Konseguencat fetare për 25 qershorin burojnë nga një tjetër marrëveshje

Postuar në 21 Maj, 2017 14:25

Komenteve politikë për datën e zgjedhjeve që sipas marrëveshjes Rama-Basha u vendos të jetë 25 Qershori iu shtuan edhe reagimet e disa klerikëve muslimanë për shkak të përkimit të kësaj date me ditën e Bajramit. Myftiu i Shkodrës e quajti caktimin e kësaj date si prekje të shenjtërisë së festës fetare të Bajramit dhe një kufi të ndaluar për politiken. 
“Jemi befasuar nga 2 drejtuesit kryesor kur dëgjuam se caktuan zgjedhjet ditën e Bajramit.Një fenomen që as në kohen e komunizmit nuk ka ndodhur edhe pse feja ishte e ndaluar. Natyrshëm ne presim reagimin e KMSH por kjo është e pafalshme ndaj shenjtërisë së kësaj dite. Festat tona janë të shenjta e solide që prekja e tyre duhet të jetë kufi i ndaluar për të gjithë”, ka thënë Sytari.

Kjo do të thotë që kalendari fetar të predominojë mbi të drejtën civile që me konsensus kushtetues buron nga aktet politike.Nëse shkojmë me këtë logjikë atëherë ligji i Zotit sipas këtij interpretimi është ai që duhet konsideruar pikë së pari për të ruajtur kufijtë e shenjtërisë së Republikës. Një kundërthënie që gjithsesi vërteton tendencat politike të udhëheqësve të caktuar fetare për krijimin e një Republike që do ishte një lloj ndëthurjen e laicizmit me fetarizmin, sipas shembullit të shteteve afër nesh, ku më predominanti është ai i Turqisë.

Dhe klerikë të caktuar siç është myftiu i Shkodrës nuk e kanë fshehur afërsinë ose simpatinë me erdoganizmin apo Turqinë gjysmë laike dhe gjysmë islamike. Pak kohë më parë gjatë zgjedhjeve presidenciale në Turqi ai predikoi hapur dhe u lut për mbarësinë e referendumit që të mund të ishte fillimi i një ndryshimi historik.

“Në kuadër të hadithit: ‘Nuk ka besuar asnjëri prej jush, derisa të dojë për vëllanë e tij, atë që do për veten e tij’, si pjesë integrale e këtij ymmeti të bekuar islam. lutemi me zemër, që votimi i ditës së diel, më 16 prill 2017, në Republikën e Turqisë, që konsiderohet si fillimi i një ndryshim historik për Turqinë e Presidentit Rexhep Erdogan, të shkojë mbarë e mirë dhe me sukses të plotë, në rrugën e konsolidimit të mëtejshëm të pozitave të shtetit, ku jetojnë edhe miliona shqiptarë, në një mirëqenie përherë e në rritje dhe që konsiderohet nga elitat e ymmetit islam, si boshti kryesor i mbarë botës islame sot! Myftiu theksoi se angazhimi për të lexuar zhvillimet e politikës dhe lëvizjet e dinamikës së botës islame është një urdhëresë kur’anore dhe porosi e Hz. Muhammedit (a.s), që nuk duhet ta neglizhojmë as ta hedhim pas krahëve, në rrugëtimet e rizgjimit dhe rimëkëmbjes së madhe të myslimanëve në këtë shekull!”, thuhej në reagimin e Myftinisë së Shkodrës, postuar në rrjetin social “Facebook”.

Por modeli i Republikës së Erdogan nuk ka vetëm mbështetjen e disa klerikëve por edhe të vetë Tiranës politike që ka ushqyer një bashkëpunim dhe partneritet strategjik me kushte jo shumë transparente. Erdogan financoi xhaminë e Namazgjasë në këmbim të mbylljen së shkollave të Gylen dhe po ashtu ka ofruar ndihmë ushtarake dhe financim të aeroportit të Vlorës.

Në këto kushte edhe presionet për të formësuar një Republikë të ngjashme janë konseguencë e këtij raporti qe Tirana zyrtare vendosi me Akaranë. Një ditë më parë Komuniteti Mysliman reagoi duke thënë se "Përkimi I dates së zgjedhjeve me ditën e Bajramit nuk ka pse të jetë problematike, myslimanët kanë marrë fatet e Kombit mbi shpinë, ne jemi tolerantë". Një reagim edhe ky me urdhër politik që reflekton pasojat e para të vllazërisë Rama-Erdogan.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.