Po të ishte për këtë qeveri, do t’u vinte gjobë edhe atyre që mbyten në det…

Postuar në 19 Korrik, 2017 10:55

70% e aksidenteve në Shkodër ndodhin për shkak të infrastrukturës rrugore dhe mungesës së sinjalistikës, e cila edhe aty ku është nuk është funksionale”.

https://www.reporter.al/rruget-pa-sinjalistike-burimi-kryesor-i-aksident...

Kështu shprehet për reporter.al komisari i policisë, Maxhun Hajdari. Është një “hollësi” që meriton vëmendje të madhe, ndonëse arsyeve të aksidenteve patjetër që u do shtuar dhe gabimi i drejtuesve dhe shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor.

Kërkon vëmendje pasi jo rrallë kjo qeveri ka nxituar të zgjedhë rrugën më të shkurtër, jo për të zgjidhur problemet, por për të mbyllur diskutimet publike. Pak muaj më parë u prezantua norma e re e gjobave për drejtuesit e automjeteve. Deri në 15 mijë lekë të reja për mosvënien e rripit të sigurimit. Vendimi erdhi pas aksidentit të Kavajës ku gjetën vdekjen fëmijët e drejtueses së mjetit, si pasojë e një rrugëkalimi në mes të autostradës, i cili çonte drejt një karburanti. Në vend se të penalizoheshin drejtues të Autoritetit Rrugor, u kalua me masa për shtrëngimin e qytetarëve. Arsyeja? PS-ja dhe LSI-ja ishin ende në koalicion.

http://www.panorama.com.al/aksidenti-i-kavajes-zbulohet-skandali-me-drej...

Pohimi i komisar Hajdarit vë gishtin në plagë. Është shteti dhe qeveria, që me shkeljet e veta çojnë në një numër të madh aksidentesh. Ish-ministri I Brendshëm, Sajmir Tahiri, një i diskredituar të cilit ka nisur t’i vijë goja sërish, hodhi idenë që aksidentet me pasojë vdekjen të trajtoheshin si vrasje rrugore. Kjo mund të ketë kuptim kur rrugët ku lëvizin qytetarët janë të sigurta dhe të çertifikuara dhe kur ka një sistem gjyqësor që garanton gjykim.

Siç pranohet zyrtarisht këto në Shqipëri nuk ekzistojnë dhe ç’është më keq, nuk ekziston as vullneti apo aftësia për të ndërhyrë siç duhet. E njëjta gjë edhe me mbytjet në plazhe. Ligji ekziston për caktimin e rojeve, por askush nuk e zbaton. Po të ishte për këtë qeveri me siguri që do donte të vinte gjobë për ata që mbyten si një mënyrë për të lajmëruar të tjerët se nëse notojnë jashtë rregullave do hanë gjobë të majme.

Qelbet edhe më shumë ky problem kur kujton se me sa kollajllëk jepen konçesione edhe për larje rrobash, ndërkohë që rezultatet janë të njëjta. Sinjalistika dhe kufizimet në rrugë janë të domosdoshme, por në një vend normal, për aksidente ku drejtues të Policisë pohojnë se provokohen nga rrugët jashtë standardit, gjoba do t’i shkonte agjencive shtetërore. Kjo nuk ndodh. Dhe nuk ndodh sepse jeta e njeriut vlen shumë pak, më pak sesa tenderat dhe mashtrimet e përditshme. Derisa ndoshta, dikujt mund t’i vijë radha e të përmbyset vetë me makinë, brenda apo jashtë Shqipërisë.

Raste si këto të aksidenteve dhe injorimi i tyre thjesht si statistikë i jep kuptim edhe atij mllefi të madh që doli në sipërfaqe me aksidentimin e ish-ministrit Ahmetaj. Pati ndonjë intelektual virtual që foli për kulturën e vdekjes, për nekrofili e të tjera si këto. Sigurisht që njeriu duhet ta mbajë pak gojën, por kur ta bëjnë vendin tënd të pajetueshëm, urrejtja është e natyrshme dhe nuk ka pse të shihet si ligësi. As keqdashje. Politika e ka në dorë të ndryshojë mënyrën sesi e shohin. Mjafton që zengjinët e rinj – që janë Hajdutë – të ngulin një gozhdë, apo të vënë një ristelë, përpara se të rrethohen vetëm nga xhandarë apo lakej që dinë vetëm t’u nxijnë jetën njerëzve me më pak përkrahje.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.