Rrëshqitja e Maqedonisë, pritet ndërhyrja e amerikanëve
Ngjarjet e një dite më parë në Maqedoni ishin një paralajmërim i fortë se vendi fqinj mund të rrëshqasë kollaj drejt destabilitetit. Përplasja ka vënë përballë Nikolla Gruevskin, kryeministër i një dekade dhe fitues i zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe opozitën e drejtuar nga "filoperëndimori" Zoran Zaev.
Krizës i kontribuoi edhe platforma e partive shqiptare, që pavarësisht përmbajtjes u përdor si alibi nga Gruevski dhe Ivanov për të kundërshtuar alencën e partive shqiptare me Zaev për shkak se u firmos në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë. Në thelb kriza ka rrënjë më të thella që lidhen me mungesën e demokracisë, prirjet autokratike të udhëheqësve politikë dhe interesat e ngushta të tyre, përfshi edhe faktorin shqiptar që ka qeverisur bashkë me Nikolla Gruevskin.
Gjithsesi është mbërritur në një pikë ku janë vënë në shesh të gjitha "armët", që nga ato politike, ligjore, Kushtetuese, diplomatike apo edhe të forcës. BE dhe SHBA nuk kanë arritur t'i japin zgjidhje krizës politike, pavarësisht ultimatumeve. Zgjidhja pritet sërish nga jashtë me vizitën e zëvendës sekretarit Amerikan për EuroAzinë, Hoyt Brian Yee, i cili do të vizitojë Shkupin të hënën që vjen.
Nga vendet e rajonit është dënuar dhuna dhe është bërë thirrje për dialog dhe stabilitet. Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka shprehur mbështetjen për zgjidhjen e krizës me mjete demokratike dhe Kushtetuese, ndërsa me interes është edhe deklarata e Ministrisë së Jashtme greke, që pavarësisht konfliktit për emrin e Maqedonisë e vë theksin tek ruajta e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
"Me trishtim dhe ankth shohim se Maqedonia po rrëshqet në një krizë të thellë politike. Kriza ka nevojë për të adresuar palët e përfshira të tregojnë respekt për parimet e demokracisë, ligjshmërisë dhe sundimit të ligjit. Ne kërkojmë respekt për kulturën e kompromisit dhe konsensusit. Pa këto parime situata mund të jetë shpërthyese. Greqia që historikisht dhe vazhdimisht mbështet parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve fqinje, është e gatshme kurdo që kërkohet për të ndihmuar në qetësimin e krizës mbi bazën e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe respektin për pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Maqedonisë " - thuhet në deklaratë.
Add new comment