Katandisja e PD-së, opozitarizmi si taktikë për t'i ikur dështimit
Numri i sotshëm i “RD”, gazetës zyrtare të Partisë Demokratike, është shembull i qartë i politikës pa kokë ku është zhytur kjo parti dhe hipokrizisë së saj në rolin formal si opozitë.
Pasi denoncoi LSI-në dhe sh.p.k e tjera të vogla në fushatë elektorale, duket se dehja nga dashuria politike me Edi Ramën është një luks që nuk mund të pretendohet hapur për lidershipin e kësaj partie. Në kushtet e një krize të vërtetë dhe shumëdimensionale, Lulzim Bash aka gjetur strehën e vet tek opozitarizmi verbal, pa lëvizur gjithësesi asgjë në planin praktik.
Dy tituj bien në sy në numrin e sotshëm: së pari titulli hapës: “Ligj për fletërrufetë”, i cili trajton situatën e krijuar nga listat e zeza të Edi Ramës de titulli i dytë është ai i një opinioni të publikuar “Washington Post”: Autokratët e Ballkanit dhe Pakti me Perëndimin.
“RD” shkruan se loja e Edi Ramës me listat e zeza do të ketë tjetër efekt pas 1 gush kur hyjnë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal dhe ligji për strukturat sinjalizuese në administratë dhe në biznesin privat me mbi njëqind punonjës. Duke bërë një interpretim të ligjit të miratuar, gazeta e PD-së mëton të ngrejë alarmin e një neodiktature, ku edhe Meta sipas saj do ta pësojë, por duke “harruar” se ajo mund të ankimonte ligjin dhe ndryshimet në Gjykatën Kushtetuese.
Ligji për sinjalizuesit është promovuar edhe nga disa ambasada të huaja në Shqipëri dhe me gjasë në atë kohë, PD-ja nuk ka dashur të luajë rolin e atij që kundërshton Perëndimin në të gjitha manifestimet e veta eksperimentale në Shqipëri.
Në hallin e madh të kërkimit të një rrugëdaljeje, duket se lidershipi i PD-së po i drejtohet gjuhës së Çadrës, tek e cila aleanca e Perëndimit me autokratët e Ballkanit, mes të cilëve figuron edhe Edi Rama sipas saj, ishte një ndër argumentet parimore kryesore.
Për ta shërbyer këtë tezë sa më mirë dhe në mënyrë më bindëse, “RD” ka sjellë një opinion të publikuar në gazetën e njohur “Washington Post”, me autor ish-ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremiç. I cili ishte ndër njerëzit më aktivë në pengimin e proceseve të pavarësimit të Kosovës, pa folur për qëdrimet cinike publike.
Kjo ka pak rëndësi. Rëndësi ka që vija politike e “ashpër” ku po orientohet PD-ja është taktike dhe në funksion të daljes nga halli i madh i dështimit në zgjedhjet e fundit. Dështim i cili ka hapur debatin mbi pazarin e 18 majit që provokoi këtë anomali. Ndaj çdo përpjekje për të shpikur dhe rishpikur probleme, apo për të pikasur kauza, të cilat mandej, partia private e Lulzim Bashës do kërkojë të bëhet zëdhënëse, është e pabesueshme. Kjo parti me aktet e saj ka bërë shërbimin më të mirë ndaj vendit kur me tradhëtimin e rolit të vet e ka nxjerrë si imperativ krijimin e alternativave të re.
Add new comment