më parë, as edhe ulja në tryezat e Brukselit kundo jemi përherë thërrimexhinj. Europa për shqiptarët është një destinacion pune dhe shkollimi, një vend ku duhet shkuar sa ka kohë dhe me të gjitha mjetet.
Ikja e shqiptarëve ndërkohë që zonja po djersitet për ta afruar vendin e tyre me kontinentin provon një sens ironie të përgjithshëm, që merr jetë nga dështimet e organizuara dhe për të cilat duket se ka interes të vijojnë të mbeten hapur si çështje për zgjidhje.
Add new comment