Gara në PS, Veliaj një hap përpara Tahirit
Fushata elektorale po shkon drejt përfundimit dhe mbi të do të nxirren disa përfundime të përgjithshme. Asaj nuk i mungoi demagogjia dhe largimi nga përgjegjësitë; fushata ka qenë më tepër ping –pong akuzash dhe shumë pak vend i është lënë debatit për programet. Nga kjo perspektivë, pra ajo e angazhimit në sulme politike, duhet të heqim mënjanë kryebashkiakun e Tiranës, Erjon Veliaj.
Është normale që Veliaj të angazhohet në fushatë pro PS-së dhe kryeministrit. Këtu nuk ka ndonjë gjë për t’u çuditur. Por e pazakonta e tij në këtë proces është se ai është i vetmi ndër politikanët kryesorë që ka shmangur sulmin dhe stigmatizimin e kundërshtarit. Sigurisht dy fjalë për Lulin dhe PD-në ai i ka thënë, por këtu fjala është për qëndrimin larg sulmeve ndaj LSI-së dhe Ilir Metës.
Erjon Veliaj kërkon votën për Edi Ramën dhe PS-në, por jo duke shpallur armiqësi me Metën dhe LSI-në. Arsyet për këtë mund të jenë disa: Veliaj ka kaluar jo pak probleme vitin e kaluar, të cilat u përfol se i zgjidhi me ndihmën e Metës. Po kështu shumë projekte që kanë kaluar në Bashki kanë dashur votën e LSI-së dhe ai duhet të procedojë në këtë drejtim edhe për dy vjet.
Të mbajmë parasysh se Erjon Veliaj drejton një institucion që punëson shumë njerëz dhe qarkullon fonde shumë të mëdha; vetëm sheshi “Skënderbej” kushtoi milionë euro. Është një proces pune që për shkak të interesave të mëdha të detyrojnë të lidhësh gjuhën apo të ndryshosh disa sjellje. Jo se kjo ka ndodhur me zotërinë, marketingu i të cilit është fare i papranueshëm, por për një koncidencë, apo zgjedhje, Veliaj dallon në këtë fushatë që luan me të njëjtat terma dhe akuza.
Dhe ai dallon edhe nga rivali i vet hipotetik në PS, ish-ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri. Ky i fundit ka hyrë në fushatë me një pozitë të goditur, por edhe si një figurë me shumë konsum. Kanabisi është problem shtetëror për të cilin ai ka përgjegjësinë e vet dhe parimisht kjo nuk është e vogël. Nga kjo pikëpamje, por edhe për faktin se Tahiri si kryetar i degës së PS-së në Tiranë, ka një sfidë të vërtetë për votat në kryeqytet, ai ka vendosur të tonifikojë qasjen e vet me sulme ndaj LSI-së. Kuptohet në sinkron me kryeministrin që flet kundër LSI-së, por jo kundër Ilir Metës personalisht. Tahiri nuk ka asnjë tagër moral për ta bërë këtë, lufta e tij me Metën, u fol e u stërfol gjatë. Edhe Presidenti i Republikës ka akuzuar publikisht se është përgjuar familjarisht. Këto janë kredenciale që nuk të lënë shumë vend edhe brenda mjedisit politik, e lëre më në raport me publikun. Më tej akoma, ish-ministri I Brendshëm është në një pozicion jokomod, pasi duhet të flasë për arritjet e të tjerëve, përfshirë ato të Bashkisë së Tiranës. Ai nuk drejtonte një dikaster që kryen punë publike, por një sektor si ai I rendit që në Shqipëri do mbetet edhe për një kohë të gjatë problematik. Faktorizimi i tij në të ardhmen është barrë për PS-në dhe do të kërkojë kohë. Ta themi me fjalët e kryeministrit: Askush nuk ka gjë me Sajmir Tahirin, një djalë i ri, normal si shumë të tjerë në këtë vend. Por është sistemi…
Mesazhi i tij i para disa ditëve për të rinjtë që “të mos humbasin kohën”, është ndër më të goditurit në një vend ku jeta shtyhet, por kjo mbulohet nga mali i bëmave në drejtimin e tij të Ministrisë së Brendshme.
Nga një vështrim sipërfaqësor mund të shohim pra se dy rivalët e PS-së për drejtimin e saj janë në pozicione fushate me artikulim të kalibruar në të kundër të njëri – tjetrit, që cila dallon në sulmin ndaj Metës. E detyruar nga rrethanat ose jo, kjo është tjetër punë. Por duhet thënë se Veliaj është më i favorizuar pasi përtej demagogjisë së vet që nuk durohet dhe prezencës së tij në media edhe për larjen e perdeve të Bashkisë, ai e ka një bilanc personal. Ka bërë dy rrugë, 5 lulishte, një shesh dhe ca llamba ndriçimi, rikonstruktuar disa kopshte dhe ka përmirësuar higjenën e kryeqytetit. Këto preken nga qytetarët e zakonshëm për të cilët akuzat se me parkimin nëntokësor, apo me çështjet e landfilleve, zotëria mund të ketë bërë duart pis, ngjajnë thjesht si “çështje të mediave”.
Në një plan më perspektiv ky dualitet që po zhvillohet në PS, edhe pse teorik deri më tani, i jep asaj avantazhin strategjik ndaj kundërshtarëve në sensin se zgjidh qysh tani çështjen e pasuesit të Edi Ramës – si kryetar partie - duke përvijuar dy njerëz që aspirojnë drejtimin. Dhe ç’është më e rëndësishmja: një Garë. Tjetër punë nëse janë të përshtatshëm apo jo.
Janë dy kandidatura, ambiciet e të cilëve, realizohen ose jo, duket se përmbahen brenda ekosistemit socialist, pa potencialin e çarjes. Kjo nuk është pak. Shohim sesi në PD ka vetëm disa të pakënaqur që mund të bëjnë dëm, pa propozuar gjë konkrete akoma. Sa për LSI-në, është e qartë se z. Vasili është në lartësinë e detyrës për një kryetar partie normal dhe racional, por që duhet ta shtrydhë racionalitetin e vet konform llogarive të Ilir Metës.
Kjo nesër do të shitet si demokraci e brendshme, si një histori suksesi e PS-së, ku dy të rinjve që jua dha shansi, ju hap rruga për në deyrat më të larta. Kjo nuk është e gjithë e vërteta. Ne e dimë se pas ambicieve për kryetar të një partie si PS-ja, kushdo duhet të respektojë, t’u përgjigjet dhe të pranojë disa interesa jo të vogla. Që jo përherë kanë lidhje me atë që marketohet. Po kështu suksesi kalon detyrimisht nga krijimi i interesave të reja, mundësisht sa më shpejt. Dhe këtu qëndron çelësi për të kontrolluar dhe lexuar atë që po ndodh, që mandej kjo kine – politika e demokracisë së brendshme të vihet në kontekst dhe të filtrohet mirë.
Edi Rama i katapultoi këta të dy si shumë të tjerë. Drejt karriges më të lartë të çojnë gjëra të tjera dhe nëse Vettingu ka nisur me të vërtetë, ai duhet që të ndihmojë edhe publikun që të shohë dhe kuptojë se kush janë interesat. Përndryshe teatri vazhdon po njësoj pa ndonjë hap përpara.
Add new comment