Prokuroria kërkon sekuestrimin e pasurisë së deputetit Alfred Peza
Prokuroria kërkon në gjykatë sekuestrimin e pasurisë së deputetit të PS Alfred Peza. Kërkesa është dorëzuar në gjykatën e krimeve të rënda nga njësia Task Forcë e këtij institucioni.Gjykata ende nuk ka vendosur në lidhje me kërkesën e prokurorisë, e cila sipas burimeve të organit të akuzës, shtrin efekt mbi shumën prej 1.1 miliard lekësh apo 1 milion dollarë që shtetasja Mirela Ndini, bashkëshortja e deputetit, ka përdorur për blerjen e një përqindje të aksioneve në një biznes privat, shkruan Panorama.
Burime të prokurorisë kanë thënë se në mënyrë të përsëritur deputetit Peza dhe bashkëshortes, i është kërkuar që të paraqesë dokumente justifikuese në lidhje me pasurinë që ata disponojnë por nga janari kur nisi hetimi deri tani, ata nuk kanë arritur të justifikojnë me burime të ligjshme shumën që disponojnë.
Në këtë mënyrë, prokuroria ka vendosur të kërkojë sekuestrimin e pasurisë në fjalë në mënyrë që ajo të mos tjetërsohet ndërsa vazhdon hetimi për “fshehje ose mosdeklarim të pasurisë” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”. Hetimi filloi kryesisht nga prokuroria e përgjithshme pas informacioneve e dokumenteve të publikuara në media në lidhje me pasurinë e deputetit të PS Alfred Peza.
Add new comment