Listat? Politikën e bëjnë të pasurit, koha të mësohemi me këtë

Postuar në 27 Maj, 2017 12:22

Lista e kandidatëve të Partisë Demokratike publikuar mbrëmë natën nga kryetari Lulzim Basha ka provokuar debate. Largime të disa personazheve publikë, përfshirje aleatësh dhe emra krejt të rinj. Lista nuk ka sesi të befasojë më shumë sesa emrat e ministrave që Basha propozoi së fundmi. Ata janë ose njerëz të afërt me PD-në, ose ish-drejtorë, pra njerëz të parasë dhe pushtetit financiar të qeveirijes së Berishës, ose zgjedhje personale e kryetarit. Shikoni emrin e Grida Dumës në Tiranë dhe kujtoni për analogji sesi Elisa Spiropali përfshihet në listat e Korçës nga PS-ja. Dallojnë nga njëra tjetra këto persona? Aspak. Mediokritet i ngritur në kulme, histori tenderash dhe shpërdorimesh, ose përfolje për gjëra të tilla, njerëz që thjesht rrinë pranë kryetarit dhe përherë i ke në lista.

Basha mund të thotë se hoqi ata që opinioni i shikonte si përgjegjës të qeverisjes së Berishës, por ky argument nuk ngjit shumë tani përveçse i shërben mirë atij pas 25 qershorit. Befasia e listës Basha nuk është më e madhe se ajo e listës së PS-së, edhe ajo e pastruar nga deputetë të vjetër dhe mbushur me anonimë. Publiku nuk e gjen më veten të përfaqësuar me figura që nuk kanë rezonancë më shumë sesa komuniteti ku jetojnë dhe kjo ndoshta është faza e re e politikës, ku pushteti i kryetarëve është më i madh se kurrë ndonjëherë.

Figurat publike kushtëzojnë gjithsesi këtë vendimmarrje kaq të mbyllur, nuk përdoren kaq lehtë, edhe pse paraja ka treguar se bën çudira. Ndoshta duhet të pranojmë se pritmëritë “intelektuale” janë shumë të mëdha në një vend ku politika kultivohet në kafene. Por këto pritmëri që janë koteci i fundit i një morali fals, janë shumë mbrapa dhe të sfazuara me axhendat e avancuara të kryetarëve të të trija partive kryesore, të cilët afrojnë njerëz të biznesit, fëmijë të tyre, njerëz të pasur dhe të cilët nuk hyjnë në parlament për të bërë parlamentarin, por për të mbrojtur dhe fuqizuar interesat. 

Pse duhej Basha të sillej ndryshe në një vend ku ka vetëm grupime, klane dhe asnjë institucion? 
Dështimi është targa e tij kryesore, por nuk ka pse t’ia njohim si vlerë ekskluzive kur përballë tij qëndron një tjetër që atomizoi debatin politik në diskutime me sms. Apo edhe "liderë" të rinj që qajnë hallin e popullit dhe në mendje kanë mandatin e tyre. Lista është normale në raport me atë që kjo shoqëri kultivon si vlera. 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.