Sa ndikon prokurimi elektronik në “inkurajimin” e marrëveshjeve të fshehta mes operatorëve ekonomikë
Legjislacioni për prokurimin publik në Shqipëri, parashikon prokurimin me mjete elektronike, si një formë komunikimi në përputhje dhe me standardet ndërkombëtare europiane. Referuar mjeteve ligjore të prokurimit, prokurimi elektronik në Shqipëri është bërë forma më e praktikuar duke e renditur atë ndër vendet e para. Për pasojë, nga Janari i vitit 2009 procedurat e prokurimit elektronik realizohen vetëm përmes SPE (sistemit të prokurimit elektronik), ndërsa aplikimi elektronik i blerjeve me vlerë të vogël nga institucionet publike u mundësua për herë të parë në vitin 2013. Qëllimi i tij ishte të siguronte barazi më të madhe në procedurat e prokurimit publik, rritjen e transparencës dhe konkurrencës midis operatorëve ekonomikë si dhe uljen në një shkallë më të lartë të mundësisë për abuzim.
Termi “prokurim elektronik” përbën tashmë një temë për diskutim në shtrirje të gjerë si në sektorin publik dhe në atë privat. Prokurimi elektronik konceptohet në varësi të këndvështrimeve. Meqenëse në një proces prokurimi shqetësimi parësor është kursimi, ligjvënësi i është referuar përdorimit të mjeteve novatore përmes përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, në procedurat e prokurimit. Në këtë aspect, zbatimi i prokurimit elektronik do të gjeneronte kursime dhe do të konsolidonte financat publike.
Sistemi i prokurimit elektronik, është ndërtuar në mbështetje të direktivave dhe standardeve të BE-së. Avantazhet e tij konsistojnë në: përdorimin e teknologjisë së informacionit që e bëjnë më të lehtë procesin, pasi përshpejton procedurat dhe i thjeshton ato, eliminon dokumentet e tepërta shkresore, mundëson rritjen e fluksit të informacionit dhe bën procesin transparent, rrit përgjegjshmërinë duke mundësuar përdorimin me eficencë të parasë publike.
Në këtë sistem lehtësirash e përparësish, krijohet një vorbull turbullire që përdoret nga operatorët ekonomikë në favor të interesave të tyre. Nëse nisemi nga ky aspekt me të drejtë mund të ndodhemi para një fakti që vë në diskutim opsionin a ndikon sistemi i prokurimit elektronik në “inkurajimin” e marrëveshjeve të fshehta mes operatorëve ekonomikë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditimet e kryera në subjekte të ndryshme të administratës publike, ka konstatuar në disa raste se sistemi i prokurimit elektronik bëhet vatër e ekzistencës së marrëveshjeve të fshehta mes operatorëve ekonomikë. Në disa autoritete kontraktore të cilat prokurojnë fonde me vlera të larta, si Autoriteti Rrugor Shqiptar, Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara etj. ku për qëllim të nxitjes së pjesëmarrjes së biznesit të vogël dhe të mesëm, si dhe uljes së kostos administrative, ndiqet rregulli i ndarjes në lote të kontratës për disa blerje/shërbime homogjene apo të ngjashme, bazuar VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit public” me ndryshime, vihet re ulja e pjesëmarrësve në procedurat e prokurimit. Megjithëse “prima facie”, në sistemin elektronik të prokurimeve të jepet përshtypja se operatorët që aplikojnë janë në një numër të konsiderueshëm, në fazën e shqyrtimit të Ofertave rezulton që pjesëmarrja të minimizohet në atë shkallë sa operatorët nuk paraqesin as ofertë ekonomike (pasi në SPE nuk rezulton të jetë hedhur ky dokument), duke bërë të mundur që gara të fillojë gjithnjë vetëm me një operator dhe vetëm në ndonjë rast sporadik mund të vazhdojnë garën dy operatorë. Kjo mënyrë konkurrimi sjell që operatorët në rastin e tenderimit në lote, të identifikohen në SPE si pjesëmarrës në të gjitha lotet me qëllim sigurimin e konkurrencës, por në momentin e fillimit të procedurës në fazën e shqyrtimit të ofertës konstatohet se ata nuk kanë hedhur në sistem minimumi ofertën ekonomike, duke krijuar hapësirë për ekzistencën e marrëveshjeve të fshehta mes operatorëve ekonomikë.
Ky fenomen i shtuar në ditët e sotme, lë shteg për krijimin e monopolove dhe përqendrimin e tenderëve në një numër të vogël operatorësh ekonomikë duke përjashtuar nga pjesëmarrja në konkurrim biznesin e mesëm dhe të vogël.
A është sistemi elektronik i prokurimit që krijon këtë “ishull mrekullie” apo rregullatori ligjor që favorizon këtë fenomen. Në këtë aspect është rregullatori ligjor që ka nevojë për përmirësime, pasi zbatimi në praktikë i ligjit kurdoherë ka të “papriturat” e veta.
Nisur nga këto konstatime të KLSH, Autoritetet Kontraktore duhet të jenë të parat që duhet të sinjalizojnë tek Autoriteti i Konkurrencës, si i vetmi organ kompetent që heton konkurrencën e pandërgjegjshme, mbi rrezikun e marrëveshjeve të fshehta mes operatorëve ekonomikë. Nga ana tjetër Agjencia e Prokurimit Publik duhet të kërkojë përmirësime ligjore duke shtuar numrin e rasteve të përjashtimit të operatorëve ekonomikë nga konkurrimi elektronik, kur vihen re tendenca të manipulimit në hedhjen e dokumentacionit të tenderit në sistemin e prokurimit elektronik.
Autorja është Audituese e Lartë
Burimi: Gazeta "55"
Add new comment