Reagimi i parë jozyrtar nga Tirana për qëndrimin e Presidentit maqedonas
“Zoti Ivanov, gjuha shqipe s'është e armikut po e një populli shtetformues në Maqedoni. Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni i dashur President!”
Ky është deri më tani i vetmi reagim nga Tirana zyrtare për krizën në Maqedoni dhe komentet e presidentit Ivanov lidhur me platformën e shqiptarëve. Ndonëse jo i përmendur drejtëpërdrejtë, kryeministri Rama cilësohet si hartuesi i platformës shqiptare, e cila u vu si kusht për pjesëmarrjen në qeveri të partive shqiptare. Presidenti Ivanov solli si argument për mosmandatimin e Zaev për të krijuar qeverinë cënimin e sovranitetit të vendit nga një platformë e hartuar nga një shtet dhe kryeministër tjetër. Përtej debatit kushtetues që mund të shkaktojë ky qëndrim, kundërshtimi i platformës së partive shqiptare në çdo rast mund të lexohet edhe si një dështim i përpjekjes për rishikimin e marrëveshjes së Ohrit. Zhvillimet kanë shtuar dilemat mbi stabilitetin në Maqedoni dhe një prej pikëpyetjeve që ngrihet është se a mund të ketë ndikim fakti që Ali Ahmeti kushtëzoi firmat e partisë së tij duke deklarur se ato nuk janë për qeverinë?
Platforma e partive shqiptare
Me ndërmjetësimin e Tiranës, në 7 janar të këtij viti forcat politike shqiptare nënshkruan një marrëveshje ku kërkojnë arritjen e barazisë së plotë në përputhje me marrëveshjen e ohrit dhe kushtetutën, zbatimin e multi-etnicitetit në kushtetutë, ku shqiptarët të njihen si popullësi shtet-formuese. Një nga pikat kryesore dhe më të debatuara të platformës është ajo e barazisë së plotë gjuhësore, çka do të bënte të mundur përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes. Shqiptarët kërkojnë gjithashtu një debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetëtore të republikës së maqedonisë, në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multietnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike. Si edhe miratimin e një rezolute në parlamentin e maqedonisë ku dënohet genocidi ndaj popullit shqiptar në maqedoni 1912-1956. Në objektivat e tjerë të marrëveshjes përmendet arritja e barazisë ekonomike dhe e mirëqënies shoqërore, integrimi euro-atlantik, marrëdhëniet e mira me fqinjët apo edhe zgjidhja e çështjes së emrit të Maqedonisë.
Add new comment