"Shtet" i Qelepirit
Në vitin 2007, kur Edi Rama arriti fitoren e parë elektorale(jo si shumicë) në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste, deklaroi ndër të tjera se “ne fituam në Shqipërinë që paguan taksa”. Ky ishte një eufemizëm i goditur, elegant, që shmangte fyerjen që sjellin frazat direkt apo ironitë e lexueshme, për Shqipërinë e qyteteteve, pse jo qytetare, të civilizuar, të legalizuar, atë që njeh dhe zabton ligjin. Për atë Shqipëri pra që është e kundërta e asaj që në imagjinarin kolektiv i mvishet Sali Berishës dhe pushteti të tij: Shqipërinë e modelit të Bathores, të vjedhjes së dritave, të mospagimit të detyrimeve etj..
Ishte dhe është një betejë me të vërtetë madhore kjo për të gjithë vendin, shoqërinë shqiptare, Betejë e cila nuk ka pse të shikohet e lidhur me një qeveri, por as edhe e kuptuar si politikë represioni për disa.
Megjithatë, Edi Rama dhe socialistët e fituan të drejtën të qeverisin edhe atë Shqipërinë tjetër dhe e fituan me votë. Në këto kushte pritej që Shqipëria që paguan taksa, të konsiderohej për korrektesën e vet që në disa rrethana mund të ketë qenë edhe sakrificë. Kjo Shqipëri “përfitoi” me rotacionin e pushtetit Rilindjen Urbane që konsiston në investime dhe ndërhyrje në zonat urbane me synim rehabilitimi dhe rivlerësimi. Mirëpo pas vitit 2013, veshët e qytetarëve u mësuan të dëgjojnë në fillim fjalën, shtet, burg, informalitet, të trija në mënyrë të ekzagjeruar, në kontekstin e politikave të ngjashme me aksione, pa ndërhyrje ligjore të qenësishme dhe duke përzgjedhur në goditje.
Mandej pushteti ra në monotoninë e njohur të të gjitha qeverive në këtë drejtim duke lejuar përhapjen e kanabisit, shpërblimin pa kushtëzim të të përmbyturve në zona ku nuk lejohet ndërtimi dhe së fundmi I ka hyrë me kokë aksionit populist(që ka ndikim ekonomik patjetër) të amnisitive nga të gjitha drejtimet.
Në çdo pikëpamje, politika të kësaj natyre favorizojnë sërish atë Shqipëri që i atribuohej Sali Berishës. Kanabisi është armiku i legalitetit, paraja e drogës që infiltron në tregje pa kontroll e vret tregun, konkurencën, ndonëse shpesh shitet si likujditet dhe shpëtim.
Amnistitë e propozuara së fundmi, ajo fiskale, ajo për faljen e detyrimeve të vetëpunësuarve në bujqësi, amnistia groteske për bujqit që kanë mbjellë kanabis dhe amnistia për detyrimet e automjeteve janë në themel legjitimim I një kulture që vetëushqehet te kjo dobësi e shetit që këmbehet me forcë dhe arbitraritet të pushtetit.
Me cilën logjikë dhe moral mund t’I kërkosh një qytetari të rregullt të vijojë të jetë i tillë kundrejt faljes së detyrimeve për disa të tjerë, legalizimit të pronave informale për të tjerë, ndjekjen e politikave elektorale nën petkun e politikave sociale? Kuptohet me asnjë moral, përveçse moralit të forcës dhe forcës së korruptimit që përhapet shumë shpejt. Ai që është i rregullt është i tillë në raport edhe me vetveten, por detyrimet në përgjithësi nuk janë kënaqësi. Ato janë zbatim kontrate e cila duhet respektuar nga të dyja palët.
Është e natyrshme të pritet që shumëkush të thotë se situata kjo është dhe qeveria nuk ka se çfarë të bëjë. Ky është argument që nuk qëndron edhe aq, pasi amnistitë përgjithësisht lidhen me nisjen e një kulture të re, apo së paku nuk kanë pse të margjinalizojnë përherë të njëjtën kategori, pa bërë as edhe korrigjimin më të vogël. Lojën e amnistive e hapi Fatos Nano, kur fali detyrimet për energjinë elektrike. Asgjë nuk u përmirësua në këtë drejtim. Qeveria që mburret sot me sektorin e energjisë, ndoqi një politikë të kombinuar në këtë drejtim, pasi fali Kamatat kundrejt përshpejtimit në pagesë të detyrimeve. Kjo është tjetër gjë nga zerimi I detyrimeve. Pra ka një logjikë mbi të cilën edhe mund të pranohet.
Por kjo nuk mund të ecë përpara si logjikë kur nga njëra anë falen detyrimet për biznesin(hiq rastet kur ka NIPT-të pezulluar prej kohësh, pra detyrimi është de facto i vdekur përveçse me përmbarim) dhe nga ana tjetër raportohet borxhi i ri i krijuar për shkak të inefikasitetit të administratës tatimore apo doganore. Është e papranueshme që në dogana kalojnë tonaleta me kanabis, ndërkohë që për deklarimin e çdo kalimi konçesionari i skanimit merr 22 eurot e tarifës.
Pra ose paguajnë të gjithë në mënyrë të barabartë, ose ndiqen politika të diferencuara për detyrimet dhe kjo është e kuptueshme deri diku për një kohë, ose kjo praktika e faljes në këtë mënyrë është thjesht ftesë dhe kujtesë pë rata që janë të rregullt që ta shohin njëherë veten si budallenj. Jo më kot kryetari I Bashkisë së Tiranës guxoi të vendoste taksën e përkohshme të arsimit, pasi në një qytet si ai që ai drejton është e thjeshtë të gjurmosh dhe ndëshkosh. Me këto para do bëhen shkolla të reja kundrejt një praktike që nuk ishte deklaruar më parë, ndërkohë që shefi i tij shfaqet përditë si kumbari i legalizimeve teksa jep tapi anemabanë. Natyrisht në zbatim të ligjit që kanë miratuar, por sa pare bën kjo në sytë e atyre që duan vetëm të punojnë dhe të mbeten brenda Shqipërisë që paguan taksa?
Mund të shpresohet se këto legalizime apo amnisti do të sjellin një moment të ri, ku të gjithë janë në qitapet e shtetit dhe do të paguajnë. Por nuk ka shumë gjasa që ato politika që legalizojnë kulturën e shkeljes së ligjit të kenë ndonjë perspektivë të madhe. Është krejt e shtrembërt kjo që ndodh dhe me pasoja. Nuk është rastësi që ndërkohë që shkelësit janë përfitues të rregullt nga kjo lloj politike, kategori sit ë përndjekurit politikë, pensionistët, ish-ushtarakët dhe pronarët janë ndër më të keqtrajtuarit në nivel ligjor. Dhe të mendosh që këta janë më të rregulltit, ata që e konstituojnë atë Shqipërinë që paguan taksa, e cila mesa duket sa vjen dhe zvogëlohet, ndonëse me tapitë e reja duhet të zmadhohet.
Add new comment