Destabilizimi i Ballkanit, projekt i Perëndimit

Postuar në 10 Maj, 2017 10:57

Karta nacionaliste në Ballkan luan përherë një rol kryesor në skenën politike. Por ajo nis e merr përmasa të reja kur miratohet si ide apo si skicë veprimi edhe në qarqet diplomatike të vendeve të mëdha. Paradoksi i nacionalizmit ballkanas qëndron pikërisht në këtë pikë: ai realizon objektivat e veta me miratim ndërkombëëtar dhe kjo vlen për të gjitha programet nacionale.

Idetë për zgjidhje analoge me ato që u testuan pa sukses në shekullin e 20-të nuk mungojnë dhe duket se Europa, apo Perëndimi, një pjesë e tij, po kërkon ta heqë qafe Ballkanin e tensionuar duke kënaqur ambiciet etnike të grupeve të ndryshme. Një shkrim i dhjetorit 2016, me autor Timothy Less, publikuar në “Foreign Affairs” sugjeronte pikërisht këtë: rishikim të hartës politike të rajonit dhe përputhjen e kufijve shtetërorë me ata etnikë.

http://www.respublica.al/2016/12/22/shteti-komb-%E2%80%93-zgjidhjan%C3%A...

Ky shkrim tërheq vëmendjen pasi Less ka qenë diplomat dhe sipas Dr. Zlatko Hadžidedić të Institutit Ndërkombëtar për Studimet mbi Lindjen e Mesme dhe Ballkanin, ai përfaqëson njëfarësoj atë linjë mendimi dominuese në “disa rrethe radikale në establishmentin britanik të politikës së jashtme”, të cilët siç shkruan ky autor “përmes disa përpjekjeve nga viti ’90 e mbrapa, kanë mbrojtur në mënyrë të përsëritur të njëjta ide që mund të gjenden në artikullin e Less”.  Dhe këto ide janë krijimi i Serbisë të Madhe, Shqipërisë së Madhe, Kroacisë së Madhe etj.. Hadžidedić i quan këto ide dhe premisën se projektet e parealizuara nacionale çojnë në destabilizim si të paqena, sidomos kur vjen puna te Ballkani, për të cilin aktorët e mëdhenj rezervojnë përherë fleksibilitet sipas rastit. Kështu shembulli I krijimit të Jugosllavisë tingëllon historikisht si një zgjidhje nacionale për të gjithë sllavët, ndërkohë që disa dekada më vonë, ishte një njeri i këtyre qarqeve, Lord Peter Carrington që sugjeronte një konferencë ndërkombëtare të re për të ndarë Jugosllavinë, sërish në emër të çështjeve nacionale që zienin. Sipas autorit Daytoni ndau Bosnjen në kufij etnikë duke sugjeruar një model për Ballkanin që mund të rezultojë fatal. Krijimin e kushteve për ndryshimin e hartës politike e bën vetëm lufta, por sipas Hadžidedić, vendet e rajonit nuk kanë burime dhe fuqi për një luftë në shkallë të gjerë. Si alternativë, shkruan ai, është ushqimi i idesë së një lufte eminente, tensionimi, acarimi, që nxisin perceptimin se nga momenti në moment Ballkani mund të rrëshqasë sërish në greminë. Hadžidedić kërkon një koincidencë mes artikullit të Less të dhjetorit 2016 dhe përshkallëzimit të situatës mes Serbisë dhe Kosovës, në Bosnje dhe në Maqedoni.

Vështirë se kjo rritje tensionesh është aksidentale, nisur nga fakti se liderët ballkanikë mund të luajnë me lehtësi kundër njëri – tjetrit, kurdoherë kur ata marrin sinjale, pavarësisht nëse janë false apo të vërteta, se një rishikim gjeopolitik në rajon po konsiderohet nga lojtarët e mëdhenj botërorë”, shkruan ai.

http://www.ifimes.org/en/9374

Çfarë na lë të kuptojmë fare mirë se një mundësi pse kryeministri i Shqipërisë vjen vërdallë nga një gazetë në tjetrën me Shqipërinë e Bashkuar, është edhe ky sinjali që për shkak të nuhatjes tipike ballkanike, po i shpon hundët e padurimit nacionalist.

Përhapja e zërave në Europë për një luftë në Ballkan është pjesë e kësaj strategjie, ndërkohë që autori nuk sjell në konsideratë asnjë rrezik nga Rusia. Lojtari që sipas tij po kërkon prishje balancash është Britania e Madhe apo disa qarqe perëndimore për arsye dhe interesa që nuk kuptohen. Eventualiteti i suksesit të kësaj politike do të kërkonte një Konferencë për Ballkanin Perëndimor në Londër në vitin 2018, që sipas Hadžidedić mund të marrë jetë si vijim i atij eksperimenti që nisi në vitin 1912 e të cilin ne shqiptarët e kemi mësuar në historinë politike 

Po Konferenca e Berlinit dhe pajtimi shqiptaro –serb? Po fabula e integrimit dhe unionit doganor? Ndoshta të gjitha janë eksperimente paralele, sa kohë që në Ballkan po e kuptojnë politikën si punë videogame: vritesh, por edhe ringjallesh. Të gjithë skenarët janë të hapur, mjafton të shikohet sesi trajtohet Maqedonia. Në fund mundet edhe që hartat e reja të dakordësohen prej të gjithëve, pasi në Ballkan vlen më shumë teatri nacionalist sesa nacionalizmi i vërtetë. Të paktën në shekullin e rrjeteve sociale.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.