LSI ironizon marrëveshjen, Blushi dhe PDIU: Bashkëqeverisje PS-PD
Marrëveshja Rama-Basha duket se ka lënë të pakënaqur partitë e vogla. LSI ka reaguar pas prononcimit të Ilir Metës në dalje të takimit në zyrën e Sali Berishës, ndërsa aleatët e të dy krahëve e nuk e kanë përshëndetur marrëveshjen por as nuk e kanë komentuar.
Reagimi i LSI-së refeflekton dukshëm pozicionin e saj jashtë kësaj marrëveshje dhe kjo duket më së miri në reagimin e kryetarit të komanduar, Petrit Vasili. Ministri i Drejtësisë, i cili do të lërë postin për hir të qeverisë teknike, shpreson që PD të arrijë standardet që kërkon në vetëm 7 ditë që janë shtyrë zgjedhjet.
“Jam i kenaqur qe me ne fund u arrit marreveshja qe luftova deri ne fund. Jam i kenaqur edhe qe opozita do te mare pjese ne zgjedhje. Clirimi nga detyrimet burokratike me jep gjithe kohen qe t’i dedikohem fushates per te nxjerre LSI-ne force te pare. Shpresoj qe ne keto 7 dite te cmuara te shtyrjes se zgjedhjeve, opozita do te realizoje objektivat e saj per standarde te larta ne zgjedhje, luften kunder droges dhe dekriminalizimin.”- shkruan Vasili. Zërat e parë kundër marrëveshjes kanë qenë kreu i LIBRA-s, Ben Blushi dhe deputetja e PDIU-së, Mesila Doda. Blushi tha nga Korça se marrëveshja legjitimoi një bashkëqeverisje PS-PD.
"Kënaqësi që PD hyri në zgjedhje për të garantuar më shumë besim dhe pjesëmarrje. Partitë kanë vendosur të bashkëqeverisin, PS, PD, dhe LSI. U nda qeveria e Shqipërisë si plaçkë. PD u fut në qeveri për të qeverisur me Rilindjen. Marrëveshja është për bashkëqeverisje, por Shqipëria nuk ka votuar për këtë marrëveshje. Kjo qeveri premton vetëm një pakt kombëtar kundër drejtesisë. Kjo marrëveshje shkallmon drejtesinë. Këto parti do të bashkeqeverisin edhe pas zgjedhjeve"- theksoi Blushi. Ndërsa Mesila Doda e PDIU-së po ashtu reflektoi të njëjtin qëndrim se dy partitë e mëdha ranë dakord për të ndarë pushtetin. Këto pakënaqësi lidhen dukshëm me afatet zgjedhore që imponon data 25 qershor për të mos dalë në zgjedhje me koalicion, por si parti të vetme. Referuar faktit që sistemi zgjedhor nuk parashikohet të ndryshojë shanset e partive të vogla për të marrë deputetë janë minimale.
Add new comment