Varoufakis: Tsipras, modeli i kryeministrit që “Jo-në” e ktheu në “Po”
I përket brezit të ri të politikanëve dhe ndoshta një shkolle të re që i jep më shumë rëndësi shfaqjes sesa përmbajtjes. Kjo bëri që t’u premtojë me shumë lehtësi grekëve, rikthimin e dinjitetit të nëpërkëmbur dhe çlirimin nga “diktatura” e kreditorëve.
Është fjalë për kryeministrin grek, Aleksis Tsipras i cili nuk nguroi të çojë në referendum popullin për t’ia deleguar qytetarëve vendimin e vështirë të pranimit ose jo të kushteve të kreditorëve. Dhe kur referendumi refuzoi të pajtohet me planet e ministrit gjerman të Financave, kryeministri në fjalë i tha “po” trojkës europiane për programet e shkurtimit dhe kursimeve, duke mos i qëndruar marrëveshjes me grekët.
Ish-ministri i Financave, Giannis Varoufakis, njeriu që ishte kundër një marrëveshje detyruese nga trojka dhe kundërshtoi hapur planin gjerman ka folur për herë të parë mbi dorëheqjen e tij dhe ndryshimin 360 gradë të qëndrimit të Tsipras lidhur me këtë çështje.
Me informacionin që kisha atëherë nuk mund të bëja ndryshe. Me informacionin që kam tani, nëse do ta dija se kryeministri “jo-në”do ta kthente në “po”, nuk do të kisha bërë atë që kam bërë-theksoi Varoufakis në një intervistë për televizionin Alpha.
“Më 20 shkurt unë dola nga Eurogrupi me një kënaqësi të thellë dhe për një arsye të thjeshtë, sepse kishim rënë dakord për ta riparë programin nga e para mbi një bazë të arsyeshme. Më 24 shkurt ata ndryshuan mendje dhe filluan mbylljen e bankave”-shtoi më tej ish-ministri i Financave, i cili dha dorëheqjen me pas.
Modeli Tsipras nuk është prodhim autentik grek, por me analogji të ngjashme në shumë vende. Mesa duket një fenomen politik që lidhet me brezin shoqëror dhe inspirimet individuale që formësoi këtë model intelektualësh dhe rrace politikanësh.
Add new comment