1991/Një foto që u censurua nga mediat në SHBA
28 shkurt 1991. Keneth Jarecke fotografon djegien e një irakeni në një kamion lufte, në përpjekjen e tij për të shpëtuar. Pamja është mizore. Më mizore kur mendon se fotoja është e realizuar aq sa i djeguri ngjan si ndonjë subjekt nga Terminator në denatyralizimin e tij. Por fotoja që ndoshta do të simbolizonte luftën e Gjirit, nuk u publikua në SHBA për shkak të zgjedhjes editoriale. Në një shkrim të vitit 2014, revista “The Atlantic” e publikon foton bashkë me një shkrim të gjatë që ka të bëjë me vendimin e ndalim – qarkullimit të saj nga mediat amerikane.
“Është e vështirë të llogarisësh pasojat e mospublikimit të fotos”, shkruan revista duke referuar për argument, atë që Conor Friedersdorf e quan “sanitarizimi i imazheve të luftës”, në funksion të një asimimi më të mirë të termave të tillë si “goditjet e sakta” apo “lufta kinetike”. Përndryshe, pamje të tilla do të dekonspironin teorinë e gabimit zero që promovohet për luftën moderne, nëse ka një të tillë përveç ndryshimit teknologjik. Fotoja ka një histori të vetën, media të ndryshme në Europë e publikuan atë, por këtu ka interes ndikimi që sjell “censura etike” e cila vë në dilemë edhe autorin. Vetë fotografi Jarecke është shprehur se “nuk do të doja që nëna ime të shihte emrin tim ngjitur me fotot e kufomave, por nëse nuk marr foto të tilla, njerëz si nënan ime do të mendojnë për luftën atë që shohin në filma”.
A është e drejtë t’i mohosh publikut një copëz të së vërtetës në emër të gjykimit se kjo mund të jetë e papërshtatshme? Ja një çështje që ha diskutim ndonëse në botën e rrjeteve sociale dilema të tilla janë zeruar. Mund të imagjinojmë se nëse Jarecke do të kishte postuar foton sot, shpërndarja e saj do të ishte masive. Çka tregon se vendim editorial kultivon një etikë që i ngjan një pedagogjie morale, por jo dëshirës së publikut për të njohur faktin.
Add new comment