Ajo që sondazhet nuk e thonë**
Zgjedhja e Trump si president i Shteteteve të Bashkura u cilësua si surprizë duke qenë se sondazhet parashikonin një humbje të tij. Megjithatë, atë që sondazhet nuk arritën të parashikonin, në fakt e kishin parashikuar big data.
Nga vëzhgimi i big data gjatë fushatës presidenciale amerikane, mund të vihej re që Trump kishte një mbështetje shumë herë më të madhe në rrjetet sociale se sa Clinton. Në fakt, ekspertët e big data kishin parashikuar qartazi fitoren e Trump. Sipas ekspertëve, arsyeja është që sjellja e njerëzve është më e besueshme se sa ajo çfarë ata deklarojnë. Ky regull vlen edhe për preferencat politike.
Edhe në Shqipëri, rrjetet sociale po përdoren gjerësisht nga partitë politike gjatë kësaj fushate zgjedhore. Por cila është mbështetja e partive në rrjetet sociale dhe si ka ndryshuar ajo gjatë këtij muaji? Ne kemi analizuar aktivizimin e përdoruesve të FaceBook-ut në Shqipëri në mbështetje të tri partive kryesore. Ky indikator përfshin të gjitha reagimet në FB, nga pëlqimet deri tek komemtet apo rishpërndarja në rrjet. Le të shohim çfarë na sugjeron big data mbi zgjedhjet e nesërme në Shqipëri.
Pikë së pari, interesi i shqiptarëve ndaj fushatës eletorale është reflektuar edhe në rrjetet sociale. Fushata zgjedhore ka nisur e vakët, sidomos për PD dhe LSI. Siç mund të shihet në grafikun e mësipërm, aktivizimi i simpatizantëve në FB nuk ka patur surpriza deri në gjysmën e parë të muajit qershor, duke konfirmuar perceptimin e përgjithshëm. Diferenca e PS-së, si ndaj PD-së, ashtu edhe ndaj LSI-së ka qenë e madhe dhe ky trend ka vazhduar deri më datë 13 qershor, ku ka rregjistruar pikën më të lartë. Mesatarisht, impenjimi në FB i mbështetësve socialiste është sa dyfishi i atyre demokratë dhe 7 herë i atyre të LSI-së.
Megjithatë, një trend konvergjence është vëzhguar 10 ditë më parë duke arritur kulmin të shtunën e një jave më parë. Në vetëm katër ditë, impenjimi i socialistëve ra ndjeshëm me 45%, nga 40 mijë në 22 mijë aktivizime. Për të njëjtën periudhë, nga njëra anë, aktivizimi online i demokratëve ra me 25%, ndërsa LSI më shumë se dy-fishoi aktivizimin e mbështetësve të saj. Kjo periudhë përkoi me rritjen e tenioneve midis PS dhe LSI, dhe me sa duket kjo shërbeu për të mobilizuar më fort mbështetësit e LSI-së.
Dy ditët e fundit të fushatës shërbyen për të aktivizuar popullin e web-it. PS, ashtu edhe PD, u rikthyen tek vlerat më të larta të regjistruata gjatë fushatës, ndërsa LSI-ja ka regjistruar një rënie të lehtë.
Megjithëse sipërfaqësore, analiza e përgjithshme e big data nxjerr në pah disa aspekte shumë interesante. Përtej avantazhit të thellë të PS-së ndaj PD-së, diçka që duhet ta shqetësojë PS-në. Në ndryshim nga dy partitë e tjera, aktivizimi i socialistëve në rrjetet sociale ka shënuar ulje - ngritje tejet të ndjeshme, të cilat nuk janë stabilizuar as gjatë 5 ditëve të fundit. Nuk është e lehtë të interpretohet kjo luhatje duke qenë se aktiviteti i Kryeministrit në FB ka qenë gjithnjë tepër intensiv. Kjo luhatje mund të reflektojë një mungesë motivimi të elektoratit rozë. Pra kampet janë ndarë tashmë. PD dhe LSI e kanë mbledhur në vathë elektoratin e tyre respektiv. E vetmja e panjohur duket se mbetet rezultati i PS-së. Suksesi i saj do varet në shkallën që do të arrijë të bindë socialistët që të shkojnë drejt kutive të votimit.
**Titulli i autorit: Çfarë sugjerojnë big data mbi zgjedhjet e nesërme?
*Autori është ekspert data scientist
Add new comment