Maqedonisë po i sugjerohet “Shqipëria e prillit 2013”

Postuar në 26 Janar, 2017 14:45

Nikolla Gruevskit i kanë mbetur edhe katër ditë si i mandatuar për të krijuar qeverinë e re në Maqedoni. Por kush dëshiron të kuptojë se çfarë Maqedonie do të kemi nëse në krye të vendit vjen një zhurmues si Zoran Zaev, mjafton të kërkojë në arkiva Shqipërinë e vitit 2013. Pavarësisht ngjarjeve dhe akuzave nga më të mëdhatë, PS-ja e Edi Ramës nuk i fitonte dot zgjedhjeve vetëm. Çka provon se publiku kishte perceptuar se një pjesë e madhe e politikave opozitare udhëhiqeshin nga interesi strikt politik dhe ekonomik, pavarësisht skandaleve të qeverisë Berisha.

Analogjikisht kemi në Maqedoni, Zoran Zaev, i cili publikonte bomba të shumta për një qeveri të akuzuar për çdo gjë si ajo e Nikolla Gruevskit. Por me këtë të fundit ishte edhe Ali Ahmeti, të cilit sot Zaevi po ja bën me sy. Dhe njësoj si Edi Rama që dikur fliste gati duke qarë për Ilir Metën dhe bllokun e tij me të cilin vidhte, edhe Zaevi, perëndimor si tip, nuk ka munguar të shprehet për Ahmetin para zgjedhjeve.

“Kemi hapur dy bomba speciale ndaj BDI, dhe hapur them se edhe ato janë të koruptuar pasiqë bashkë me VMRO kanë ndarë para pronë të vendit, fuqia ndaj parave dhe nuk ka dilema këtu”, është shprehur ai.

Sot ky politikan, nga soji i atyre që me operacione policore përgjimi mendojnë se mund të marrin gjithë pushtetin, i duhet që ta paraqesë Ahmetin si burrë zotni, nënkupton se do pranojë edhe Platformën e partive shqiptare, diçka që ne këtej kufirit e pamë mirë të ndodhte në prillin e vitit 2013.

Diçka mund të thuhet në këtë kuadër për rolin e qeverisë shqiptare. Sot bëhet e ditur se ambasadori shqiptar në Shkup, Fatos Reka, është takuar me kreun e Lëvizjes “Besa” Bilall Kasami.
Me këtë rast përfaqësuesit e BESËS kanë shprehur qëndrimin se Lëvizja BESA në vazhdimësi është angazhuar për daljen e vendit nga kriza politike, dhe kthimin në agjendën e integrimeve euro – atlantike, ndërsa Platforma “Ridefinimi” për këtë është një zgjidhje ideale politike”, raportojnë mediat shqip të Maqedonisë.

Paralel me këtë lëvizje, po bëhet e qartë se Ali Ahmeti dhe Gruevski po zhvillojnë bisedime duke shmangur Platformën dhe duke emfatizuar rolin e parimit “fituesi me fituesin”. Duket se ajo që u shit me bujë në Tiranë, është hedhur pas krahëve në Shkup dhe në Tetovë dhe Tiranës zyrtare, të ndodhur në problem me fqinjët edhe për shkak të etheve elektorale në rajon, i ka mbetur shpresa vetëm te “Besa”.

Deri më sot askush nuk i ka dhënë një përgjigje pyetjes së Gruevskit se përse shqiptarëve të Maqedonisë do t’u interesonte zyrtarizimi i shqipes në rajone ku nuk ka shqiptarë, sikundër asnjë, as ministri i Jashtëm i Shqipërisë që mendon se ka përgjigje për çdo gjë, nuk di të thotë se a prodhon stabilitet kjo PLatformë apo ajo çon në kushtet e ndarjes së vendit?

LSDM-ja e Zaevit, megjithë aventurizmin e këtij të fundit, nuk ka fuqinë të firmosë për çdo gjë në një vend me ekulibër të brishtë, njësoj sikurse partitë shqiptare sidomo BDI-ja  nuk ka sesi të shumëzojë me zero arritjet e veta të deritanishme, pse kështu kërkon dikush në Tiranë. Ndaj negociatat në Maqedoni do të priren drejt racionalizmit nëse dikush është ende I interesuar për ekzistencën e shtetit, racionalizëm që e skualifikon një dokument maksimalist, në mos provokativ, siç është Platforma e përbashkët e partive shqiptare. Tirana provoi se është në gjendje të bëjë zhurmë, qameti të prishë punë, por ajo nuk ka as mendimin, as strukturat dhe as vullnetin që të ndjekë një diplomaci që realizon disa interesa të vërteta kombëtare apo shtetërore, për të cilat jemi ende kuriozë t’i dimë se cilat janë në rastin konkret.

Comments

Submitted by Komentues (not verified) on

Autori i shkrimit te len pershtypjen ose te mosinformimit, ose te relativizimit te ngjarjeve ne Maqedoni. Pershkrimi i udheheqesit te opozites me "soji i atyre që me operacione policore përgjimi mendojnë se mund të marrin gjithë pushtetin" eshte tmerresisht tendencioz.

Duhet te behet e qarte qe vet ish-kryeministri, se bashku me kusheririn e tij - qe drejtonte sherbimin sekret - pergjuan me shume se 20.000 qytetare te Maqedonise! Ishte normale qe ne gjithe kete pergjim, per tere kete kohe te gjate, pergjimet do te "rridhnin" (ato rrodhen ne shtete edhe me te fuqishme, e lere me ne Maqedoni).

Ne vend se autori te thote ca fjale per kete praktike te te udhehequrit me shtet, e i cili eshte (ku me pak e ku me shume) tipik per Ballkanin, ai "barren" ia le opozites. Krimet dhe vjedhjet qe u degjuan nga keto pergjime tregojne nivelin e njerezve qe kane udhehequr Maqedonin per 10 vitet e kaluara, dhe ata kane vetem nje zgjidhje - te perfundojne te gjithe ne burg! Kjo qe ende kontrollojne tere administraten shteterore dhe kushtezojne voten e lire duhet te jete motiv me shume per t'i mbeshtetur perpjekjet e opozites per ta marrur pushtetin.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.